Lajmi i fundit

Tragjedia në Shkodër/ Gjendet edhe trupi i djalit 3 vjeç në lumin Buna

Matematika therëse mbi patriotizmin e përdëlluar të një kryeministri

Matematika therëse mbi patriotizmin e përdëlluar të një kryeministri

Nga Sonila Meço - 26/04/2024

Qẽ ta kuptojmë një herë e mirë, se po mallëngjehemi me gjithsej për këtë mbrojtjen me thonj e maraz, që po i bën kryeministri Shqipërisë nga ‘aguridhët’ e Rai3, sipas tij të mashtruar nga ‘plehrat e nxjerra nga kuzhina e shtëpisë së xhahilëve e çingijeve të vendit tonë’. Ore a ia hëngrën shpirtin ku lexonte njëlloj si sot të ‘nxihej’ Shqipëria nga:

Thagmat e raportit të Departamentit të Shtetit:

‘Shqipëria ka një sektor të madh informal dhe aktivitete të pastrimit të parave. Task Forca e Veprimit Financiar për Pastrimin e Parave (FATF) e përfshiu Shqipërinë në listën e saj gri në vitin 2020 dhe vendi vazhdon të jetë në listën për vitin 2023 për shkak të mangësive strategjike në adresimin e shqetësimeve të pastrimit të parave. Komuniteti i biznesit raporton se fluksi i madh i të ardhurave të paligjshme nga trafiku i drogës, kontrabanda, evazioni fiskal dhe korrupsioni shtrembëron konkurrencën në treg,’

Ai iu përvesh me të njëjtën vendosmëri si sot kryeministri: ‘Të mbarojmë njëherë punë me ata andej dhe të thuhet e gjithë vërteta në italisht, pastaj patjetër do t’u vijë radha edhe këtyre këtej, se kjo histori nuk është fare aq e thjeshtë sa duket dhe shqiptarët padiskutim meritojnë ta dinë të gjithën, sapo të tëra petët e këtij lakrori me plehra të jenë hapur deri në fund.’, edhe drejtuesve të World Drug Report, kur raporti mbi tregun botëror të drogës i publikuar nga Zyra e OKB-së për Drogën dhe Krimet, konfirmoi se:

‘Shqipëria është vend-tranziti kryesor për të gjitha drogat, përfshirë edhe ato që vijnë nga Amerika e Jugut.’

A vloi gjaku dhe revolta e kryeministrit për ‘denigrimet’ e Shqipërisë nga Radio France Internationale, media shtetërore franceze, që shkruante ndoca kohë më parë se:

‘Për një kohë shumë të gjatë, ambasadat perëndimore në Tiranë kanë mbyllur sytë, megjithëse Shqipëria për disa vjet ka negociuar anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Në të vërtetë, ata nuk duan të vënë në vështirësi Edi Ramën, i vlerësuar shumë nga prania e fjalimeve të tij proeuropiane dhe perceptuar si garant i stabilitetit të Shqipërisë dhe Ballkanit. Megjithatë, shkalla e fenomenit e bën këtë pozitë të papërshtatshme. Raportet e Guardia di Finanza, policia doganore italiane, janë shpërthyese, si dhe studimet më konfidenciale të kryera nga policitë dhe shërbimet sekrete të vendeve të ndryshme europiane.’

A ka patur revoltë kryeministri për cënimin e dinjitetit të Shqipërisë kur DASH para 4 ditësh në raportin e vet citonte OSBE-ODIHR se:

‘Raporti përfundimtar i Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të ODIHR-it për zgjedhjet e majit identifikoi raste të keqpërdorimit të burimeve shtetërore në nivel qendror dhe vendor, pretendime për presion ndaj punonjësve të sektorit publik dhe votuesve, si dhe akuza për blerje votash’

‘Instituti Shqiptar i Studimeve Politike raportoi se individët që kritikuan publikisht qeverinë dhe politikanët kryesorë u përballën me fushata shpifëse nga mbështetësit e qeverisë dhe udhëheqësit politikë’

A e bëri të njëjtën pyetje kryeministri si sot ‘kush do të flasë në emër të dinjitetit të këtij vendi e të së drejtës elementare të çdo shqiptari (qoftë edhe të shqiptarit më të keq, që nuk është fare rasti), për të mos u denigruar publikisht nëpër botë pa i dhënë as mundësinë të mbrohet?’, dje kur Freedom House shkruante:

‘Duke qenë se kontratat e prokurimit publik shtrihen deri në 30 vjet, llogaritet se shkeljet u kanë kushtuar taksapaguesve shqiptarë rreth 50 milionë euro. Shuma e saktë e parave të keqpërdorura të taksapaguesve mund të mos dihet kurrë, duke e bërë këtë skandal prokurimi një nga çështjet më të rënda politike në vend’

A foli me pathos kryeministri dje siç flet sot për të zhbërë dëmin ‘ndaj krenarisë legjitime të çdo shqiptari për Shqipërinë’, kur transmetuesi publik gjerman ZDF, nẽ reportazhin me titull ‘Drogë, armë dhe nder i cenuar: Shqipëria, një narko-shtet’ do të pohonte se:

‘Shteti është jashtëzakonisht i dobët dhe nuk u ofron të rinjve asnjë perspektivë. Një sondazh i fundit nga Fondacioni ‘Friedrich Ebert’ konfirmoi se dy të tretat e të rinjve ende e shohin të ardhmen e tyre jashtë vendit. Për sa kohë që biznesi i paligjshëm i drogës rritet, mafia shqiptare do të bëjë gjithçka për të siguruar dhe zgjeruar zotërimet e saj. Natyrisht, gjithmonë lind pyetja shqetësuese nëse një kontrabandë e tillë, siç është mbjellja e marijuanës është e mundur të bëhet pa pjesëmarrjen apo tolerimin e politikës.’

A këmbënguli si sot me forcë kryeministri ‘Prandaj as që nuk më shkon ndërmend të mbyll gojën deri kur e vërteta shqiptare të thuhet e plotë’ edhe dje ku Athenian Times shkruante se:

‘Shqipëria është e para, ose ndër të parat, në Evropë për drogën. Është krijuar një rreth i ngushtë midis biznesmenëve, policisë, gjyqësorit dhe vetë qeverisë shqiptare. Nuk është rastësi që kundërshtarët politikë të Edi Ramës e kanë përshkruar atë si Pablo Escobar të Shqipërisë dhe vendi tani konsiderohet si ‘Kolumbia e Evropës’. Fondi Monetar Ndërkombëtar e quan një ‘shtet droge’, nën kategorinë e një shteti në të cilin të gjitha institucionet ligjore drejtohen nga pasuria dhe trafikimi i paligjshëm i drogës, duke përcaktuar kontrollet dhe operacionet e tyre bazuar në nevojat e parashikuara të këtyre rrjeteve.’

A arsyetoi me të njëjtin mllef e këmbëngulje kryeministri si sot: ‘kam guxuar të ngre zërin andej matanë për t’u vënë emrin që kanë plehrave të shitura në Itali si zbulime investigative’, kur dje  Vincenzo Musacchio, President i Osservatorio Antimafia në Rajonin Molise shkruante publikisht:

‘Mafia emergjente evropiane është ajo shqiptare, e fortë, e egër dhe e lidhur pothuajse kudo me mafiet autoktone të territoreve ku futet. Bashkëpunimet kriminale janë të vazhdueshme me të gjitha grupet mafioze (Ndrangheta, Cosa Nostra, Camorra, mafia Puljeze) siç e vërteton menaxhimi i drogës në rrugë, që në 80% i jepet kriminalitetit vendas nga klanet shqiptare. Kriminaliteti shqiptar po ristrukturohet në formë të organizuar dhe askush nuk duket se di si t’i përgjigjet këtij mutacioni që nëse shkon deri në fund mund ta bëjë Shqipërinë një narko-shtet të vërtetë sipas modelit amerikanojugor.’

Pra, Shqipëria u denigrua veç nga ‘Report’ i Rai3 dhe zjarri patriotik i kryeministrit nuk e duroi dot? Çfarë kish më shumë se gjetjet e mësipërme reportazhi i Rai3? Matematika elementare është më zonjë se patriotizmi në këtë rast, ajo na e zbulon thjeshtë: 2-1=1.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco