Në fjalën e tij në protestën e 52-të, aktivisti Andi Tepelena u shpreh se qytetarët nuk mund të mashtrohen më nga propaganda e qeverisë, duke adresuar një mesazh të drejtpërdrejtë ndaj Taulant Ballës.
“Merr rrugët, propagandës i ka dalë boja”, deklaroi Tepelena, teksa akuzoi mazhorancën se po përpiqet të minimizojë një protestë që po fiton mbështetje të gjerë.
Tepelena theksoi se mbështetja për protestën po rritet çdo ditë, nga shqiptarët brenda vendit dhe diaspora, ndërsa përmendi edhe reagimet ndërkombëtare si një sinjal të rëndësishëm për kauzën e tyre.
Ai kërkoi gjithashtu reagim nga institucionet e drejtësisë, duke i bërë thirrje SPAK-ut të hetojë akuzat e ngritura ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
'Sot, në ditën e 52-të, vijojmë të marrim mbështetje ndërkombëtare. Sot ka pasur një reagim nga Internacionalja e Partive të Djathta Europiane, e cila na mbështet. Kjo është mbështetja më e madhe që kemi marrë pas vizitës së eurodeputetëve.
Nëse gazetat lexohen nga e gjithë bota dhe mbështeten nga shqiptarët në diasporë, atëherë nuk bëhet më fjalë për qindra, por për miliona njerëz.
Taulant Balla, ik dhe merr rrugët; propagandës i ka dalë boja.
Një eurodeputet ka bërë një deklaratë të fortë, duke thënë se Rama po pastron para përmes familjarëve të tij. Ne shtrojmë pyetjen: Çfarë po bën SPAK-u? Pse nuk po hap hetime ndaj kryeministrit?
Durimi ka një kufi. SPAK-u duhet të hapë hetimet, të mos i zhgënjejë shqiptarët dhe të tregojë se është në shërbim të interesit të vendit.
Përshëndes shqiptarët që marrin rrugët nga qytetet e Shqipërisë për të ardhur këtu. Kjo lëvizje i ka bërë shqiptarët bashkë, nga lindja në perëndim, nga veriu në jug. Ata besojnë se do të vijnë ditë më të mira, se fëmijët e tyre nuk do të detyrohen të marrin rrugët e emigrimit dhe se prona do t’i kthehet të zotit, drejt një Shqipërie të lirë.'- u shpreh ai
'
© SYRI.net