Këlliçi: Afera ‘5D’, do ketë arrestime dhe procedime të tjera. Veliaj karshillëk qytetarëve

Këlliçi: Afera ‘5D’, do ketë arrestime dhe procedime të tjera. Veliaj karshillëk qytetarëve

16:02, 26/04/2024
A+ Aa A-

Belind Këlliçi, drejtues politik i PD-së për Tiranën, tha se ndodh për herë të parë që qytetarët dalin dhe protestojnë para Bashkisë së Tiranës, për të kërkuar largimin e Erion Veliajt i kapur në aferën e ‘5D’.

Në episodin e rradhës te @ZeratPodcast, Këlliçi tha se pas aferës së inceneratorit fantazëm të Tiranës, për të cilën Erjon Veliaj ka marrë vendime duke anashkaluar Këshillin Bashkiak, Veliaj kapet në një tjetër aferë, sikundër është kjo ‘5D’.

Këlliçi tha se në rastin e inceneratorit ata çuan përpara një biznes të tyre, ndërsa në rastin e ‘5D’, keni njerëzit kyç të Erion Veliajt, ata që i kishte në shtabin elektoral të zgjedhjeve të 14 majit.

Gjatë emisionit, Këlliçi tha se Veliaj i kapur në vjedhje po i bën karshillëk qytetarëve të Tiranës dhe drejtësisë, ndërsa e paraqet vjedhjen e 30 mln eurove sikur është derdhur një pjatë patate.

“Do ketë arrestime dhe procedime të reja për aferën ‘5D’ “, tha Këlliçi. Sipas tij, nëse do të kishte ndodhur kjo situatë në çdo kryeqytet apo qytet të Europës do të kishte pasur dorëheqje.

Këlliçi tha se në vend që të ketë një reagim, ka linçime dhe sulme ndaj opozitës, qytetarëve dhe gjithkujt që denoncon dhe proteston.

Duke iu përgjigjur pyetjeve, Këlliçi tha se hyri në garën e 14 majit, duke hequr dorë nga mandati i deputetit, ndërsa u përball me një makineri financiare dhe balte.

“U hodh baltë dhe linçim. U mundova të flisja me program, për gjëra që shqetësojnë Tiranën, të rinjtë, qytetarët, hapësirat e gjelbërta, transportin urban. U përballa me linçime, goditje nën brez, goditje te pjesëtarët e familjes, ishin goditje nën brez. Shoku im më i fortë në 14 maj ishte se diferenca me 58 mijë vota nuk i përgjigjej realitetit, nuk i përgjigjej takimeve që bëja. Kur bëmë analizën e rezultatit dhe kur pashë se çfarë kishte ndodhur me rezultatin dhe votimin nga zemra e Tiranës në zonat e tjera, kuptova se çfarë kishte ndodhur, se si ishte deformuar vota”, tha Këlliçi.

Ai tha se Veliaj fitonte me 73% në një fshat që nuk ishte shtruar një lopatë çakull, sepse në këto zona të varfra bëhet shantazhi më i fortë, blihen votat më kollaj.

“Janë sekuestruar karta identiteti dy ditë para zgjedhjeve dhe u ridhanë një ditë pas zgjedhjeve”, tha Këlliçi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco