Në protestën e 52-të radhazi ku kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, një prej pjesëmarrësve ka mbajtur një fjalim të fortë denoncues ndaj qeverisë shqiptare dhe parlamentit, duke i akuzuar për heshtje pas deklaratave të ministres serbe që kanë shkaktuar reagime në opinionin publik.
Në fjalën e tij para protestuesve, qytetari u ndal te deklarata e zyrtares serbe, duke e cilësuar atë si një thirrje të papranueshme ndaj shqiptarëve të Kosovës. Sipas tij, reagimi i institucioneve shqiptare ka munguar dhe kjo përbën, sipas tij, një dështim të detyrimit kombëtar.
‘Përshëndetje, mirë se keni ardhur qëndrestarë.
Deklaratë e plotë denoncimi, mbi heshtjen kriminale të qeverisë dhe parlamentit shqiptar përballë deklaratës gjenocidiale të ministres serbe.
Ministrja serbe foli publikisht para kamerave, pa ndrojë, pa turp. Ajo tha: ‘Po të isha në kohën e Millosheviçit, do të kisha pastruar etnikisht Kosovën nga shqiptarët’. Kjo nuk është një deklaratë rasti. Kjo nuk është një rrëshqitje gjuhe.
Kjo deklaratë nuk është një mendim personal. Kjo është një thirrje e hapur për gjenocid. Kjo është një kërcënim ndaj ekzistencës të një populli autokton në Kosovë. Kjo është një kthim i vëmendjes së saj në masakrat, zhvendosjen dhe varrezat masive në Kosovë.
Dhe çfarë bëri Shqipëria? Heshti. Heshtja e Shqipërisë është një fyerje e dyfishtë. Parlamenti shqiptar, ai që mban emrin e një shteti që u ndërtua mbi kockat e atdhetarëve, nuk bëri asnjë rezolutë.
Qeveria shqiptare, ajo që pretendon se mbron interesat kombëtare, nuk bëri asnjë protestë zyrtare. Asnjë deklaratë të përbashkët, asnjë thirrje për dënim ndërkombëtar, asnjë kërkesë për tërheqje të fjalës, vetëm heshtje.
Një heshtje që nuk është diplomatike, një heshtje që nuk është maturi, një heshtje që nuk është strategji, një heshtje që është tradhti. Kushtetuta e Shqipërisë në nenin 8 thotë qartë: Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj. Si i mbron duke heshtur përballë një thirrjeje për pastrim etnik? Kur një ministre serbe thotë se do të pastrojë Kosovën, ajo nuk fyen një qeveri.
Ajo fyen çdo shqiptar kudo që jeton. Ajo po fyen viktimat e gjenocidit serb. Ajo po fyen të mbijetuarit e masakrave. Ajo po fyen kockat e të rënëve që nuk u varrosën kurrë. Ajo fyen mbi 1470 foshnja të masakruara të shqiptarëve autoktonë të Kosovës.
Dhe ju që uleni në karriget e parlamentit, ju që merrni rrogën nga buxheti i shtetit, ju që betoheni në kushtetutë, heshtni. Shqiptarët nuk janë të huaj në Kosovë. Kosova nuk është një krahinë e diskutueshme.
Kosova është shtet i pavarur me shumicë shqiptare autoktone me histori mijëravjeçare. Të jetosh në trojet e tua është e drejtë kombëtare. Këtë të drejtë e kanë paguar shqiptarët me gjak, me burg, me internime, me rrënime. Dhe tani ministrja e serbëve, e serbëve të ardhur saktë nga Karpatet në trojet dardane, kërcënon se përsëri... historinë, dhe ju përfaqësuesit tanë nuk reagoni.
A nuk keni turp? Nuk keni ndjenjë kombi? Nuk keni asnjë grimcë dinjiteti që t'ju bëjë të ngriheni në këmbë? Ne nuk kërkojmë luftë. Ne nuk kërkojmë hakmarrje. Ne nuk kërkojmë asgjë që cënon paqen. Ne kërkojmë një rezolutë, një dokument, një fjalë zyrtare, një akt që thotë: kjo deklaratë është e papranueshme dhe Shqipëria e dënon atë.
Rezoluta nuk është luks, ajo është një detyrë. Asgjë më shumë, asgjë më pak. Dhe nëse nuk keni, nuk jeni në gjendje të bëni as këtë, atëherë pranoni të paktën se nuk jeni në gjendje të mbani detyrën tuaj.
Askush nuk mund të thotë nuk është koha, askush nuk mund të thotë nuk është puna e tyre. Askush nuk mund të thotë nuk duam përkeqësim të marrëdhënieve, sepse marrëdhëniet me një shtet që kërcënon me gjenocid nuk janë marrëdhënie normale.
Ato janë marrëdhënie me një shtet që nuk ka, nuk ka dënuar ende të kaluarën e tij kriminale. Dhe nëse ju nuk keni detyrë, nuk keni detyrën kushtetuese dhe morale për të reaguar, nuk reagoni, atëherë ju jeni bashkëfajtorë.
Jo të gjenocidit, por të heshtjes para gjenocidit. Dhe heshtja para gjenocidit është forma e dytë e dhunës. Ne nuk do ta harrojmë heshtjen tuaj. Sepse kur historia të shkruajë këtë kapitull, ajo nuk do të kujtojë vetëm ministren serbe që ndërronte pastrimin etnik.
Nuk do të kujtojë vetëm gjenocidin e ardhacakëve në Ballkan, por do të kujtojë edhe deputetët shqiptarë që ulën kokën, do të kujtojë edhe qeverinë shqiptare që nuk gjeti asnjë fjalë. Sepse kur kërcënimi i gjenocidit vjen, heshtja e mbrojtësve është arma e dytë e armikut.
Atdheu nuk është barrë, atdheu është prehje. Por prehja nuk ka aty ku pushteti zgjedh të heshtë kur flet gjenocidi. Prehje nuk ka aty ku parlamenti bëhet skenë e pashoqëruar e pikëllimit.
Prehje nuk ka aty ku qeveria thotë 'nuk është problemi ynë' përballë kërcënimit të ekzistencës. Ne s'kemi nevojë për karrige. Kemi nevojë për zë. Dhe nëse ju nuk keni zë, ne kemi zë!’, u shpreh qytetari gjatë fjalës së tij.
© SYRI.net