Erion Veliaj u vetëvra…vite më parë

Erion Veliaj u vetëvra…vite më parë

Nga Arben Rrozhani - 03/05/2024

Erion Veliaj sot mund të ndjehet i tradhëtuar dhe i zhgënjyer prej të gjithëve nga ata të partisë, bashkisë, apo mbështetësit e tij të djeshëm dhe të sotëm.

Ato 8 orë brenda ndërtesës së SPAK-ut edhe mundet të mos e çojnë në qeli, siç duan shumë, por kjo nuk kthen mbrapsht orën e kurdisur ndaj kreut të bashkisë së Tiranës: ai ka vdekur politikisht dhe nuk e ka vrarë njeri. Thjesht vrau veten nga babëzia, makutëria, pangopësia, që edhe pse janë shumë njerëzore, sërish janë të dënueshme.

Dhe për këtë nuk i ka fajin askush, edhe pse nuk i mungoi përkrahja nga idealistët e shumtë dhe interesanxhinjtë në media, shoqëri civile dhe opozitë që e mbështesën në fillimet e tij të aktivizimit kur merrte bidonin 10 litrosh me ujë për të protestuar kundër bashkisë së drejtuar nga Edi Rama për mungesën e ujit të pijshëm në Tiranën e vitit 2003, apo kur vishte vajzat e “Mjaft”-it si nuse për të ironizuar Xhoana Nanon dhe me këtë edhe bashkëshortin e saj kryeministër.

Erion Veliaj e vrau veten politikisht dhe moralisht kur nisi të përhapë legjendën se ishte njeriu i duhur i punës pse kishte shitur fiq që fëmijë i njomë, apo se kishte kaluar malin për të vajtur si emigrant në Greqi; kur tha se dasmën luksoze në kalanë e Gjirokastrës e bëri me paratë e veta dhe jo me ato të shtetit, me të cilat u ndërtua gjithçka; kur pafytyrësisht u deklaroi panelistëve dhe shqiptarëve që e ndiqnin se do të kishte zero ndërtime në qendër të kryeqytetit dhe pas 9 viteve Tirana është bërë xhungla e kullave; kur u premtoi banorëve dhe bizneseve se po e rriste çmimin e ujit me 40 për qind, por ama do të kishin ujë 24 orë brenda mandatit të dytë të tij dhe kur pas 8 viteve ka më pak ujë, ai nuk pihet dhe UKT-ja e drejtorit të arrestuar është ndërmarrja e bizneseve të fëlliqta dhe punësimeve politike; kur investoi gjithçka politike dhe financiare për të mbuluar vdekjen makabre më 7 gusht 2016, të 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj, në landfillin e Sharrës, ku i mituri kishte shkuar të punonte në ndërmarrjen në varësi të bashkisë, për të siguruar paratë për të blerë librat e maturës dhe, kryebashkiaku, në vend që të dorëhiqej si përgjegjës moral, bleu prokurorin e Tiranës dhe doli i palaguar; kur vendosi me dhunë taksën antiligjore për arsimin, tagër vetëm i Kuvendit dhe qeverisë, në emër të ndërtimit të shkollave të reja që edhe pas 8 viteve nuk janë, apo ato që u bënë u blenë sa frëngu pulën; kur si për ta vërtetur epitetin e “gojështhururit” Berisha që i thërriste “Lal Plehu” i hapi rrugë, me firmë dhe me vulë, biznesit kriminal të inceneratorit që nuk ekziston, projektit 430 milionë euro që ka infektuar financat dhe shëndetin e banorëve dhe bizneseve të 5 bashkive të qarkut të Tiranës, që janë të detyruar të çojnë dherat dhe inertet te biznesi që sot është objekt i drejtësisë, me plehrat që kutërbojnë nga Tirana në Kavajë; kur me fondet e bashkisë dhe asetet e saj gostiti pronarët e mediave për t’i bërë hosanna, edhe kur ishte kapur në krim dhe korrupsion siç po ndodh këto ditë të zeza për të; kur hodhi paranë lumë, mbi 2 miliardë lekë në vit në emër të të ashtuquajturit promocion të Tiranës për të blerë shoqërinë civile, politikanë, kritikë e opozitarë, këngëtarë dhe çingije që të çonin lart e më lart yllin e “Lalit” që mezi e kemi; kur me bekimin e Ramës e mbështeti funksionimin e partisë dhe fitoren e saj në zgjedhje te sistemi i partonazhistëve, fuksave të qelbur që thamë se na kishin lënë shëndenë me sistemin e kaluar, dhe i ngriti ata në piedestal si kontribuesit kryesorë të fitores politike; kur, duke eleminuar tenderat dhe garat, duke bërë privatin shtet dhe shtetin në shërbim të privatit, punët publike u rrëmbyen nga kompania e drejtorëve të tij, për të shpikur modelin e padëgjuar të 100 përqindëshit të marrjes së fondeve publike; kur për të rrëmbyer troje dhe fonde rindërtimi, qindra familje nga 5 Maji në Kombinat u përzunë nga shtëpitë e tyre, e vetmja pasuri e krijuar me gjak dhe sakrifica për t’u hapur rrugë projekteve të bizneseve që sot duheshin mbyllur si “5D”, apo “Tirana D.C.”; kur në 04.30 të mëngjesit të 17 majit 2020 ndërtesa ikonë e Teatrit Kombëtar u shkatërrua me dhunë dhe zjarr, aktivistët dhe opozitarët u morën zvarrë dhe u çuan në qeli, ndërsa ai ia linte përgjegjësinë këshillit Bashkiak dhe sot pas 4 viteve, ka çuar dy vinça sa për të thënë se po ndërtohet teatri i ri, por ama pas tij do të jetë kulla e parë e oligarkut Fusha e kështu me radhë; kur çdo zë kritik në media apo shoqëri civile që tregonte lidhjet dhe implikimin e tij u sulmua personalisht prej tij, apo bandës së agjit-propit në bashki si “vrasës me pagesë”.

Partia Socialiste, ndryshe nga rasti pararendës i “princit” të Rilindjes, Saimir Tahiri, në vitin 2018, për të cilin organizoi edhe tubime të përmallshme popullore, sot nuk ndjehet dhe zyrtarët e saj thonë se ia kanë lënë këtë çështje drejtësisë. Një provë më shumë për vdekjen politike të “princit” tjetër të Rilindjes që ishte projektuar për t’u parë në krye të qeverisë së Shqipërisë.

Vdekje politike që na ka kushtuar edhe ne që sot mallkojmë veten, pse harxhuam vite pune dhe jete, kur naivisht besuam te një i ri, që projektin Shqipërisë së ndërtuar prej një klase të re dhe me mendësi të reja politike e çoi në Sharrë, afë inceneratorit të vjedhur, në varreza.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco