Kronikë e belasë së ministrave me burrat dhe krapi në mes si dilemë historike!

Kronikë e belasë së ministrave me burrat dhe krapi në mes si dilemë historike!

Nga Agron Gjekmarkaj - 27/04/2024

Gruaja fut shejtanin në shishe, thotë një proverb, por ministret tona medet, jo nuk ia dalin, hynë në shishen e burrave, thotë ai i bekuar Salianj.

Dikur të gjorat gjenin burrë, siç e ka thënë Zoti vetë me gojë, siç burrat gra. Disa ishin vajza normale e gjetën burra normalë, disa edhe pse normale, gjeten çamarrokë me vese e me ndonje lek.

Ata nuk e kursyen paranë në ditë të zezë dhe një ditë gratë e panë veten ministre, burrat u ndjenë mirë.

Dikur thonin parja e bardhe në ditë të zezë, tani ta shtojmë paren e zezë per ditë të bardha. Kur e zgjedh burrin per qejf, nuk bën t’ia thyesh zemrën.

Tahmaja shtohej, diku prona, diku tendera, diku emerime, ndoj allishverish tjeter, bereqet, bereqet, tërmet, tërmet vikat Damua!!

Ndonjë humbi vite më parë postin se burri shfaqej si qerrata në faj, ndonjë se teper çapken, të tjera mund të ikin se ai nuk mban nervat me vartesit e gruas se nxjerr biçakun, i fut një thikë në ije dhe një në prapanicë aq sa aktualizohet shumë thënia 'o zot ruana  b….nga burri i shefes'! Tani duhet vrapuar tek Sigal per të siguruar të prapmen si zonë ekskluzive more të uruar.

Ndonjë bën sekserin poshte e perpjete dhe nga frika e pergjimeve i shkruan shifrat neper letra dhe i djeg me çakmak dhe pjesen tjeter te komunikimit e bën me gishta e me mimikë si cjap buzëprerë!

Ç’kohëra more aman, ç’kohëra. Më mirë mos të kesh burrë fare si ka ardhë stina e moti. Të mendohesh gjatë kur martohesh! Ta shtrëngosh mirë fiqirin! T'i thuash rradakes përqendrohu!

Tani e tutje Babo terbieti  ishallah nuk do ndaloje martesat për ato që duan të bëjnë karrierë dhe do japë urdhër që të ndahen ato që duan ta vazhdojnë atë!!

Qeveria ka rëndësi, paraja, jo dënglat sentimentale prej mikroborgjezësh.

Familjet e pushtetit e kanë të madhe ngasjen dreqërit, të tjerët jetimë!

Pardje një nga enigmat e mëdha që trazonin shqiptarët nder dekada u duk sikur u shua krejt si thëngjilli nën furinë e argumentit si ujë.

Por iluzion paskësh qenë, befas pas tulatjes së parë, ajo u ndez përsëri si një debat intelektual, politik, gastronomik, biologjik me përmasa tragjike mes eksponentëve të mazhorancës.

Zëvendëskryeministrja Belinda nga Ulëza e shoqëruar nga Tezja e partisë, e cila e ndiqte me admirim dhe gëzim, e gatshmë të llapashitej vete në ujë për të kapur ndonjë shprazi gezueshëm mbi “Botën shqiptare” lajmin se krapi i Ulzës është ku e ku më i mirë se krapi i Shkodrës. Ajo tha që ai është edhe gjellë edhe mish. Nën kujdesin e partisë do bëhet më i gjatë se Ulsiu dhe më i mençur se Shalsi. I brumosur me idealet tona ai do te jete solidar, social, socialist dhe i thekur majtist. Tezja u mallëngjye. Mes ngashërimit tha ta duam si shok partie! Dhe kur të ngrohemi pranë zjarrit të jugut mejtimet tona tek ky krap safi të përqendrohen!

Ky ishte një përfundim historik nga ana e saj, por në Shkodër lajmi u përjetua si shpallje lufte. Krenaria e qytetit të vjeter u shkryth. Vetë Mamica alias “Madonna di Scutari”, u kreshpërua, u mvrenjt, mrroli vetullat dhe zjarr i dha zemërimit. Si guxueka ajo që karasin krapin kinez ta krahasoje me atë që është këtu që kur keto troje u sajuan! Ai levend krap ushqeu Teuten, Gentin, Balshajt, Venecianet, Karahamahmutin, Ditmirin, Ilir Beqen dhe Benetin ! Tjeter çka natyra vetë perpoq tjeter shumimi artficial, ja per shembull ne pranë Babos u rritem bio jo si shtogu në meze. Shihni ata pranë Muços si rasat”.

Ky debat duket si një shperthim berthamor në gjirin e mazhorances ku e ku me i forte  se denoncimi i Gaz Bardhit, reportazhi i Rai 3, Drejtorët me 5 dhe ata pa numer. Mbrëmë naten Babua mblodhi shtatmadhorinë e tij dhe caktoi një komision të përbërë nga Mete, Nikoqiri, Etjeni, Gonxhe dhe Klosi të cileve u la detyrë që të hanë krap çdo ditë per tre muaj, një ditë nga i Shkodres një tjeter nga i Ulzes, ta hanë ngadalë e me shije, të rrinë shtrember e të flasin drejt dhe mos të nguten në konkluzione të shpejtuara.

Një komision i posaçem në udheheqjen e Kostes së Gramozit e Lindites, do regjistrojë gromësimat, kohëzgjatjen e tyre, duhmën dhe acidet që shpërndan. Ai në fund do ju dhurojë librin e tij të ri “mbi mireqënien sociale”. Do varin turinjtë se helbete librat u shkaktojnë të kruara e kollitje, po ai citon Babo rilindasin dhe “dritë e diturisë përpara do na shpjerë” e ata ulin kokën.

Babua, virani, këshilloi gjithsesi mirë është mos të shpallet superior njëri krap nga tjetri, por të vihet theksi tek e ndryshmja si vlere e gjithësecilit që konflikti të shmanget, për aksh arsye ha të Shkodrës, për të tjera të Ulëzës. Qerratenj burra, qerrata krap, qerratesha dilema e maraze!

( Analize satirike)

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco