Beteja e pambaruar e grave për përfaqësim në pushtetin lokal

Beteja e pambaruar e grave për përfaqësim në pushtetin lokal

15:31, 17/10/2023
A+ Aa A-

Pesë muaj pas mbarimit të zgjedhjeve lokale në Shqipëri dhe 10 vjet pas ndryshimit të Kodit Zgjedhor, gratë vazhdojnë të humbasin terren në nivel të përfaqësimit në pushtetin lokal. Përveç numrit shumë të ulët të grave të zgjedhura si kryetare, bashkitë kanë dështuar që të sigurojnë kuotën minimale ligjore prej 30% të grave në pozicionin e zëvendëskryetarit dhe administratorit të Bashkive. Dorëheqjet e grave anëtare në Këshillat Bashkiakë vazhdojnë, ndërsa për pakicat kombëtare pjesëmarrja e grave në Këshillat Bashkiakë mbetet në kufijtë e të pamundurës për shkak të ligjit.

Nga Fjona Çela/

Zgjedhjet lokale të 14 majit në Shqipëri nuk sollën asnjë surprizë përsa i takon përfaqësimit gjinor, madje surprizat ishin për keq. Nga 144 kandidatë që ishin në garë për kryetarë bashkie në 61 bashki të vendit, vetëm 15 prej tyre ishin gra në zgjedhjet që lamë pas ose 10.4 %. Kjo është një praktikë që vazhdon prej dekadash, sepse nëse do të kthehemi pas në kohë, rezulton se që prej 1992, vetëm 6% e të zgjedhurve në krye të bashkive në 9 procese zgjedhore janë gra. Ligji i Kodit Zgjedhor nuk parashikon kuota të barazisë gjinore sa u përket kandidatëve për kryetarë bashkie, ashtu siç parashikon për këshillat bashkiakë dhe për parlamentin. Me sa duket partitë politike nuk e kanë vullnetin për të caktuar kandidate gra ose vajza aty ku parashikohet një sistem mazhoritar, përsa kohë që as ligji nuk parashikon përfaqësim të detyrueshëm të tyre (grave apo vajzave).

Të mira për në Parlament, jo për kryetare bashkie

Iris Luarasi, pedagoge dhe kryetare e bordit në Qendrën e Këshillimit për Gra dhe Vajza, mendon se përgjegjës për këtë situatë janë partitë politike, të cilat kandidojnë më pak gra në këto pozicione.

“Pjesëmarrja dhe përfaqësimi i grave në pushtetin vendor është shumë e vogël, krahasuar me atë që duhet të ishte dhe krahasuar me numrin e grave dhe përqindjet që zë gjinia femërore në shoqërinë shqiptare. Dhe kjo vjen sepse nominimet nga partitë bëhen të tilla që më shumë shanse i jepen një burri kandidat, sesa një gruaje kandidate. Edhe po të shohësh listat dhe përfaqësuesit që kanë pasur gjithë spektri i politikës në Shqipëri, qoftë i majtë apo i djathtë, ka pasur shumë pak kandidatura të grave si përfaqësuese të pushtetit vendor. Ndërkohë që nuk është e njëjta situatë kur flasim për qeverisjen qendrore. Jo se pjesëmarrja e grave në parlament është në nivele shumë shumë të mira, por është goxha më mirë krahasuar me përfaqësimin e grave në pushtetin vendor. Kjo situatë nuk është normalisht as e ndershme, as i bën mirë grave.”

Image

Iris Luarasi, pedagoge dhe kryetare e bordit në Qendrën e Këshillimit për Gra dhe Vajza

Sipas Luarasit, përfaqësimi i ulët i grave në drejtimin e bashkive vjen si pasojë e pabarazive në ndarjen e pushtetit midis burrave dhe grave.

“Një njeri që është në krye të bashkisë ka shumë më tepër mundësi dhe kjo është një nga arsyet që mendoj se pse ky vend nuk u jepet grave. Pra, një njeri ka më shumë gjëra në dorë nëse është në qeverisjen lokale, sesa mund të ketë një njeri qëështë vetëm në parlament. Domethënë nga pikëpamja e vendimmarrjes ka më shumë në dorë nga vendimmarrja kur është kryetar bashkie, sesa mund të ketë një përfaqësues i një komuniteti të caktuar në parlament. Pra,kur je kryetar bashkie ti ke vendimmarrje, ke për të dhënë vende pune, ke për të dhënë tendera, ke për të bërë strategji, ke shumë më tepër pushtet në dorë. Mendoj se kjo vjen drejtpërdrejt e lidhur me pjesën gjinore pastaj, kjo është një nga arsyet kryesore se pse ky pozicion i jepet burrave dhe jo grave. Kjo mendoj se ka më shumë lidhje me faktin që e kanë më kollaj të përdorin burrat, sesa me besimin. Ky nuk është një fenomen që ndodh vetëm në politikën shqiptare, por është një fenomen botëror. Nuk dua të them që gratë nuk janë të përdorshme në politikë, por janë më pak të përdorshme sesa burrat. Ky është totalisht diskriminim gjinor.”-shprehet Luarasi.

Ilda Zhulali, anëtare në Këshillin Bashkiak të Tiranës, përfaqësuese e Partisë Demokratike brenda koalicionit Bashkë Fitojmë, vlerëson se klima e zgjedhjeve në Shqipëri është dekurajuese për gjininë femërore, ndaj atyre u duhet të përballen me shumë sfida. 

“Në një shoqëri ku dhuna ndaj grave vazhdon të jetë e shprehur dhe mbizotëruese qoftë në aspektin fizik, ashtu edhe atë psikologjik, financiar, etj, gratë kandidate për Këshillin Bashkiak përballen me sfida shumë më të mëdha, pasi ato pashmangshmërisht janë pjesë përbërëse e këtij konteksti shoqëror dhe nuk mund të veprojnë jashtë tij. Kushtet në të cilat zhvillohen zgjedhjet dekurajojnë kandidimin e grave. Prania e fortë dhe e përhapur e rrjeteve kriminale dhe angazhimi i tyre i dukshëm në fushatat elektorale ndikon drejtpërdrejt, qoftë në ngurimin e grave për të kandiduar, qoftë në mundësinë e tyre për të qenë fituese.”

Image

Ilda Zhulali, anëtare në Këshillin Bashkiak të Tiranës

Zhulali fajëson për këtë “sistemin e patronazhimit shantazhues të ngritur nga Partia Socialiste” dhe burimet tejet të kufizuara financiare për opozitën.

“Si pasojë, gratë që kanë realisht gjasa të fitojnë zgjedhjet si kryetare bashkie, janë më shumë fasadë për të fshehur këtë sistem të nëndheshëm dhe t’i shërbejnë atij në rast fitoreje, se sa shembuj entuziastë të grave të fuqishme në politikë.”

Image

Edlira Çepani, Koordinatore Kombëtare e Rrjetit të Grave "Barazi në Vendimmarrje"

Në lidhje me faktin që Kodi zgjedhor nuk parashikon kuota të barazisë gjinore për kandidatët për kryetarë Bashkie, sipas Edlira Çepanit nga “Rrjeti Barazi në Vendimmarrje”, kjo nuk duhet të vijë e sforcuar vetëm sepse e parashikon ligji, por të kthehet në diçka të natyrshme. Për më tepër, ajo tregon se mungon aksesi për gratë në financat politike.

“Në këtë rast, duket vullneti i partive politike për të garantuar barazinë përtej parashikimeve ligjore të kuotave gjinore. Edhe nga numri i ulët i grave kandidate (15 prej 144), duket që ka ende shumë punë për të bërë me partitë politike, që përfaqësimi i grave në listat e kandidatëve të jetë natyral dhe jo nëpërmjet detyrimit ligjor të kuotave. Nga 3 studimet dhe 1 fokus grup që Rrjeti Barazi në Vendimmarrje ka ndërmarrë, rezulton se gratë dhe vajzat nuk kanë akses në financat politike, as gjatë fushatës zgjedhore dhe as si pjesë e strutkurave të partisë politike (forumet e grave). Ky është një problem për adresimin e së cilit Rrjeti Barazi në Vendimmarrje ka kërkuar një ndryshim ligjor, i cili të përcaktojë që një përqindje e financimit publik t’u kalojë Forumeve të Grave brenda partive politike”.

Image

Kuota në letër që nuk respektohen

Përveç kryetarëve të bashkive, situata nuk paraqitet më e mirë dhe në nivel administratorësh apo zv/kryetarësh. Ligji për vetëqeverisjen vendore përcakton se zëvendëskryetarët e bashkisë duhet të jenë në masën 30% të gjinisë femërore. Gjithashtu duhen respektuar në mënyrë të njëjtë për secilën gjini procedurat dhe kriteret e konkurrimit në administratën e bashkisë si dhe respektimi në masën mbi 30% për secilën gjini në zgjedhjen e organeve drejtuese të bashkisë, administratorëve dhe në punësimin në administratën bashkiake dhe bordeve (administratorë, pozicionet sekretar i përgjithshëm, drejtor departamenti, drejtor drejtorie, përgjegjës sektori, drejtor ndërmarrje/agjencie dhe borde me pjesëmarrje 30% gra).

Aktualisht asnjë prej këtyre parametrave nuk është respektuar në 100 përqind të bashkive të vendit. Sipas një studimi të organizatës HELVETAS, shkeljet fillojnë që tek mosrespektimi në masën mbi 30% për secilën gjini në zgjedhjen e zëvendëskryetarëve të bashkisë. 15 Bashki, ose 25% nuk plotësojnë detyrimin ligjor prej 30% gra në zgjedhjen e zëvendëskryetarëve të bashkisë.

Image

Po sipas të njëjtit studim, rezulton se 49 Bashki, ose 82% nuk plotësojnë detyrimin ligjor prej 30% gra në pozicionin e administratorëve (Elbasan 25%, Lushnje 25%, Shkodër 0%, Bashkia Dropull 0%, Këlcyrë 0%, Prrenjas 0%, Cërrik 0%, Durrës 0%, Krujë 0%, Dibër 0%, Kuçovë 0%, Poliçan 0%, Finiq 0%, Kurbin 0%, Pustec 0%).

Image

Nga ana tjetër, situata paraqitet disi më e përmirësuar sa i përket grave të punësuara në administratën bashkiake, ku rezulton se vetëm 3 Bashki (Patos, Kavajë, Peqin), ose 5% nuk plotësojnë detyrimin ligjor prej 30% gra të punësuara në administratën bashkiake. 100 % e bashkive raportojnë që sigurojnë respektimin në mënyrë të njëjtë për secilën gjini të procedurave dhe kritereve të konkurrimit gjatë emërimit të punonjësve në bashki.

Image

Por edhe respektimi në masën mbi 30% në zgjedhjen e organeve drejtuese të bashkisë lë për të dëshiruar. Konkretisht, për pozicionet drejtuese në administratën bashkiake, për drejtor departamenti në 9 bashki, rezulton se 3 nuk e kanë plotësuar detyrimin për 30% gra; për drejtor drejtorie në 55 bashki, rezulton se 16 nuk e kanë plotësuar detyrimin për 30% gra; për përgjegjës sektori në 57 bashki, rezulton se 11 nuk e kanë plotësuar detyrimin për 30% gra dhe për borde me pjesëmarrje 30% gra, nga 38 bashki, 5 nuk e kanë plotësuar një detyrim të tillë, ndërsa për pozicioni sekretar i përgjithshëm 9 nga 34 bashki që e kanë këtë pozicion, janë gra.

Image

Në fakt, problematikat vihen re jo vetëm në këtë drejtim, por edhe shumë të tjera, ku dallohet qartazi diferencimi dhe mosrespektimi i plotësimit të kuotave për gratë, siç përcakton ligji. Gjetjet kryesore të raportit nxjerrin në pah edhe problematikat në fusha të tjera:

75% e bashkive (45 Bashki nga 60) nuk e dinë sa është raporti i shpenzimeve për politikat gjinore ndaj shpenzimeve të përgjithshme dhe e raportojnë atë.
58% e bashkive (35 Bashki nga 60) nuk kanë vendosur tregues gjinorë, brenda sistemit të treguesve, për matjen e performancës në administrimin e shërbimeve publike.
100% e bashkive (60 Bashki) përgjigjen që nuk kanë një strukturë specifike, e cila monitoron treguesit gjinorë gjatë monitorimit të performancës së shërbimit.
Nga 10 Bashki që japin grante për bujqësinë, vetëm 3 prej tyre plotësojnë detyrimin ligjor, që të paktën 30% të përfitohen nga gratë.
16 Bashki nuk mbledhin asnjë statisktikë gjinore. Vetëm 3 Bashki mbledhin dhe përpunojnë statistika vendore të ndara sipas gjinisë në të gjitha funksionet
100% e bashkive (60 Bashki) nuk plotëson të gjitha kriteret e ligjit për strehimin social për kategoritë e strehimit dhe kategoritë e përfitueseve gra/vajza.
Vetëm 23 % e bashkive (14 Bashki) kanë strehëza si shërbim i kujdesit shoqëror për gratë, vajzat shtatzëna, prind i vetëm apo viktima të dhunës familjare.

Image

Agron Haxhimali, ekspert i politikave vendore

Agron Haxhimali, ekspert i politikave vendore thotë se ligji është i qartë, por në këtë rast mungon vullneti për zbatimin e tij me përpikmëri.

“Ndërsa 30% në listat për zgjedhje është mëse i respektuar sepse ka një filtër, siç është KQZ-ja, në administratë mungon ky filtër. Është thjesht në vullnetin e titullarit dhe të institucionit. Në këtë rast kanë përgjegjësi edhe bashkia, edhe kryetari. Ligji në nenin 28 përcakton masa gjobe për titullarin që varion nga 30.000-80.000 lekë. Por është institucioni, siç është bashkia, që gjobitet për këtë mosrespektim të 30%-ëshit me 60.000-100.000 lekë.

Deri tani efektet duken të varfra, por edhe masat disiplinore janë po kaq të pazbatueshme. Zgjidhje do të ishte ndërgjegjësimi dhe edukimi, masa të forta disiplinore, denoncime publike etj. Por mendoj se së pari duhet të ndryshojnë sjelljen titullarët e bashkive. Pushteti i tyre duket kur zbatojnë ligjin me korrektësi.”-shprehet Haxhimali.

Po gratë e pakicave kombëtare?

Nëse situata është problematike për përfaqësimin e grave në nivel vendor, pengesat dyfishohen për gratë nga pakicat kombëtare. Anëtarët e komunitetit rom/egjiptian, ndihen tërësisht të papërfaqësuar në këshillat bashkiakë të vendit. Romina Sefa, drejtuese ekzekutive e Qendrës për Advokim Social, vë theksin në vështirësitë e personave që duan të kandidojnë si anëtarë të pavarur në këshill bashkiak.

“Aktualisht në nivel kombëtar vetëm 1 person nga komuniteti rom ka arritur të përzgjidhet si anëtar i këshillit bashkiak në bashkinë Fier, ndërkohë që në të gjitha bashkitë e tjera nuk ka. Kemi pasur anëtar këshilli para 4 vitesh, por sot ata nuk janë rivendosur më në vendin e tyre dhe janë hequr nga këto parti për shkak se nuk mblodhën votat e mjaftueshme që të përfaqësonin interesat e partisë dhe komunitetit që përfaqësojnë.”

Zgjidhjen Romina e sheh tek lehtësimi i procedurave për ata që e shohin veten të kandidojnë si të pavarur në këshillat bashkiakë.

“Përfaqësimi në Këshillat Bashkiakë nuk duhet të trajtohet njëlloj si përfaqësimi politik në nivel qendror, siç janë zgjedhjet parlamentare. Kjo sepse përfaqësimi vendor duhet të jetë shumë herë më i thjeshtë e praktik pasi përfaqëson interesat e një grupi shumë më të vogël krahasuar me atë kombëtar. Për rrjedhojë do të duhet që dhe procesi i aplikimit apo procedurat e tjera që parashikon ligji, të jenë më të thjeshta në këto raste dhe t’i jepet më shumë mundësi këtyre kandidatëve, sepse jo të gjithë e shohin veten të përfaqësuar nga partitë politike për shkak të ideologjive apo qasjes që ka secila parti që është në fuqi.”-arsyeton ajo.

Image

Romina Sefa, drejtuese ekzekutive “Qendra për Advokim Social”

Në rastin e pakicave kombëtare, përfaqësimi i grave në nivel vendor është zero.

“Lidhur me përfaqësimin e grave të pakicave kombëtare në politikë, nuk ka fare përfaqësim politik nga gratë rome apo egjiptiane dhë as ndonjë iniciativë e cila të mund t’i lehtësonte përfshirjen e tyre në politikë dhe në rritjen e kapacitetit të tyre përsa i përket përfshirjes në rrugën politike, qofshin këta të pavarur apo jo.”-thotë Sefa.

Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri AWEN, ka publikuar së fundmi një raport analitik (“Përfaqësimi politik dhe pjesëmarrja e grupeve të nënpërfaqësuara në procesin zgjedhor”), i cili nxorri në pah problematikat që lidhen me mungesën e diversitetit të grupeve vulnerabël në përfaqësimin politik. Analiza u krye veçanërisht për gratë, të rinjtë, minoritetet Rome/Egjiptiane, komunitetin LGBTIQ+ dhe persona me aftësi ndryshe. Në procesin e zgjedhjeve lokale të këtij viti, studimi nxorri në pah se barrierat shoqërore dhe individuale janë gjithnjë të pranishme, pavarësisht se nuk ka pengesa ligjore për pjesëmarrjen e këtyre grupeve në partitë politike apo proceset zgjedhore. Sipas raportit, përfaqësimi politik për grupet sociale mbetet një sfidë e vazhdueshme dhe ata nuk janë ende në gjendje të marrin pjesë apo të përfaqësojnë interesat e tyre në proceset demokratike. Raporti nxjerr në pah se në partitë politike shqiptare mungojnë strategjitë për fuqizimin e grave dhe të rinjve.

Romina këmbëngul se përfaqësimi politik i minoriteteve duhet të jetë më i hapur sesa thjesht partitë.

“Nuk ka vetëm një tipologji grupimi, por bëhet fjalëpër aktivistë, për organizata, qytetarë, persona që janë me ndikim në jetën sociale nëvend dhe atë shoqërore. Për shembull, ka nga ata persona të cilët nuk e shohin veten që të përfaqësohen nëpërmjet forcave politike në fuqi, por dëshirojnë të kandidojnë si të pavarur në këshilla bashkiakë. Në këtë rast duket si mision i pamundur për shkak se përqindja e votave që do të duhet të mbledhësh është e përcaktuar me kuotë dhe në varësi të numrit total të popullsisë së atij vendi. P.sh, nëse dikush do donte të kandidonte si kandidat i pavarur në Bashkinë Tiranë, do duhet të bënte një fushatë e një luftë shumë të fortë për të bindur qytetarët e tjerë që në rastin konkret nuk janë romë apo egjiptianë të bashkisë Tiranë, për të bindur dhe arritur numrat që të dalë si anëtar këshilli. Në Tiranë, në varësi edhe të popullsisë duhen edhe më shumë vota, ndërsa në një bashki me numër më të vogël të popullatës mund të jetë relativisht më e lehtë. Ky është një rast për të treguar qëjo të gjithë kanë prirje të kandidojnë me partitë kryesore qëjanë në vend si PS apo PD.”

Por edhe në rastet kur këto shtresa të margjinalizuara përfaqësohen përmes partive të mëdha, sipas znj. Sefa është thuajse e pamundur të fitojnë një vend në këshill bashkiak, për shkak të renditjes në vendet e fundit.

“Kjo tregon në fakt edhe njëfarë qasje që partitë politike kanë kundrejt përfaqësimit të shtresave në nevojë. Ndoshta nuk kanë tendencë negative, por mendoj se të tilla imazhe të këtyre personave, të cilët janë të identifikueshëm nga komuniteti dhe njohin nevojat e tyre, përdoren kryesisht për efekt të partive politike që janë më të fuqishme dhe kanë rolin më kryesor në vend. Qëllimi është të mbledhin sa më shumë vota nga simpatizantët e këtyre personave që ata fusin në listë, duke rritur pritshmëritë që ndoshta do i përfshijnë në kandidimet e tyre.”

Si përfundim, mund të thuhet se edhe me këto zgjedhje lokale, megjithë rregullimet ligjore që janë bërë, ato vijojnë të mbeten të papërfaqësuara siç duhet në strukturat e pushtetit lokal, për shkak të mungesës së vullnetit nga partitë politike dhe administratat e reja zgjedhore.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco