Deputetja e PD, Jorida Tabaku ka zhvilluar një takim me Ministren e Çështjeve Europiane të Malit të Zi, Maida Gorceviç.
Një takim shumë i frytshëm me mikeshën dhe Ministren e Çështjeve Europiane të Malit të Zi, Maida Gorceviç, shkruan Tabaku.
Sipas saj, Mali i Zi nuk është rastësisht vendi që ka avancuar më shumë në procesin e integrimit europian. Pas këtij progresi qëndron një angazhim i qartë politik, një administratë e përqendruar te reformat dhe një proces që trajtohet si një prioritet kombëtar.
Po aq e rëndësishme është mënyra se si agjenda europiane ndahet dhe diskutohet me opozitën, Parlamentin dhe aktorët e tjerë. Integrimi nuk është pronë e një qeverie, por një projekt kombëtar.
Ky është një mësim që duhet ta marrë edhe Shqipëria.
Qeveria shqiptare nuk ka asnjë arsye ta mbajë të mbyllur procesin e integrimit në zyrat e burokracisë. Përkundrazi, ajo duhet të ndajë me transparencë agjendën e negociatave, prioritetet, sfidat dhe rrugën që po ndjek, jo vetëm me opozitën, por me të gjithë shqiptarët.
Vetëm një proces i hapur, transparent dhe gjithëpërfshirës mund të ndërtojë besim dhe të garantojë reforma të qëndrueshme. Integrimi europian nuk bëhet me propagandë apo me komunikim njëkahësh. Ai kërkon dialog, përgjegjësi dhe përfshirje.
Ky është shembulli që jep Mali i Zi. Ky është edhe standardi që duhet të ndjekë Shqipëria.
© SYRI.net