Asgjë e re nga Athina

Asgjë e re nga Athina

Nga Artan Hoxha - 13/05/2024

Turi paraelektoral i Edi Ramës, me fokus emigrantët e përhershëm, nisi me Greqinë. Turi do vijojë me Italinë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Sipas efektit dhe interesit, ai mund të vijojë edhe me aktivitete në vende të tjera.

Fokusi i Kryerilindësit tek emigrantët është shenjë se mazhoranca rilindëse po vlerëson seriozisht mundësinë e votimit të emigrantëve atje ku jetojnë, pa qenë e domosdoshme ardhja e tyre në Shqipëri. Por, edhe nëse kjo nuk ndodh, nëse nuk iu del hesapi, propaganda direkte tek emigrantet ndikon indirekt votën e familjarëve të tyre këtu, ndërsa pompoziteti patriotik i aktiviteteve atje importohet me fuqi të shumëfishuar në mëmëdhe.

Marrëdhënia e ndera me Qeverinë dhe politikën greke, me shkak çështjen Beleri, i dha tubimit të Athinës ngjyra dhe emocione të veçanta që vështirë se do hasen në tubimet e tjera, andaj,  frikësuar nga mundësia e pjesëmarrjes së ulët, qoftë edhe si një mundësi teorike konspiracioni grek, Rilindja mori masa që Kryerilindësi të shoqërohej nga qindra e qindra patronazhistë e zyrtarë të ministrive e bashkive të vendit, pjesëmarrës në atë takim, të cilët, të entuziazmuar deri në budallallëk a për forcë zakoni, dekonspiruan me duart e tyre, me foto e mesazhe lumë në rrjetet sociale, këtë week-end masiv elektoral në vendin fqinj. Fjalimet e shumta, këngët edhe më të shumta, por asnjë emigrant shqiptar në Greqi, as sa për shenjë, nuk u ftua të përshëndeste tubimin.

Ndonëse takimi ishte “me emigrantët dhe për emigrantët” më shumë se treçereku i fjalimit ishte dialog imagjinar – monolog më saktë - me qeverinë, politikën dhe elitën greke. Si demagog e populist i mirëfilltë, Kryerilindesi lartësoi popujt dhe fajësoi elitat. Populli grek e ai shqiptar, (përjashto ca individë, e shumta një pakicë afendikojsh), paqësor, mirëkuptues, mikpritës e bashkëpunues. Problemi? Elita greke që, ndryshe nga populli i vet, ka ndjekur agjendë konfrontimi e politike “fshesash”. Këtu thirri në ndihmë edhe historinë, që nga lashtësia e të cilën e njeh pak e thotë ç’i shkruajnë, deri në ditët e sotme në të cilën është vetë protagonist. Se pse elita greke sillej a sillet kaq ndryshe nga populli i vet, jo vetëm ne diktaturë, por edhe në demokraci, për këtë nuk dha shpjegim.

Natyrisht që këtu u kujdes të veçonte për mirë Kryeministrin aktual Mitsotakis e, si për ta përforcuar këtë kompliment, nuk la pa shpotitur të majtën greke me të cilën paskësh pasur ca moskuptime për faj të tyre. Nuk la pa përmendur për keq edhe opozitën shqiptare që “i fryn (pa sukses) borive të nacionalizmit”, ndërsa vetes i dha meritën e përpjekjeve të pareshtura e këmbëngulëse për paqen, mirëkuptimin dhe bashkëpunimin me Greqinë si dhe të drejtën t’i tregonte elitës greke se si duhet të jetë sjellja, orientimi dhe bashkëpunimi i saj për të ardhmen e përbashkët europiane.

Dhe, jo për herë të parë, pa pikën e modestisë, përmes citimeve të baballarëve të fillesës së kombit e shtetit shqiptar, u shfaq si babai i sotëm, udhëheqësi i shtetit që dinjitetin e kishte humbur kohë më parë e që e rigjeti veç me të në krye këto 10 vitet e fundit e po kështu bashkë me të erdhi edhe prosperiteti që do kulmojë, nën drejtimin e tij, në 2030-tën me anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Emigranteve iu bëri shumë lavde, iu qau hallin e halleve të dikurshme e iu përkëdheli sedrën me rolin e tyre të sotëm, zot shtëpie në Greqi, iu tha nja dy gjëra se ç’po bën e ç’do bëjë për ta e i ftoi të vijnë të investojnë në mrekullinë shqiptare të dekadës së ardhshme.

Lau gojën. Nuk mori asnjë angazhim konkret për mundësimin e votimit të tyre pa qenë nevoja të vijnë në Shqipëri, as nuk shpjegoi pse shteti i rilindur prej tij e me të, është ende i vetmi në Ballkan që nuk mundëson votimin nga distanca të emigrantëve.

Asnjë fjale nuk u tha për shtetin ku ka më pak se 9 gjyqtarë për 100 mijë banore nga 22 mesatarisht në Europë; 114 mijë dosje të mbartura, shumëfish i atyre para reformës; e ku dyfishimi i mëtejshëm i ngarkesës tashmë të dyfishuar të gjyqtareve çmendurisht mendohet si zgjidhja për ta terezitur sistemin deri në vitin e shndritshëm 2030. Asnjë fjalë për shtetin në nivelin afrikan lidhur me mjekët e infermierët për 100 mijë banorë dhe arsimtarët/pedagogët për nxënës/student ndërsa jemi në top-listën botërore për numrin e lartë të policëve për 100 mijë banorë.

Asnjë shpjegim as edhe për më të thjeshtën, për shtyrjen e censusit me dy vite, zvarritjen e pakuptimtë të botimit të rezultateve me gjashtë muaj vonesë (ndoshta në qershor), ndërsa dy të këtilla u kryen fët e fët dhe rezultatet u shpallën në kohë rekord, edhe nga qeveria socialiste me Ilir Metën Kryeministër në 2001, edhe nga ajo demokrate me Kryeministër Sali Berishën në 2011, ndërsa aktualisht Kosova me Kryeministër Albin Kurtin, çdo javë shpall rezultatet e pjesshme dora-dorës që kryen procesin e census-it në terren. {shënim: jo rastësisht këta të tre janë edhe fryrësit (pa rezultat) e borive të nacionalizimit sipas Kryerilindësit}

Shume fjalë tha për mrekullinë turistike, por asnjë fjalë për rrugët e vjetra (ato qe gjeti nga paraardhësi) të braktisura këto 10 vite, ato të rejat, të nisura prej tij, të pabitisura; as për inceneratorët që djegin para, edhe kur nuk ekzistojnë, jo plehra ama; as për mutërat e shurrërat, shqiptare dhe të huaja, që përfundojnë të gjitha në lumenj, liqene e dete; as për të dhënat personale që dalin në mixhelis; as për drejtorët e shumtë që janë vetë zot e vetë shkop të parave publike.

Nuk shpjegoi as që në Shqipërinë e NATO-s, ultraeuropiane në të drejtat minoritare, veç një hap procedural larg nga anëtarësimi në Bashkimin Europian pas çeljes së negociatave për meritë të tij, Fredi Beleri mori e merr leje daljeje nga burgu për varrim (fatkeqësi familjare), mund të marrë leje edhe për vallëzim (sebep familjar), edhe për provim (nëse ndjek shkollën) veç jo për betim si kryetari i zgjedhur i Himarës. Leje për betimin kërkoi Fredi Beleri, leje për betimin kërkoi edhe Mitsotakis.

Asgjë nga këto nuk iu tha Kryerilindësi pjesëmarrësve në atë sallë veshur kuq e zi mu në zemër të Athinës bardhe e blu. Emigrantëve, atyre të vërtetë dhe atyre të sajuar sa për week-end, iu foli siç i ka folur edhe kongresistëve të partisë së vet dje e pardje.

Ndaj, ata pjesëmarrës atje në atë sallë, nuk janë bashkësi përfaqësuese as e popullit emigrant shqiptar në Greqi, as e popullit këtu në Shqipëri. Në atë sallë kishte njerëz të painformuar për gjendjen e vërtetë të Shqipërisë, ose pa dëshirë për t’u informuar, ose të informuar fare mirë, por as që e vrasin se kanë të tjera interesa xhepi a pasione shpirti. Të gjithë i përbashkonte vetëm një cilësi - Dekor i Fjalimit të Kryerilindësit. Njësoj si kongresi i mëparshëm i Rilindjes, njësoj si kongresi i qershorit në ardhje.

Asgjë e re pra nga Athina.

Lexuesin e inkurajoj që të arrijë vetë në konkluzione duke lexuar fjalimin e plotë në faqen e Kryeministrisë:

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco