Presidenti Nishani uron Thaçin me rastin e 9-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës Nga pritja e Thaçit në Tiranë

Presidenti Nishani uron Thaçin me rastin e 9-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës

10:04, 17/02/2017
A+ Aa A-

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani i ka dërguar një mesazh urimi Presidentit  të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi për 9 vjetorin e Pavarësisë së shtetit.

Në mesazh shkruhet:
 

I nderuar Zoti President,

 
Me rastin e 9-vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, kam kënaqësinë e veçantë që, në emrin tim dhe të popullit shqiptar, të përcjell urimet më të përzemërta e vëllazërore, për Ju dhe të gjithë shtetasit e Kosovës.
 
Përfitoj nga rasti të përshëndes gjithashtu, të gjitha arritjet e deritanishme të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj për ndërtimin e shtetit të pavarur dhe funksional të Kosovës, si dhe kontributin e rëndësishëm të dhënë në funksion të paqes, sigurisë dhe zhvillimit të rajonit. Jam i bindur se falë këtij progresi, por edhe mbështetjes domethënëse të partnerëve, Kosova shumë shpejt do të bëhet anëtare aktive e organizatave më të rëndësishme ndërkombëtare, si dhe do të avancojë krahas vendeve të tjera të rajonit, në agjendën e saj evropiane.
 
Marrëdhëniet ndërshtetërore mes Shqipërisë dhe Kosovës, janë shumë të veçanta dhe të një rëndësie thelbësore, si për të ardhmen e kombit shqiptar ashtu edhe për stabilitetin dhe përparimin e rajonit. Ndaj dhe ju siguroj se Shqipëria, bazuar në frymën dhe vizionin evropian e euroatlantik, do të jetë gjithnjë në krah të Kosovës në rrugën e saj të zhvillimit dhe do ta mbështesë pa asnjë rezervë në ruajtjen e pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit shtetëror.
 
Me urimet më të mira e vëllazërore në këtë ditë të shënuar, ju lutem pranoni, Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco