‘Edvin, paç shëndet se burg i gjatë të pret’

‘Edvin, paç shëndet se burg i gjatë të pret’

Nga Agim Xhafka - 26/04/2024

Nuk është fjala për akuzën e Kontrollit të Lartë të Shtetit për dëmin 1 miliard euro në vit që kjo qeveri i shkakton Shqipërisë. Se po bëhen 12 vite që këtë institucion, Rilindja nuk e pjerdh fare. As për shpenzimet marramendëse të kryeministrit që sillet me lekët e buxhetit si një shah i fushave naftëmbajtëse që burojnë të ardhura. Nuk e kemi fjalën as për lumin e tenderave me çmime stratosferike. Që janë për Guinness kostot e autostradave p.sh. Ej, kapëm si shtet 24 milionë euro/km. Jo që nuk na afrohet kush, por gjithë shtetet për rreth e më gjerë na shohin me “zili”. Edhe në ëndrrat e tyre më të guximshme nuk u afrohet ky çmim. Po i lemë mënjanë dhe vjedhjet e morisë së ministrave, drejtorëve, aparatçikëve. Ka hyrë në administratë si metodologji, vidhni, por mos lini shumë gjurmë. E prapë them se nuk e kam fjalën për kaq e kaq grabitje. Këto Rama i quan dardha, kumbulla e mollë, që hahen pas kurrizit të tij. Pra ai që do kapet do shkapet në ca vite burg e pasurinë do e gëzojë. Askush nuk do e ngacmojë.

Sot në republikë kanë ndodhur dy gjëma të mëdha që nesër do e çojnë në burg Ramën me dënimin jo një jetë, por disa. E ja cilat janë.

1-Në shtetin tonë qeveria rilindase ka dëmtuar thelbin e sistemit. Ka zhdukur KONKURRENCËN. Buxheti harxhohet për miq e shokë, me tendera të paravendosur dhe me çmime të larta. As që bëhet fjalë të ketë garë,të ketë kursim fondesh e cilësi investimesh. Gropën konkurrencës ia bënë PPP-të dhe e varrosën ligjet e personalizuara.

2-Në shtetin e këtyre 12 viteve, KUSHTETUTA është bërë si ato kanatieret me vrima që prodhonte Trikotazhi i Korçës. Ndreqen e shtohen nene që ndërtohen për të mbrojtur grabitjet dhe dëmet që duken ashiqare. Me qëllimin që nesër të deklarohet, vepruam sipas ligjeve.

Shqipëria sot për sot ndodhet në një klimë sociale si ai i viteve ‘90. Me një varfëri të skajshme dhe me një grup që pasurohet në kurriz të mjerimit të dhimbshëm. Ndaj presioni vdekjeprurës i ekonomisë zbrazet tek eksodi masiv. Por jo për shumë kohë. Ka arritur gjendja në atë pikë që thuajse po ngelen veç moshat e treta në vend. E pas kësaj do nisë kërkesa e llogarisë. Do nisë të shfaqet pa frikë dhe me rebelizëm shqiptar. Se valvula nuk e duron më trysninë,do shpërthejë e do kërkojë së pari llogari. Llogari për abuzimet,për vjedhjet, grabitjet, zhvatjet, tjetërsimet, manipulimet. Një vargmal me fakte, me dëshmitarë. Një Nuremberg që do nisë me Ramën. Do nisë nga burimi i kësaj të keqeje dramatike që po tret buxhetin dhe pasurinë e vendit. Njerëzit nuk do jenë shumë kuriozë. Nuk do presin Bild apo RAI3 të mësojnë marifetet e marifetçinjve. Se i dinë në majë të gishtave gjithë faktet. Se provuan në kurriz të tyre keqen. Por ia vlen të luten. Çdo ditë e pa pushim të luten:

-Edvin, paç shëndet! Paç shëndet se burg i gjatë të pret!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco