Armiku i Popullit

Armiku i Popullit

15:40, 26/04/2024
A+ Aa A-

Kryeministri Edi Rama me një lehtësi habitëse etiketon si “armik”, jo vetëm të atij vetë, por “të Shqipërisë” çdokënd që ka mendim kritik për të dhe qeverinë e tij. Dhe ky lloj etiketimi shoqërohet edhe me një leksion mbi patriotizmin që të bën për të qeshur.

Nga Gjergj Erebara

Në vitin 2017, prokuroria shqiptare kërkoi në Kuvendin e Shqipërisë arrestimin e Saimir Tahirit, deputet socialist, nën akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës. Miqtë dhe kushërinjtë e tij ishin arrestuar në Itali nën akuzën e trafikimit të tonelatave me drogë nga Shqipëria për në brigjet italiane.

Rama, i cili e mbrojti Tahirin dhe vuri bandën e tij mediatike për të sulmuar prokurorët si komplotistë të organizuar nga opozita, shpalli në atë rast gazetarët si “rrezik publik”. Turmat e militantëve sulmuan verbalisht në rrugë gazetarët që po i bënin pyetje Tahirit, njëra prej tyre bëri thirrje që një gazetare “të kapej për zhelesh”.

Kushdo që ka lexuar dramën Armiku i Popullit nga Henrik Ibsen, sjellë për herë të parë në shqip nga Fan Noli që në Luftën e Dytë Botërore, nuk ka se si të mos e bënte lidhjen. Për këdo që nuk e ka lexuar, drama flet për një personazh që thotë të vërtetën, një e vërtetë që nuk i pëlqen shumëkujt në qytet dhe që për rrjedhojë personazhi bëhet Armik i Popullit. Sipas Ramës, fakti që gazetarët po bënin punën e vet duke raportuar mbi lidhjet e krimit me qeverinë e tij, bënte që ata automatikisht të ishin “rrezik publik” sepse, siç tha ai, ata po e “bënin miletin lëmsh”.

Rama përdori së fundmi të njëjtën fabul, por kësaj here në një nivel më grotesk.

Rama tha: “Shqipëria në këtë rast është goditur me duart e italianëve, por me mallin e dhënë nga shqiptarët këtu në Tiranë. Janë po ata shqiptarë të cilët, sa herë që u jepet mundësia që të hedhin baltë mbi Shqipërinë në çdo hapësirë që krijohet kudo në botë, e bëjnë me paskrupullsinë dhe me një ndjenjë armiqësie ndaj vendit, e cila projektohet për shkak të armiqësisë ndaj meje dhe ndaj qeverisë.”

Me pak fjalë, kushdo që raporton për kontaktet e panumërta të qeverisë së tij dhe të politikës shqiptare më gjerësisht me elementë kriminalë, sipas Ramës, është, jo vetëm armik i tij, por edhe armik i Shqipërisë. Në mënyrë shumë të pavend, ai tashmë e identifikon veten me vendin. Nëse shan Ramën, shan Shqipërinë dhe nëse shan Shqipërinë, shan Ramën.

Rama po i referohej në këtë rast një emisioni investigativ italian, i cili, ndërsa fliste për marrëveshjen Rama-Meloni për kamp refugjatësh në Shqipëri, nuk u përmbajt pa bërë një panoramë të gjerë të lidhjeve të “qeverisë Rama” me krimin, duke përfshirë historinë e Saimir Tahirit apo historinë e vjetër tashmë të ish-gjeneralit italian Fabrizio Lisi, i cili dihet gjerësisht se ka marrë përmes një fondacioni, një parcelë toke dhuratë nga Artur Shehu, një figurë e përfolur si një eksponent i krimit të organizuar, marrëdhëniet e së cilit sollën edhe rrëzimin edhe të disa zyrtarëve të drejtësisë në procesin e vetingut.

Mes të tjerash, emisioni përmend si tregues të lidhjes së qeverisë me krimin edhe faktin që Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi, ka bërë karrierë si avokat penalist në Itali.

Marrë më vete, secili prej fakteve të përmbledhura në emision duket pa lidhje. Marrëveshja mes dy qeverive për refugjatët, sado e shëmtuar që të jetë, nuk ka ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me historinë e kushërinjve dhe shokëve trafikantë të Saimir Tahirit dhe ish-oficerin e policisë, Dritan Zagani, i cili u arratis nga Shqipëria për të kërkuar mbrojtje politike në Zvicër për shkak se kishte vënë në dukje faktin që Tahiri i jepte makinën e tij kushërinjve që të qarkullonin lirshëm dhe pa telashe me policinë.

Dhe Rama me të drejtë thotë se puna e Agaçit si avokat nuk ka lidhje me punën e tij si Sekretar i Përgjithshëm dhe as me marrëveshjen për kampin e refugjatëve. Por problemi është se media në botë, ndryshe nga sa pretendon Rama, ka një të drejtë ekskluzive të shohë lidhje aty ku të tjerët mund të mos i shohin. Dhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka dhënë sakaq një vendim në të cilin sqarohet në mënyrë shterruese e drejta e gazetarit për t'i renditur faktet si ai e sheh të arsyeshme, pavarësisht nëse kjo renditje i pëlqen apo jo dikujt. Dhe thelbi i emisionit të Rai 3 duket se ishte për t'u thënë italianëve: shikoni se kush është partneri i Melonit në Shqipëri, një qeveri e lidhur kokë e këmbë me strukturat kriminale.

Për këtë Rama e ka të vështirë të gjejë çfarëdolloj justifikimi. Ai mund të gjejë argumente të logjikshme për secilën nga elementët, por jo për historinë e përgjithshme. Ai ishte personi që futi në parlament Arben Ndokën, një njeri i dënuar për trafik qeniesh njerëzore. Dhe po ai kontribuoi fort për të futur në parlament Mark Frrokun, (dhe Frroku nga ana e tij e ndihmoi të fitonte postin e kryeministrit). Rama është personi që mbrojti Saimir Tahirin, ndërsa ai përballej me akuzat se e ktheu Shqipërinë në një parajsë për trafikantët e drogës, truprojat e së cilit janë ndërkohë të dënuar për trafik droge. Dhe Rama është ai që, sipas Departamentit Amerikan të Thesarit, i ka dhënë një grupi të strukturuar kriminal me bazë në Elbasan akses në qeverisjen e vendit, e ka lejuar të emërojë drejtorë në Tiranë dhe Elbasan në këmbim të votave.

Pa folur këtu për dosjen 184 të zgjedhjeve në Dibër apo dosjen 339 të zgjedhjeve në Shijak e në Durrës dhe pa mbërritur te lista e gjatë e zyrtarëve të shtetit të kapur në korrupsion. Apo për historinë e Met Dafllakut, personit që u kap me të dhënat personale të qytetarëve, ndërsa bënte funksionin e patronazhistit socialist dhe kishte paksa të shkuar kriminale.

Rama mund të bëjë të paditurin për secilin nga incidentet e shumta, si në lidhje me krimin ashtu edhe në lidhje me korrupsionin. Ai p.sh., mund të thotë se nuk ka logjikë t'i kërkohet llogari për korrupsionin e Lefter Kokës, të Arben Ahmetajt apo, larg qoftë, të drejtorëve të Bashkisë së Tiranës. Por po kështu, gjithkush, vendës apo i huaj, mund të bëjë këtë pyetjen tjetër: a ka pasur ndonjë rast, në të cilin Rama, nga pozicioni i kryeministrit, ka vënë re diçka që nuk shkon me bashkëpunëtorët e tij? A ka ndonjë provë që ai ka mbajtur larg ndokënd të dënuar për krime të neveritshme, si trafiku i qenieve njerëzore? A ka ndonjë rast kur ai ka vërejtur se ndonjë drejtor apo ndonjë ministër ka vjedhur paratë e taksapaguesve dhe i ka futur në xhepin e vet? Me një fjalë, a ka Rama ndërgjegjen qytetare për të luftuar krimin dhe korrupsionin kur ai e vëren, pavarësisht se sa rrallë mund të ndodhë kjo? Përgjigjja, për të gjitha këto pyetje, është “jo”! Për aq sa dihet publikisht, asnjë zyrtar nuk është dyshuar për korrupsion nga Rama, asnjë tender nuk është dyshuar për manipulim nga vetë ai.

Në këtë linjë të gjatë të marrëdhënieve të qeverisë së tij me elementë kriminalë, fakti që pozicioni i Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, një pozicion që ligjërisht është i rezervuar për zyrtarët që kanë bërë karrierë brenda administratës publike, i jepet një avokati që nuk ka pasur një karrierë të mëparshme në administratë publike, nuk është më pa lidhje.

Gjithsesi, ana që të bën për të qeshur është argumenti patriotik i Ramës se pse shqiptarët nuk duhet të thonë të vërtetën për qeverinë e tij. Është një argument që përmendi, në mënyrë po kaq qesharake, dikur edhe Erion Veliaj. Sipas këtyre të dyve, “duhet një pakt që të mos e shajmë vendin para të huajve”. Me “vendin”, nënkuptohet Rama dhe Veliaj. Sipas kësaj logjike, këto problemet e lidhjes së krimit me politikën dhe korrupsionit masiv, janë çështje mosmarrëveshjesh të brendshme, të cilat, ne shqiptarët, duhet t'i mbajmë për vete. Është një argument qesharak, që thuhet se e ka dhënë për herë të parë Faik Konica.

Rama shkon më tutje në këtë drejtim. Ai e konsideron veten si agjent i progresit. Ai tha: “Këta shqiptarë bartës të atij mallkimi që ka Shqipëria që nga 1912-a, kur kanë qenë shqiptarët ata që kanë qenë armiqtë më të mëdhenj të çdo përpjekjeje për progres këtu në Shqipëri, për shkak, o pushteti, o inatesh o mllefesh, o oooo por kurrë për shkaqe realisht të respektueshme dhe të justifikueshme.”

Me një fjalë, nëse tregon të vërtetën, kjo të bën automatikisht, jo vetëm armik të popullit, por të bën edhe një armik të “progresit”. Vetëm se progresi është çështje konvencionesh. Vendosja e trafikantëve të qenieve njerëzore në pozicione pushteti, sipas opinionit të shumë njerëzve, nuk hyn në kategorinë e progresit. Dhe si për të treguar shkallën e tij të progresit, ai kaloi në homofobi të nënkuptuar të enjten, kur etiketoi Gazmend Bardhin si “jo burrë” dhe “çingije”.

“S'duhet të jetë burrë se s'ka mundësi, është thjesht çingije që ngre dorën duke kërcyer prehër më prehër sikur ka gur për të hedhur,” tha Rama.

Bardhi është shënjestruar edhe nga Sali Berisha, më herët, kur të dy ishin në marrëdhënie jo të mira, ndërsa vetë Rama ka qenë ankuar me shumë të drejtë për sulme të kësaj natyre që ai vetë ka marrë nga Berisha.

Duke qenë se jemi në shekullin e njëzet e një, dhe, duke qenë se Rama, ndryshe nga Berisha, pretendon se udhëheq një forcë progresiste, ai së paku nuk duhet të përdorë një gjuhë të tillë. Dhe për momentin nuk duket se Rama ka ndonjë mënyrë më të mirë për të demonstruar progresivllëkun e tij se sa të na kursejë komente të tilla prapanike. Por dukshëm, një politikan që bie në një nivel të tillë, nuk ka më asgjë të vlefshme për të thënë./BIRN/

P.s.

Meqë jemi te Ibseni, mund të nxjerrim nga drama e tij nja dy fjali në lidhje me temën:

“Nuk duhet të veshësh kurrë pantallonat e tua më të mira kur ke dalë të luftosh për lirinë dhe të vërtetën.”

“Një parti është si makinë mishi; ajo grin gjithëfarëlloj kokash bashkë për t'i futur në të njëjtën salsiçe”.

“Më e keqja është që, nga njëri cep në cepin tjetër të këtij vendi, çdo njeri është skllav i partisë së tij.”

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco