Aksidenti i mori jetën 2 vajzave/ Shoferi me precedentë, një vit më parë u plagos

Aksidenti i mori jetën 2 vajzave/ Shoferi me precedentë, një vit më parë u plagos

13:22, 28/11/2022
A+ Aa A-

Një aksident tragjik në orët e para të mëngjesit të djeshëm në autostradën Tiranë-Durrës u mori jetën dy vajzave dhe la të plagosur rëndë drejtuesin e mjetit.

Në njoftimin e saj, Policia e Durrësit sqaroi se drejtuesi i automjetit, 26- vjeçari Arbër Tivari, ka humbur kontrollit e makinës duke u përplasur me trafikndarësen, përplasje e cila ishte fatale për dy pasagjeret e mjetit.

Ende nuk dihet se pse të rinjtë ishin në udhëtim rreth orës 02:00 të mëngjesit të së dielës.

“Në orët e para të mëngjesit në autostradën Durrës-Tiranë, shtetasi A. T., 26 vjeç, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për pasojë automjeti është përplasur me trafikndarësen. Si pasojë e përplasjes kanë humbur jetën dy pasagjeret shtetasja S. Gj., 26 vjeçe, dhe pasagjerja tjetër ende e paidentifikuar që ndodheshin në automjet. Ndërsa shtetasi A. T, është transportuar në spital në gjendje të rëndë. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit dhe identifikimin e shtetases tjetër që humbi jetën”, tha Policia e Durrësit në njoftimin paraprake.

Kush janë viktimat

Pak orë pas përplasjes tragjike, Policia identifikoi dy viktimat e aksidentit. Ato janë Silva Gjergji, 26 vjeçe dhe Roxhesa Klironomi, 24 vjeçe, pasagjere në automjetin që drejtohej nga 26-vjeçari, Arbër Tivari. Ata kishin darkuar mbrëmjen e së shtunës në qytetin e Durrësit dhe po ktheheshin në Tiranë rreth orës 02:00 të mëngjesit. Pas përplasjes fatale, i riu është transportuar për në Spitalin e Traumës në Tiranë në gjendje të rënduar shëndetësore.

Aksidenti dyshohet të ketë ndodhur për shkak të shpejtësisë së lartë me të cilën udhëtonte 26-vjeçari. Për pasojë, ai ka humbur kontrollin e makinës, duke u përplasur furishëm për bordurat anësore të rrugës. Përplasja ka qenë fatale për dy pasagjeret. Ende nuk dihet nëse i riu kishte konsumuar alkool në momentin e aksidentit apo ishte nën efektin e lëndëve narkotike. Si viktimat ashtu edhe 26-vjeçari i plagosur do t’u nënshtrohen analizave dhe ekzaminimeve mjekoligjore për të zbuluar nëse kishin konsumuar lëndë të ndaluara.

Arbër Tivari nuk është emër i panjohur për Policinë e Durrësit, pasi rreth një vit më parë përfundoi në spital me plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit. Ngjarja ndodhi më 22 mars 2021, kur Tivari mbeti i plagosur me armë zjarri pas përplasjes së makinës me një tjetër person. Përveç Tivarit që u arrestua, policia shpalli në kërkim Ardit Buçpapajn. Në atë kohë, pati dyshime se dy të rinjtë shpërndanin lëndë narkotike në qytetin bregdetar. Policia ushtroi kontrolle në banesën e Tivarit, duke zbuluar armë dhe municione luftarake. Tivari është arrestuar të paktën tre herë nga policia lokale, ndërsa njihet si person problematik në qytetin bregdetar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco