Kukurec patriotik dhe fyerje prej afendikoi: oferta e Ramës në Athinë

Kukurec patriotik dhe fyerje prej afendikoi: oferta e Ramës në Athinë

Nga Alfred Lela - 14/05/2024

Edi Rama u djersit të dielën në fjalimin që mbajti para një salle të mbushur plot në kryeqytetin grek. Pavarësisht pjesëmarrjes së mirë-edhe nëse zbret prej saj socialistët e zonave kufitare, Bilisht, Gjorkastër etj- takimi përbën një dështim spektakolar. I tillë sepse, për asnjë çast, nuk shërbeu dhe as pasqyroi gjendjen dhe shqetësimet e komunitetit divers dhe vibrant shqiptar të Greqisë në raport me Ramën dhe qeverisjen e tij, apo të tjerat para tij në Shqiëpri. Në asnjë prej pankartave nuk shënohej asnjë shqetësim i komunitetit, si në lidhje me Shqipërinë, si në raport me atdheun e dytë, Greqinë.

Atmosfera e krijuar, meqë ishte edhe një pallat sportesh-disa e quanin stadium- i ngjante takimeve të tele-evangjelistëve amerikanë, të liderëve të botës së tretë, koncerteve tallava apo ndonjë dasme/rrethprerjeje të një familje të madhe orientale, diku në Magreb apo në ish-republikat Sovjetike.

Rama vetë nuk i trajtoi temat e mëdha, ose edhe nëse i preku e bëri sa me la gojën. Për shembull pensionet, vota e diasporës, lehtësirat ekonomike dhe fiskale për emigranët dhe bizneset e tyre të mundshme në Shqipëri, integrimi grek dhe dezintegrimi shqiptar etj.

Ai e futi të gjithë fjalën e tij nën ritmin e daulles së nacionalizmit, duke u marrë me viktimizimin e shqiptarëve nga historia dhe nga grekët. Kryeminsitri i quajti ‘europianë’ të tubuarit e djeshëm, por i trajtoi si nacionalistë mendjengushtë, të cilët mjaftohen po tu hedhësh emrin e Bubulinës në qendër të revolucionit grek dhe ‘fshesat’ famëzeza të viteve ’90.

Edi Rama kreu dje një operacion të suksesshëm propagande, por nuk tha, nuk bëri, nuk çoi dhe as solli mbrapsht asgjë që i vlen komunitetit shqiptar atje dhe as dy vendeve. Ai mund të mjaftohet me kaq, sepse në fund të fundit, një takim i Partisë Socialiste në Athinë ishte, por a duhet diaspora ta hajë këtë stafidhe të vjetër prej tij?

Ata, ndër shqiptarët e Greqisë apo dhe këtu në Tiranë e tjetërkund, që u kënaqën me faktin se Rama u përmendi grekëve ‘ligjin e luftës’ dhe Çamërinë duhet të ulen nga kolovajza e ngazëllimit.

Të njëjtën ‘luftë me gojë’ bëri kryeministri edhe në Beograd. Narrativa nacionaliste në Prishtinë dhe Tiranë u përmbyt në krenari kur Rama përmendi njohjen e Kosovës në prani të Vuçiç dhe në ‘zemër të Beogradit’. A thua se politikanët dhe gazetarët serbë në konferencën e shtypit do të shndërroheshin atypëraty në ultras stadiumi dhe do ta gjuanin mne karrige, mikrofonë dhe ç’tu dilte para kryeministrin e Shqipërisë.

Retorika ‘e fortë’ e Ramës nuk prodhoi gjë më pas veç boshit patriotik që mbushet e zbrazet në gjyrykët e pakufij të internetit, dhe nuk është më shumë se një kukurec që shijon vetëm një vakt ballkanik.

Çfarë prodhoi për shqiptarët në Kosovë dhe për ekonominë shqiptare ‘trimëria’ e Ramës apo Ballkani i hapur? A u ndal Serbia në retorikën e saj ndaj Kosovës, në përpjekjet zyrtare për të penguar njohjet dhe madje për të siguruar ndonnjë ç’njohje të pavarësisë? A ktheu Vuçiç mendje sa i takon Kosovës? A u step presidenti serb kur vendosi që të mos i bashkohej vendeve të rajonit dhe as Perëndimit në bojkotin anti-rus? A nuk qenë paraushtarakë me frymëzim dhe mbështetje shtetërore nga Beogradi, ata që sulmuan Banjskën duke vrarë një oficer shqiptar dhe duke provokuar një përshkallëzim luftararak në kufijtë mes dy vendeve dhe në rajon?

Me politikën e patriotizmit medemek dhe të appeasement-it serb, Edi Rama nuk ndryshoi asgjë në politikat sere. Ai thjesht përdori një moment televiziv për të luajtur një John Ëayne ballkanik. Propagandë e lirë dhe asgjë më shumë.

I njëjtë është edhe rasti grek. Fjalimi i tij me ‘kompleksin e palloit’, stolisur me shkëlqime pan-shqiptare dhe albano-viktimizim, përveçse efektit një ditor nuk do të prodhojë asgjë.

Agjenda e marrdhënieve shqiptaro-greke është në të njëjtën pikë si dhe deri të shtunën. Edhe sot komuniteti shqiptar në Greqi do të fillojë, si çdo javë para kesaj, serinë e zakonshme të punës dhe sfidave. Kur të afrohen zgjedhjet, ashtu si kaq herë të tjera, sekserët socialistë do të shfaqen në kafenetë e shqiptarëve për të mbledhur ‘punëtorët ditorë’ për votime në atdhe. Me sa duket ky është i vetmi status që Edi Rama u njeh bashkatdhetarëve tanë në Greqi. Atë të ‘punëtorit ditor  politik’ të cilin afendikoi socialist, që zbret nga avioni apo makina luksoze, ia ofron, në këmbim të 50 evrove, një bilete vajtje-ardhje autobusi dhe shpenzimet minimale ditore.

Në këtë pike, komuniteti shqiptar në Greqi nuk ka lëvizur nga fillimvitet ’90. Ata dalin sërish, në Omonia apo gjetkë, dhe presin dikë nga Tirana, siç prisnin zotërinë grek asokohe. Me të vetmin ndryshim se nuk ndodh çdo ditë, por një herë në 2 vjet.

Fyerja mbetet e njëjta.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco