Nacionalizmi i Ramës në funksion të projekteve të Vuçiç

Nacionalizmi i Ramës në funksion të projekteve të Vuçiç

Nga Agim Nesho - 18/05/2024

Sa herë që ngrihen tonet nacionaliste në Ballkanin Perëndimor, i përfituari i madh është vetëm Vuçiç dhe nacionalistët e tij në Beograd. Ai po përpiqet me kohë të ‘mbrojë hapësirat serbe’ në Ballkan dhe të fitojë dicka për Serbinë, pas ‘padrejtësive’ që Perëndimi i ka bërë Serbisë në dekadat e fundit.

Tonet patriotike dhe retorika e ashpër e Ramës në Athinë, për nacionalistët serbë është ajo që ata duan. Një Ballkan që zien nga nacionalizmi është një Ballkan që do zgjidhje. Prandaj ata provokojnë në Bosnjë-Hercegovinë me Dodik të Republikës Srspka, provokojnë në Veriun e Kosovës dhe në mënyrë të vazhdueshme provokojnë në Malin e Zi për të rritur influencat e tyre. Duke rritur tonet nacionaliste në Greqi, Rama ju ngre topin për projektet e tyre gjeopolitike në rajon: - Së pari, patriotizmi i tij me Greqinë krijon një ftohje në marrëdhëniet midis vendeve dhe vonesë në njohjen e mundshme që Greqia mund ti bëjë Republikës së Kosovës. Njohja e Kosovës nga një shtet i rëndësishëm si Greqia do të thoshte që dhe katër shtetet e tjera Qipro, Rumani, Spanjë dhe Sllovaki do ta kishin më të lehtë të ndryshonin qëndrim. Sipas qarqeve diplomatike flitet se sa herë që Greqia ka dashur të avancojë pozicionin e saj ndaj Kosovës ka ndeshur në indiferencën dhe heshtjen e regjimit të Rilindjes.

Së dyti :- Projektet e Serbisë në Ballkan njohin vetëm regjimin e Tiranës si partner, një partner vasal që mund ti mundësojë Serbisë rritjen e dominimit serb në Ballkan dhe rikthimin e Serbisë së Madhe, me një kompromis që do të vinte nga mosnjohja e Kosovës ose ndarja e saj. Me rritjen e tensioneve me Greqinë, Rama hedh poshtë projektin e paqes dhe stabilitetit të përkrahur nga Kryeministri Kurti, i cili për të balancuar nacionalizmin serb punon për forcimin dhe funksionimin e një boshti tjetër të politikës së jashtme me vende demokratike si Greqia, Kroacia, Bullgaria për të ekuilibruar tendencat revizioniste të Serbisë në Ballkanin Perëndimor.

Mbështetja për Ramën u duk qartë në deklaratën e nacionalistit pro-rus A. Vulin, i cili e quajti retorikën e Ramës përpjekje për krijimin e Shqipërisë së Madhe. Ky ishte dhe shërbimi i fundit i regjimit të Vuçiç për të forcuar dhe mbajtur Ramën si një lojtar të domosdoshëm për projektet e tyre, në kohën kur korrupsioni galopant dhe skandalet e shumta kanë shkatërruar në Shqipëri regjimin e Ramës.

Në kushtet e një situate kritike gjeopolitike në Europë, e krijuar nga veprimet revizioniste dhe destabilizuese të Rusisë për të rritur influencat e saj në Europë, Perëndimi vazhdon të zbatojë politikën e tij të paqtimit (appeasement) për Serbinë për ta mbajtur atë afër BE-së. Perëndimi mbyll sytë kur sulmi terrorist në Banjska, i sponsorizuar nga shteti serb mbetet i pandëshkuar, madje e ‘qetëson’ Vuçiç me konjak në Francë; hesht kur Serbia mbetet i vetmi vend në Europë që nuk vendos sanksione ndaj Rusisë; bën sikur nuk kupton kur rrëmbehen në territorin sovran të Kosovës pjesëtarë të policisë shtetërore; hesht kur qeveria e re e Serbisë mbushet me miq të Putinit dhe Rusisë; kritikon qeverinë e Kosovës kur ajo kërkon të vendosë sistemin europian të euro-s por nuk thotë asgjë kur nënkryeministri i Serbisë bën thirrje për tu bashkuar me Global South, e cila ka si qëllim për të thyer rendin liberal botëror dhe të godasë dollarin si monedhë ndërkombëtare. Në të gjithë këto raste është gjetur Kosova si shteti që duhet të pranojë pa kushte pretendimet e nacionalistit Vuçiç. Kosova ndjehet e dobët se në krah të Serbisë dhe Vuçiç qëndron për interesa të pushtetit Rama.

Në situatën tepër delikate që po kalon Europa dhe prirjet për ta kthyer Ballkanin Perëndimor një fushë betejë të Perëndimit me Rusinë shoviniste, mbetet vetëm një veprim për tu bërë nga shqiptarët: Ndryshimi i regjimit autokratik të Tiranës, i cili disbalancon dhe relativizon çdo përpjekje, qëndrim apo veprim që vjen nga Kosova. Çështja e rivendosjes së demokracisë në Shqipëri dhe ndryshimi i elitës qeverisëse duhet bërë edhe për një arsye madhore:  - Interesat e kombit Shqiptar.

Largimi i Ramës nga pushteti prish projektin për të ashtuquajturin stabilitet ballkanik dhe dobëson politikat nacionaliste të Vuçiç për rajonin e Ballkanit. 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco