Sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun në Partinë Demokratike, Viola Kapidani, ka reaguar përmes një deklarate publike duke akuzuar qeverinë e Edi Ramës për mënyrën e menaxhimit të pasurisë publike dhe funksionimit të institucioneve shtetërore.
Kapidani është ndalur te rasti i fundit që lidhet me drejtuesen e Postës Shqiptare në Durrës, duke e cilësuar atë si një tjetër dëshmi të asaj që ajo e quan ‘filozofi të trajtimit të pasurisë publike si pronë private’.
Reagimi i sekretares së Marrëdhënieve me Publikun në PD, Viola Kapidani:
Filozofia e trajtimit të pasurisë publike si pronë private shfaqet cdo herë e më shumë në qeverisjen e Edi Ramës. Rasti i fundit me drejtoreshën e Postës Shqiptare Durrës është dëshmia më e qartë se deri ku ka degraduar ky model qeverisjeje.
Ndërkohë që pensionistët presin ditën e pensionit dhe llogarisin nëse u dalin paratë për një bukë e një shishe qumësht në ditë, fondet publike, sipas akuzave të ngritura nga organet e drejtësisë, dyshohet se janë trajtuar si pronë private, madje deri në pikën që të përdoreshin si ‘çipa kazinoje’. Nuk ka simbol më të rëndë se ky për të dëshmuar degradimin e kësaj qeverije dhe hallkave të shtetit.
Rilindasit duket se jetojnë me bindjen dhe filozofinë se deti është bërë kos dhe se paratë e shqiptarëve mund të përvetësohen pa asnjë kufi e pa asnjë pasojë. Në vend që çdo qindarkë e taksave të përdoret për pensione më dinjitoze, për shëndetësi, arsim dhe mirëqenien e shqiptarëve, ato përfundojnë në qendër të skandaleve që tronditin opinionin publik.
Ky nuk është më thjesht një rast individual. Është pasqyra e një shteti që ka humbur sensin e përgjegjësisë, ku emërimet politike dhe arroganca e pushtetit kanë zëvendësuar meritën, integritetin dhe shërbimin ndaj qytetarëve.
Kur fondet publike trajtohen si plaçkë personale, ndërsa pensionistët vazhdojnë të mbijetojnë me pensione qesharake, është e qartë se problemi nuk është vetëm te individët. Problemi është te filozofia e një qeverie që e ka humbur çdo lidhje me hallet e njerëzve.
© SYRI.net