Operacioni Fshesa 2.0!

Operacioni Fshesa 2.0!

Nga Bledian Koka - 13/05/2024

Mbaj mend kur isha fëmijë 7 vjeç, krejt papritur në ekranin e TVSH-së u shfaqën turma shqiptarësh që ktheheshin në Kapshticë dhe Kakavijë.

Dy toponime që ngjasonin si emra laboratoresh njerëzore, në të cilat shpërfaqej e gjithë beteja e një populli për mbijetesë (shqiptarët) dhe paranoja e një populli tjetër, të cilës politika ia merrte krahun e punës afendikojve sa nga plantacionet, sa nga platitë dhe i shporrnin andej prej nga kishin ardhur.

Për vite të tëra ndjesitë e mia antigreke me shumë gjasë kanë qenë të kultivuara nga ato pamje apokaliptike dhe historitë që tregonin të afërmit e mi për "asfalinë" dhe "astinominë" greke, që në mendjen time ishin pikturuar si monstra "civile" dhe me "uniformë" prej narrativës së të dhunuarve.

Ajo që nuk kuptoja dhe me dukej akoma më absurde ishte këmbëngulja e po të njëjtëve "emigrantëve për definicion" që sërish tentonin si rrugëzgjidhje jete të njëjtin vend "monstrash".

Pastaj dalëngadalë arrita të kuptoj se në Greqi përveç "astinomisë" dhe "asfalisë" kishte dhe njerëz në kuptimin e plotë të fjalës, që nëse i kërkoje "nero" dhe "psumi" pasi kishte rrugëtuar për 5-6 ditë maleve të Gramozit për të kaptuar klonin dhe piramidat mund, të strehonin, të vishnin e madje edhe të punësonin.

Operacionet "Fshesa" ishin kundërpergjigja e politikës greke sa herë ajo e Tiranës i lëvizte para syve "me apo pa kapele"! Ecejaket e emigrantëve në Greqi pas disa vitesh zunë të normalizoheshin në vetëm radhë të gjatë në Kakavijë e Kapshticë në pritje të mëshirës së doganierëve grekë, të cilët nuk e kishin me "fshesën" në dorë!

Sot pas 33 vitesh, gjërat kanë ndryshuar! Shqiptarët që shkuan në Greqi, janë të paktë ata që e morën mundimin të ktheheshin në vendlindje, se "Eladha" kurrë nuk i tradhëtoi pritshmëritë dhe kërkesat e tyre.

Nga ana tjetër, Shqipëria kurrë nuk iu dha atyre një mundësi që të ndryshonin mendje! Fundja ndoshta më mirë kështu! Ata, emigrantët duket se e shohin më qartë atë që ndodh këtu, ndërsa torollakët" jemi ne besojmë ende se ferra nuk ka marrë uratën!

Sepse në krye, shqiptarët që shesin votën dhe e kanë atë njësoj të barabartë me timen, kanë zgjedhur një njeri që për hir të nevojës për karshillik personal kërkon të ndezë konflikt me një vend që ata nuk i trajton më si emigrantë, por si taksapagues.

Edi Rama dhe emigrantët në Greqi kanë një të përbashkët! Në 1991-shin kur ata kaptonin malin, Edi Rama shkonte me pasaportë në Korfuz për qejf. Sot po të njëjtët që mbijetuan atëbote, duhet të dëgjonin dokrrat e nipit të dajë Pilos, që dikur u vendosi tollonin, që ua thau barkun, e pikërisht ai t'u fliste për Shqipërinë e 2030-ës!

p.s...a nuk iu dhimbset vetja?

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco