Kriminelët në dy kohë: - Para dhe gjatë Rilindjes!

Kriminelët në dy kohë: - Para dhe gjatë Rilindjes!

Nga Enver Bytyçi - 19/05/2024

Para Rilindjes kishim kriminelë, por ata ishin frikacakë, fshiheshin, nuk bënin të fortin në mexhelis. Me Rilindjen kemi tashmë kriminelë trima. Nuk ua bën syri tërr as nga policia, as nga ligji. Janë kriminelë legalë. Të pandëshkueshëm. Madje me imunitet deputeti, kryetari bashkie, ministri e kryeministri.

Para Rilindjes kriminelët u përpoqën të bëhen njësh me politikën që mund të fitonte zgjedhjet. Më kujtohet i ndjeri Sokol Olldashi. Grupet kriminale të Shijakut u ndanë më 2005-ën në dysh. Ishin një, u bënë dy. Kur ishin një mbështesnin deputetin e majtë në atë zonë. Kur panë që Koli do ta merrte mandatin, atëherë një pjesë e bandës u duk se po punonte për atë.

Por ç'ndodhi? Sapo Sokol Olldashi u bë ministër i brendshëm i mori me fshesë të gjithë kriminelët e të dy pjesëve. Nuk pranoi të bëhet palë me ta. Goditi brenda vitit 40 banda kriminale të rritura në vezët e pararilindasve të Fatos Nanos.

Në periudhën e Rilindjes, kreu i saj mori një qiri në dorë dhe kërkoi në çdo skutë për të zbuluar se cilët ishin kriminelët. Cilët ishin kapot e bandave dhe pjesëtarët më me ndikim të tyre. I mori ata në çetën e vet të Rilindjes. I bëri deputetë, kryetarë bashkie, ministra, drejtorë e gjithçka çfarë ata donin të bëheshin. U dha imunitet. U dha makina shtetërore me targa ministrash. U dha gjithashtu tabela "Policia", për t'i vënë në xhamin e makinës. Dhe të gjitha këto lloj imunitetesh ishin me qëllim të kryenin lirshëm veprat kriminale, sidomos në trafikun e lëndëve narkotike.

Në kohën e paraRilindjes janë bërë kontrolle në banesat e bandave kriminale. Por shumat e parave që janë gjetur ishin disa dhjetëra mijëra euro. Në kohën e fundit të Rilindjes janë mbushur tubat e aspiratorëve me euro, dollarë e stoli floriri. Madje në aspiratorët e shtëpive të pastrueseve. Një krimineli dje iu gjetën 3 milion euro kesh. Krejt rastësisht! Sepse shefi i krimeve në polici kishte harruar ta njoftonte "të shkretin" se do kontrollohej shtëpia e tij.

Gjatë periudhës para Rilindjes euroja ishte e qëndrueshme. Kurrë nuk shkoi në disbalancën që është krijuar sot me rilindasit. Edhe çmimet e banesave ishin deri diku të qëndrueshme dhe përafruar me çmimet e tregut. Sot nuk ka më ekuilibër në vlerën e valutave. Nuk ka logjikë aritmetike dhe as metafizike të çmimeve të banesave. Sepse një kriminel i rëndomtë mban kesh 3 milion euro në banesën e tij. Ku do t'i çojë ai kaq shumë para? Do blejë 30 banesa me qëllim që t'i pastrojë ato?!

Pra është shteti i Rilindjes që bashkëpunon me mafien dhe krimin, me bandat dhe grupet mafioze, ndaj dhe euro bie pikiatë dhe çmimet e apartamenteve shkojnë në stratosferë!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco