Lajmi i fundit

LIVE/ 'Opozita në Aksion', takim me demokratët e Lezhës

Shameti: Nuk vepron Kosova pa sinkronizim me partnerët, ajo është investim i SHBA, i Perëndimit!

Shameti: Nuk vepron Kosova pa sinkronizim me partnerët, ajo është investim i SHBA, i Perëndimit!

17:47, 29/05/2023
A+ Aa A-

"Situata e fundit në Kosovë  është e precedentë, e përsëritur dhe është një mënyrë se si është ndërtuar konstrukti i shoqërisë serbe, i qeverisë serbe dhe i serbëve lokalë atje; pra, një mënyrë papranueshmërie, papajtueshmërie me gjithçka që nuk vjen nga autoriteti i tyre, nga Serbia".

"Pra, kushdo tjetër në Ballkan mund të qeveriset nga të tjerët, ka pakica greke në Shqipëri që qeverisen nga shqiptarët, ka pakica shqiptare që qeverisen nga maqedonasit, ka pakica maqedonase që qeverisen nga serbët etj...po serbët -- jo!!! "

"Problematike në këtë në fakt është vendosja në pikëpyetje e rezultatit të zgjedhjeve dhe zbatimi i tyre nga ata që i quajnë legjitime këto zgjedhje, ku futet faktori ndërkombëtar, QUINT-i, edhe Republika e Shqipërisë po të doni dhe gjithë të tjerët."

"Kosova është investim edhe i SHBA, edhe i Perëndimit, edhe nuk ma do mendja se investime të tilla, mjafton një deklaratë apo veprim i qeverisë së Kosovë për t’i shumëzuar me zero dhe për ta shitur."

Situata kritike në veri të Kosovës në këndvështrimin e analistit Sokol Shameti, i ftuar në edicionin e pasdites në SYRI TV nga gazetarja Armela Ferko.

SYRI TV, Armela Ferko: Z. Shameti, çfarë po ndodh, si erdhi kjo situatë në Kosovë?

Sokol Shameti: Kjo është një situatë ku është mbërritur jo para një jave apo një muaji, por zanafillën e vet e ka verën e vitit që shkoi, kur për herë të parë një qeveri e Kosovës filloi të zbatojë në mënyrë aktive reciprocitetin. Jo vetëm reciprocitetin, por të zbatojë marrëveshjet e nënshkruara prej shumë vitesh që flinin në sirtar, si ajo për energjinë, më pas ajo për targat e kështu me radhë.

Çfarë ndodhi?! Në momentin e parë që qeveria e Kosovës filloi të bënte këtë, u përball në mënyrë të menjëhershme nga reagime të dhunshme, të serbëve lokalë të instrumentalizuar prej Beogradit dhe të mbështetur nga Beogradi në formën e presioneve nga më të ndryshme, duke filluar nga kërcënimet verbale e deri te dislokime trupash, si në rastin e fundit, ngritje avionësh etj etj.

Në disa raste pati madje edhe lapsuse të atilla si shfaqje të ambasadorit rus, si për të treguar në njëfarë mënyre se kush është dora që e lëviz “kukullën” ose “teatrin e kukullave” që zhvillohet poshtë në terren.  Kështu që ajo që po ndodh kësaj radhe, në optikën time nuk ka asnjë dallim prej atyre që kanë ndodhur në mënyrë periodike prej verës së shkuar. Ne periodikisht kemi qëeë në studio ose në raste të tjera e kemi thënë në të gjitha rastet “si arritëm këtu, çfarë është kjo krizë, çfarë është kjo gjë e paprecedentë?!”

Kjo nuk është e paprecedentë. Ne duhet të heqim dorë nga ky lloj terminologjie. Kjo është e precedentë, kjo po bëhet e përsëritur dhe kjo është një mënyrë se si unë mendoj se si është ndërtuar konstrukti i shoqërisë serbe, i qeverisë serbe dhe i serbëve lokalë atje; pra, një mënyrë papranueshmërie, papajtueshmërie me gjithçka që nuk vjen nga autoriteti i tyre, nga Serbia dhe në një mënyrë tjetër, paksa më taktike është ajo që qeveria e Kosovës po bën për ta ekspozuar në sytë e faktorit ndërkombëtar, të opinionit publik këtë realitet, që është realiteti i serbëve, të cilët nuk pranojnë në asnjë lloj rrethane, edhe pasi kanë kryer genocid, edhe pse kanë bërë njëmijë e një të zeza në të gjithë rajonin e Ballkanit, që të qeverisen nga dikush tjetër që nuk është serb.

Pra, kushdo tjetër në Ballkan mund të qeveriset nga të tjerët, ka pakica greke në Shqipëri që qeverisen nga shqiptarët, ka pakica shqiptare që qeverisen nga maqedonasit, ka pakica maqedonase që qeverisen nga serbët etj...po serbët jo! Serbët janë unikë! Nuk pranojnë të qeverisen nga dikush tjetër që nuk është serb. Kjo është e vërteta e asaj që po ndodh, kjo po ekspozohet që prej verës së kaluar deri në ditët tona.

Armela Ferko: Askush nuk ka dyshime mbi legjitimitetin e qeverisë së Kosovës, por pikëpyetja apo kritika që është ngritur vazhdimisht,  a ishte a mundur të shmangej për shkak të një “momentumi”?

Sokol Shameti: Më lejo të të rikujtoj që në të gjitha rastet e mëparshme, duke filluar nga vendosja e një rregullsie për pagesën e energjisë në veri të Kosovës, targat etj etj. gjithë kohës është thënë “ndoshta nuk është ky momentumi, ta shtyjmë dhe pak”.

Gjithmonë ka ndodhur që sado ta shtysh, prapë serbët nuk e pranojnë. Nuk e pranojnë. Zgjedhjet në veri u shtynë, qeveria e Kosovës është treguar e dëgjueshme. Ia kanë kërkuar t’i shtyjë, i ka shtyrë sa herë i kanë thënë që ta shtyjë, por në fund të fundit ajo është një qeveri serioze. Ne nuk duhet të bëhemi qesharakë. Patjetër që është qëndrimi i atyre që e vënë në diskutim, legjitimitetin e zgjedhjeve në veri të Kosovës, këta janë Serbia shprehimisht, serbët lokalë të instrumentalizuar prej saj. Këta janë ata që nuk i njohin këto zgjedhje, “janë ilegjitime, janë zgjedhje kontenierësh” etj etj. kanë bërë gjithçka që ta obstruksionojnë zhvillimin e zgjedhjeve e gjithçka tjetër dhe qëndrimi i tyre i dhunshëm , kundërshtues, ndaj rezultatit të zgjedhjeve është i kuptueshëm, sepse ata e kanë vënë në pikëpëytje legjitimitetin, nuk e pranojnë legjitimitetin e zgjedhjeve.

Problematike në këtë në fakt është vendosja në pikëpyetje e rezultatit të zgjedhjeve dhe zbatimi i tyre nga ata që i quajnë legjitime këto zgjedhje, ku futet faktori ndërkombëtar, QUINT-i, edhe Republika e Shqipërisë po të doni dhe gjithë të tjerët. Pra, ose zgjedhjet nuk janë legjitime dhe për këtë arsye nuk duhet imponuar vullneti i tyre në mënyrë të dhunshme, ose zgjedhjet janë legjitime dhe kundërshtimi i dhunshëm që i bëhet zbatimit të rezultatit të tyre është ai që duhet dënuar, jo aplikimi i tyre.

Armela Ferko: Sigurisht që reagimi i SHBA ka qenë më i forti i bërë ndonjëherë në drejtim të Kosovës, gjithmonë në këndvështrimin tim. Ku është parë gabimi i qeverisë së Kosovës?

Sokol Shameti: Më lejoni të bëj përsëri një udhëtim në kohë deri vitin e kaluar ku sa herë që qeveria e Kosovës ka tentuar të zbatojë ligjin, ajo është një qeveri serioze në këndvështrimin tim, që e trajton shtetin në mënyrë serioze,  gjithmonë ka pasur një reagim nga SHBA, i cili është interpretuar nga “ndërmjëtësuesit” tanë, që janë gazetarët, portalet etj. etj. sikur ky është fundi, “reagimi më i ashpër”.

Mund t’ju sjell reagimet që SHBA bën ndaj Izraelit. Izraelit, që është një aleat i padiskutueshëm, shumëfish më të ashpra, por çfarë?! Lëviz kjo diçka në marrëdhëniet e SHBA me Izraelin si aleat kyç?! Sigurisht jo. Izraeli nuk krahasohet me Kosovën, por po ta marrësh atë që po ndodh, po gjej referencë.  Në njëfarë mënyre: Yti ta thotë fjalën e ashpër, sepse është yti, ia lejon vetes dhe ka mundësinë që ta bëjë këtë dhe ka mundësin që të mos marrësh për keq. Ka pasur shpesh qëndrime të ashpra të SHBA dhe ndaj Ukrainës. Edhe ndaj Ukrainës, që është në luftë sot me Rusinë, ka pasur, për kokëfortësi, instrasigjencë etj etj. të zyrtarëve të ndryshëm atje, të të gjitha niveleve, por kjo nuk do të thotë se Amerika e ka braktisur Ukrainën!

Unë mendoj se qeveria e Kosovës nuk ka bërë ndonjë lëvizje të gabuar. Mendoj se edhe momentumi që qeveria e Kosovës ka zgjedhur për ta bërë këtë lëvizje që është thjesht zbatimi i ligjit, pavarësisht se trumbetohet sikur është kryer pa dakortësinë, pa sinkronizim me partnerët etj etj, nuk është ekzaktësisht kështu..

Nuk ma do mendja dhe nuk mendoj se vepron qeveria e Kosovës dhe asnjë qeveri tjetër, të paktën në vendet që janë të rreshtuara me Perëndimin ( sepse gjithsesi ka një rreshtim Lindje-Perëndim), nuk mendoj se vepron kështu.

Po edhe sikur të vepronte një qeveri si ajo e Kosovës pa u sinkronizuar me perëndimorët, nk ndodh që të penetrimi i informacionit që kanë ata te ke, t’i kapë ata të papërgatitur nga veprimi ose aksioni i një qeverie. Nuk ndodh që një qeveri të planifikojë të bëjë diçka këtu dhe partnerët tanë mos e dinë, me dashjen tonë ose pa dashjen tonë.  Unë mendoj se deklaratat, përveçse thonë atë që thonë, atë që ne lexojmë, deklaratat diplomatike që vijnë nga subjektet, zbatuesit e demokracisë, Departamenti i Shtetit, ministritë e Jashtme  etj. thonë shumë edhe nëpërmjet asaj që nuk thonë.

Unë kam lexuar faktin që SHBA, Perëndimi, është i interesuar në këtë moment që Serbia të shkëpusë orientimin e saj prorus, që në Serbi ajo që është duke ndodhur, Vuçiç po jep dorëheqjen si kryetar i partisë po ndërkohë është duke krijuar një strukturë mbipartiake që centrifugon me disa forca nacionaliste, ku ai do të jetë supervizori i tyre, në një farë mënyrë po e zgjeron dhe po e radikalizon bazën politike të tij – pra, Perëndimi në një farë mënyre është duke i treguar Serbisë se nuk është  dhe aq keq nëse nuk e bën këtë, nëse nuk vazhdon në këtë drejtim, pavarësisht se Serbia nuk po dëgjon.

Ata sot kanë vizatuar shenjën e ushtrisë së Putinit mbi mjetet e KFOR-it  amerikan. Ata i janë kundër përgjigjur Goran Rakiçit,që kërkonte thjesht të hapte rrugën për një autoblindë që “ti je tradhtar”.

Në një farë mënyrë, aty nuk është vetëm Serbia ajo që është faktori ndikues, influencues tek Serbët e Kosovës  ka dhe aktorë të tjerë përtej Serbisë.

Perëndimi po bën çmos në mënyrë të butë shpesh duke e trashur zërin ndaj atij qe ka të vetin që është Kosova në këtë rast,  për të treguar që shiko, eja në anën e e ndritshme të llogores. Kjo është ajo që po ndodh. Po nuk shtrohet ajo që SHBA do ta braktisin Kosovën. Kosova është investim edhe i Shteteve të Bashkuara. Nuk jam nga ata që thonë është ekskluzivisht i SHBA-së, sepse edhe shqiptarët kanë....Mund të duket qesharake për disa se kanë ndërtuar një narrativë, po shqiptarët kanë derdhur gjakun, pavarësisht se amerikanët derdhur dollarët.  Po gjaku ka çmim më të lartë se dollarët. Kështu që Kosova është investim edhe i SHBA, edhe i Perëndimit, edhe nuk ma do mendja mua se investime të tilla, mjafton nën deklaratë apo veprim i qeverisë së Kosovë për t’i shumëzuar me zero dhe për ta shitur./ar.sh/SYRI.NET

Ndiqni intervistën e plotë të z. Sokol Shameti në SYRI TV

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco