‘Kolegët’ e Veliajt dhe vjedhja në ‘5D’

‘Kolegët’ e Veliajt dhe vjedhja në ‘5D’

Nga Avni Nezaj - 08/05/2024

Skandali i radhës, ku drejtorë të Bashkisë së Tiranës së Lali Erit e që nuk janë shpellorë, paskan vjedhur me karrocë e me lopatë nga ato që mbjellin mashtrimin me pemët, me miliona euro të qytetarëve shqiptarë, ka shokuar opinionin publik. Edhe opinioni ndërkombëtar, që deri vonë e ka ngrënë sapunin për djathë për shkak të manipulimeve mediatike apo nëpërmjet raporteve të manipuluara të shoqatave të sponsorizuara nga Veliaj me shumicë, ka filluar të kuptojë se çfarë bande hajdutësh ka në Bashkinë e Tiranës dhe çfarë kryehajduti ka bashkia që pretendon që të marrë drejtimin e Partisë Socialiste pas Edi Ramës.

Rast për t’u studiuar

Kisha dëgjuar për korrupsion, për abuzime, për skandale kur merrej deri 20 apo 30 për qind. Për pjesëmarrje në aksionet e ndonjë biznesi si pjesë e korrupsionit. Por vjedhje si kjo e 5D nuk kisha dëgjuar. Kam filluar ta kuptoj detaje pas detajesh që nga publikimi i thërrimeve të para që janë trashur aq shumë sa po shpërthejnë.
Ata që bënin tenderin, kishin krijuar firmat e tyre dhe paratë e tenderave të bashkisë ia jepnin vetes e i ndanin për shtatë palë qejfe. Vjedhje shqeto. 
Pensionistët s’ka gjë se rrojnë me 130 euro në muaj dikush edhe më pak. Punët e tenderëve të shkojnë vaj se s’ka probleme tjera në Tiranë. Ujin e pijshëm e keni në dyqan, kush tha se nuk ua solli bashkia, afër të paktën, se ju e donit në çezma. Hip këtu e shiko Stambollin, thoshin të parët tanë. Nuk ka ndryshuar shumë po atëherë kishin kroin e fshatit. Edhe rrugët e trafiku për njerëzit janë. Ndodh në të gjithë botën. Mos hapni gojën. Bëhen edhe filma me trafik të madh. Mungese rrugësh e parkingjesh. Bëhen filma te bukur.

Vjedhja përgjegjësi individuale!!!!????

Kurse vjedhja institucionale si grup i strukturuar kriminal është përgjegjësi individuale. Kjo është shpikja e re e rilindasve edhe të rinj edhe të vjetër. E nisi Rama kur i shpërtheu qelbi në qeveri. E mbajnë ison të gjithë drejtuesit e institucioneve kryesore. E tani se fundi edhe Erion Veliaj i inceneratorëve dhe 5D. Përgjegjësia është individuale ua kishte thënë edhe kolegëve hetues të SPAK, të cilët e morën në pyetje si koleg për nja 8 orë dhe si koleg e pritën dhe përcollën. Doli në sabah e mashtroi për thirrjen. Doli edhe pasdite e tha kam shkuar vetë në SPAK. Por SPAK nëpërmjet medies e përgënjeshtroi. Por mashtruesi as një falje nuk kërkoi, të paktën kolegëve te SPAK-ut, vijon me “dëshirën” për të takuar kolegët. Se qytetarët janë dorë e fundit. Sidomos ata që e kanë votuar pa ja shitur votën apo pa ja vjedhur me manipulime. Këta ti respektonte. Të paktën.

Mashtrimet me ERTV dhe vjedhjet me 5D

A ju kujtohen projektet e mëdha të rilindjes që reklamoheshin në ERTV. I prezantonte Rama, i hidhte dhe i prisnin kandidat e tij për deputetë dhe kryetar bashkish. I shpërndanin në rrjetet sociale. Te bllokonin telefonin, televizorin, radion makinën. Gjithçka.
Mashtrime bio me një standard të lartë teknik. Po për çudi këta nuk heqin dorë nga ky sistem. Tani kanë teknikën 5D që vjedh deri ne rrjepje paratë publike që duhej të përdoreshin për shërbim ndaj qytetarëve por u përdoren dhe po përdoren për të mbushur xhepat e thellë të rilindasve me pushtet. Sot disa janë akoma në qeverisje, disa ne burg e disa ne arrati. Prandaj protesta vetëm me tërhiq e shtyj, të gardhit metalik nuk e kryejnë tamam punën dhe “kolegu” Veliaj e kolegët e tij në qeveri do vijojnë të vjedhin. Një opozite që populli i vidhet dhe që kryetarin e ka në burg politik nuk i ngelen shumë alternativa.

Bashkia si monument... hajdutësh

Mos goditni me molotov bashkinë pasi është një monument kulture, thoshte në njërën nga daljet e tij publike Erion Veliaj. Një tallje rrënjësore me atë çfarë mendojnë qytetarët dinjitozë të Tiranës që në mes të natës panë me sytë e tyre barbarinë e antivlerave që të shembnin me ekskavator Teatrin Kombëtar apo shtëpitë e vjetra tiranase, monumente kulture që të ndërtojnë kulla.
Po deri tani përveçse i është thënë çelësi i Tiranës antishqiptarit Bregoviç, tjetër akt kulturor në këtë godinë nuk ka pasur. Po për tu kujtuar është se nga kjo godinë kanë shkuar në burg disa drejtorë të akuzuar për vjedhje. E nëse vjedhja është monument kulture atëherë Veliajt i duhet bërë një statujë aty përballë diku, nëse ngelet vend për të.  Ka shumë gjatë këtyre viteve të fundit që e kanë plotësuar këtë kriter tipik rilindas.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco