A do e pranojë Perendimi një qeveri me 'non grata'?

A do e pranojë Perendimi një qeveri me 'non grata'?

Nga Genc Burimi - 02/05/2024

Ndryshimet e fundit në qeverinë serbe me integrimin brenda radhëve të saj të dy figurave ‘non grata’ dhe pasiviteti i Perëndimit, të paktën për momentin, është momenti i volitshëm i hapjes së një debati në Shqipëri.

Fabula se Perëndimi nuk mund të mbajë marrëdhënie me qeveri ‘non grata’ iu shit shqiptarëve për tre vjet nga dyshja Rama-Basha. Shpallja ‘non grata’ e Berishës nga amerikanët në maj të 2021, u shërbente të dyve për ta larguar Berishën nga opozita dhe madje nga politika. Rama do të përjetësonte në këtë mënyrë pushtetin e tij, dhe Basha do të bëhej i pari i fshatit, lider i opozitës, në pamundesi për t’u bere një ditë i pari i qytetit, kryeministër.

Por, kur Berisha tregoi me turneun e Foltores se i kishin bërë hesapet pa hanxhi të gjithë ata që e kishin varrosur politikisht para kohe, një refren i ri u kompozua nga dyshja Rama-Basha, të cilëve iu bashkua edhe ish-amabasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim.

Përballe aftësisë impresionuese të Berishës për të bashkuar shumicën e militanteve të PD-së, njerëz rreth tij, që nga turneu i tij individual i Foltores deri në pikën kulminante të një stadiumi të mbushur plot e përplot, treshja Rama-Basha-Kim u mobilizua me një mesazh radikal: më kot i vini mbrapa Berishës, pasi edhe po ta votoni, ai s’mund të vijë kurrë në qeveri, sepse kurrë perëndimorët nuk do të pranojnë bashkëpunimin me një qeveri shqiptare me ‘non grata’. Na kujtohen të gjithëve deklaratat e secilit prej anëtarëve të treshes anti-non grata. Basha kur thoshte se janë fatet e Shqipërisë që e preokuponin më shumë se ato të Berishës, sepse medemek ai, Basha nuk mund ta lejonte që perëndimorët ta izolonin një qeveri të ardhshme të PD-së me Berishën në krye, ose brenda saj. Yuri Kim nga ana e saj shkoi dhe më larg kur iu tha militantëve të PD-së, mos hani bar dhe të shkoni të votoni për Berishën, me mesazhin se ky i fundit dhe qeveria e tij e mundshme e ardhshme s’do të ishin kurrë partnere të SHBA-ve, pra pse të humbisni kohë me të. Ndërsa për Ramën, që fërkonte duart nga gëzimi, hapej një periudhë lumturie politike që zgjati mbi dy vjet, ku ai thuajse ai e asgjësoi opozitën shqiptare në emër të parimit që perëndimorët dhe non gratat nuk mund të bëhen kurrë bashkë. Por erdhi një moment, kur rrota e historisë u kthye mbrapsht me revoltën e flakadanëve në parlament dhe me presionin e perëndimorëve, jo më ndaj grupit të non gratës, por ndaj atij vetë, Edi Ramës. Momenti i dytë, historik, ndodh tani. Një qeveri partnere e SHBA-ve si ajo e Serbisë integron, jo një, por dy non grata. Nga përgjigja ndaj kësaj sfide serbe do të varet dhe serioziteti i teorive të treshes Rama-Basha-Kim në Shqipëri. Kush kanë më shumë rëndësi për Perëndimin, deklaratat e një farë kohe për konsum publik, apo realpolitika e momentit? Reagimi i  zbehtë, për momentin, i SHBA-ve ndaj një qeverie partnere që e sfidon me dy non grata, është shembull i qartë se politika e jashtme e një fuqie si ajo amerikane nuk bazohet tek parimet, por tek interesat. Asnjë problem nuk do të ketë për SHBA-të nesër të bashkëpunojnë me një qeveri të re shqiptare me Berishën, nëse Ëashingtoni minimumi nuk do të thërrasë ambasadorin serb në Ëashington për t’i kërkuar llogari se pse Serbia po tallet me fuqinë më të madhe në botë.  

Serbia e non gratave si rast i volitshëm për verifikimin e qendrimeve “parimore” të perëndimorëve

Mbaj mend se për një kohë të gjatë në Francë, e gjithe doktrina e partisë së Le Pen-it mbështetej në një kauzë të vetme: daljen e Francës nga Bashkimi Europian si një instrument «skllavërimi» për francezët. Një Francë jashtë BE-së do të ishte per partinë e ekstremit të djathtë një Francë që do të shumëfishonte pavarësinë dhe begatinë e saj. Po ate që Le Pen-i francez e ëndërronte, populli britanik e realizoi në mënyrën më demokratike me referendum. Veçse duke parë këto vitet e fundit pas Brexit-it, sesa shumë kanë humbur britanikët në të gjitha fushat dhe sa shumë jane bërë ata pishman sot, ekstremi i djathtë francez që mund të vijë në fuqi në 2027 sigurisht e ka shprogramuar pa bujë nga programi i tij, nxjerrjen e Francës nga BE-ja. E vërteta nuk qendron tek parimet, por tek interesat.

Ashtu si rasti britanik shërbeu si gur prove nëse është me interes apo jo dalja nga BE- ja, po ashtu dhe rasti serb sot shërben si gur prove, nëse vërtetë SHBA-të jane të gatshëm të fusin në karantinë një qeveri me non grata, siç iu propagandua me forcë shqiptarëve këto tre vjet.

Është bërë sot zëvendës-kryeministër i Serbisë një nga personazhet politike më të urryera serbe, Aleksandar Vulin, i shpallur non grata nga ShBA-të, mëkatar në të paktën tre drejtime si: shef i inteligjencës famëkeqe serbe, si partner i besueshëm dhe i bindur i Rusisë dhe si ideator e furnizues me armë për sulmin terrorist serb në Banjska të Kosovës. Vulin merr postin e lartë si numri dy i qeverisë serbe në shenjë provokimi ndaj amerikanëve dhe kjo bën “mu” për këdo, të pakten sipas deklaratës së Vuçiç që u krenua se qeverinë serbe e bëjnë serbët dhe jo të huajt. Duke mos u mjaftuar me kaq, Vuçiç bën ministër dhe një non grata tjetër të amerikanëve, Nenad Popoviç. E dinim, e pamë, sesi amerikanët u dorëzuan para talibanëve në Afganistan. A do ta gëlltisin ata këtë poshtërim të dytë, kësaj here në nje rajon që nuk është sa çereku i Afganistanit? Apo fare thjesht amerikanët nuk do bëjnë zë, duke na lënë të kuptojmë dhe duke na marrë për budallenj, se nuk është e shkruar në asnjë tekst se shteti amerikan nuk mund te bashkepunojë me nje qeveri me non grata. Topi është tani qartazi në fushën e Ëashingtonit. A do të dekretojnë ata prerjen e marrëdhënieve me qeverinë e re serbe? Nëse jo, treshja Rama-Basha-Kim ia paskan futur kot! Në këtë rast janë më shumë dy të parët që diskreditohen, sesa amerikanet. Kush mund ta marrë seriozisht tani Bashën kur thotë se e tradhtoi Berishën për hir të interesave të Shqipërisë se Amerika nuk do na e falte? Pse Serbia falet? Kush mund ta besojë tanimë Ramën që thoshte se për të Berisha është “i vdekur” dhe se ky kurrë nuk mund të rivijë në pushtet, pasi SHBA-të do ta izolonin Shqipërinë.

Veçse reagimi i parë i SHBA-ve pas shpalljes së qeverisë së re serbe, është po aq zhgënjyes sa dhe fjalori i përdorur në komunikatën e DASH. Departamenti Amerikan i Shtetit drejtuar nga z. Antoni Blinken mjaftohet të shprehë “zhgënjimin” e tij me këtë që po ndodh në Serbi. Pra uragani i premtuar amerikan ndaj non-gratave po pjell thjesht një fllad të lehtë zhgënjimi.

Nga Kosova në Shqipëri, shqiptarët nuk impresionohen më me lojën parimore që maskon realpolitikën

Por s’duhet të habitemi! Kështu do të ndodhte në marrëdhëniet amerikano-serbe dhe kështu do të ndodhë gjithmonë, paçka se shqiptarëve iu servir fabula se Perëndimi nuk bashkëpunon me qeveri me non grata në përberje të saj. Perëndimi që bashkëpunon sot me diktatorë te Lindjes së Mesme nga Egjipti deri në Arabi Saudite duke kaluar nga Katari, Emiratet e Bashkuara dhe deri tek Jordania super aleate, në momente sfidash relevante ndërkombëtare, nuk i bazon politikat te parimet, por te interesat. Parimet janë për ata që i besojnë. Por dhe naivitetit të shqiptareve po i vjen fundi. Zgjimi filloi me Albin Kurtin në Kosovë që nuk u zmbraps se vëni interesin kombëtar përballë «parimeve» të perëndimorëve mbi «asociacionin» shoqëruara nga kërcënime. Sot Kosova e Albin Kurtit që sfidoi Perëndimin udhëton pa viza në Europë, po hyn në Këshill të Europës dhe u imponon targat e Kosovës qytetarëve serbe të Kosovës, arritje që paraardhësit e tij në Prishtinë të cilët shtriheshin pa kushte para perëndimorëve as nuk mund t’i ëndërronin dhe në ëndrrat e tyre me të marra. Zgjimi i shqiptarëve vazhdoi dhe në anën tjetër të kufirit, ku non grata e Berishës u lexua siç duhet, si një manovër e pastër që të mbylleshin zërat e fortë kundra korrupsionit të Edi Ramës, dhe jo si një parim që na u shit si shprehje e një lufte parimore të Perëndimit kundra korrupsionit në Shqipëri. Këtë hendek midis parimeve dhe realpolitikës e sintetizon më së miri nje ekspert perëndimor për shtypin kosovar kur komenton rastin serb. Tobi Vogël shprehet kështu:  “Perëndimi mendon se ka nevojë për Vuçiçin për të ruajtur "stabilitetin rajonal", edhe pse Vuçiç është dukshëm kërcënimi i vetëm më serioz për këtë stabilitet”. Në rastin e Shqipërisë kjo mund të perifrazohej: “Perëndimi mendon se ka nevojë për Edi Ramën për të ruajtur stabilitetin në vend dhe atë rajonal, edhe pse Rama me korrupsionin e tij galopant është dukshëm kërcënimi i vetëm më serioz për këtë stabilitet”.

Për të perfunduar, nëse amerikanët “falin” sot Vulin, njeriu i Moskës në zemër të Ballkanit, që po hyn në qeverinë serbe për ta rikthyer rajonin në një fuçi baruti, atëherë në rastin e Berishës do të ishte një non-sens në aspektin semantik, juridik, dhe gjeopolitik, nëse amerikanët nuk e falin futësin e Shqipërisë në NATO, mëkati i vetëm dhe jo i provuar paska qenë ne nje epokë “para erës sonë” kthimi i një fushe futbolli te pronarët e saj legjitimë. Epoka e re do e tregojë se nëse Berisha rivjen në pushtet, amerikanët do ta ribekojnë, sepse realisht nuk kanë patur problem me Berishën, por me faktin se ai cënonte fronin e Edi Ramës, i dobësuar shumë për shkak të vetë Edi Ramës dhe korrupsionit të tij të marrë që guxonte të korruptonte dhe FBI-në vet! Një personazhi të tillë, një ditë do t’i vijë dita të japë llogari, por për momentin aleati ynë strategjik gjykon se ka më shumë interes ta ketë Ramën aty ku është dhe jo para drejtësisë. Ashtu si për Serbinë, aleati ynë strategjik mendon se për momentin ka më interes t’ia falë qeverisë serbe me non gratat e saj, sesa ta ketë kundra. Fatmirësisht, në realpolitikë momentet zgjasin vetëm një moment. Kadafi i amnistuar dhe i mbrojtur nga Franca e Sarkozisë, u zhduk për ironi të fatit nga vetë vullneti i protektorit të tij perëndimor.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco