Nesër zhvillohen homazhet për Kosta Grillon/ Ja mesazhi prekës i motrës

Nesër zhvillohen homazhet për Kosta Grillon/ Ja mesazhi prekës i motrës

12:59, 06/10/2021

Të enjten do të zhvillohen homazhet për komentatorin e ndjerë, Kosta Grillo. Lajmin e bën të ditur familja e tij.

“Homazhet e vëllait tonë KOSTA GRILLO do të zhvillohen nesër, e enjte, 7 tetor 2021, në stadiumin "Selman Stërmasi", nga ora 09:00 - 11:00. Përcjellja për në banesën e fundit, në orën 16:00, në Himarë. Ndërkohë, sot, familja Grillo pret ngushëllime, duke filluar nga ora 16:00, te Funeral Home ALBA 2000 (te Medreseja),” thuhet në një njoftim.

Grillo e humbi betejën me koronavirusin, pasi ishte shtruar për kurim të specializuar në Turqi.

Vdekja e parakohshme e komentatorit dhe gazetarit sportiv ka tronditur familjarët dhe të dashurit e tij. Motra e gazetarit ka rrëqethur me një mesazh të postuar në rrjetet sociale, kur kujton 55 ditët e torturës. Me ikjen e tij, Ani Grillo shkruan me dhimbje se tani ajo ka mbetur vetëm.

“Mami të mori me vete, se të kishte pikën e dobët i dashur Kosta. Nuk e kisha menduar kurrë që do ndaheshim kaq shpejt. Shikoja ëndrra me sy hapur se si do t’i ngrysnim ditët e netët bashkë në të ardhmen. Të kisha premtuar që do iknim bashkë nga ky spital ku të solla me duart e mia me shpresë se do ia dilnim. 55 ditë përpjekje.

Nuk e mbajta fjalën e tani më ke lënë vetëm me kujtimet e atyre orëve e ditëve që kaluam bashkë. Kur do ikim, më pyesje çdo ditë, kur? Nuk po më shërojnë o Ani. E unë besoja që ti do ia dilje mbanë, sepse njerëzit si ti me atë zemër e shpirt të gjerë, me atë zgjuarsi e humor janë të rrallë në këtë tokë. Forca të thosha, je himarjot kockëfortë e nuk dorëzohesh ti, do ia dalim e do ikim. Çdo ditë, çdo ditë të njëjtat fjalë.

Forca, je i fortë, më buzëqesh e ti me buzëqeshje e më shikoje thellë në sy sikur doje të vërtetoje fjalët e mia. Na presin të gjithë, të thosha, djemtë e miqtë që luteshin për ty për një shërim sa më të shpejtë. Çfarë të them tani? Më fal që nuk të ndihmova ashtu si të kisha premtuar që do ktheheshim bashkë në Tiranë me këmbët tona! Do kthehemi, por me një ndryshim, këmbët do t’i mbajmë në Vuno, te mami e babi.

O Kostë, të thosha, hajde se do shërohesh e do ta kujtojmë si një ëndërr të keqe. Na ke lënë shurdh. Nuk qeshim e as nuk flasim pa u bërë mirë ti. Lëviz o ma, lutesha përnatë. Eja të ndihmosh e të shërosh djalin. Ma more njeriun e vetëm që më kishte mbetur. Ma more vëllain, më keni lënë vetëm”, shkruan ajo.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco