Gjatë protestës së 50-të radhazi të zhvilluar para Kryeministrisë, një prej qytetareve të pranishme mori fjalën duke e vënë theksin te largimi i të rinjve nga vendi dhe mungesa e shpresës për të ardhmen.
Duke iu drejtuar të pranishmëve, por edhe shqiptarëve kudo në botë, protestuesja u shpreh se rinia shqiptare është pasuria më e madhe e vendit dhe kërkoi që qeveria të mbajë përgjegjësi për situatën e krijuar.
“Jam këtu si një qytetare dhe si një nënë, sepse kur bëhet fjalë për fëmijët tanë, nuk ka kompromis. Ne nënat dimë të falim shumë gjëra, por nuk mund të pranojmë që fëmijëve tanë t’u mohohet e ardhmja në vendin e tyre”, deklaroi ajo.
Ajo i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama, duke u shprehur se të rinjtë nuk duhet të detyrohen të largohen nga Shqipëria për shkak të mungesës së mundësive.
“Fëmijët tanë janë vija jonë e kuqe. Ne nuk i kemi sjellë në jetë që të largohen nga Shqipëria për mungesë shprese, mundësish apo besimi tek e nesërmja”, tha protestuesja.
Sipas saj, çdo ditë familjet shqiptare përballen me largimin e të rinjve dhe me humbjen e besimit te e ardhmja, ndërsa kërkoi që brezat e ardhshëm të mos gjykojnë negativisht atë që po ndodh sot.
Në fjalën e saj, protestuesja kërkoi drejtësi, dinjitet dhe përgjegjësi, duke theksuar se qytetarët duan një Shqipëri ku të rinjtë të mund të ndërtojnë jetën e tyre dhe familjet të jetojnë me siguri.
Në fund, ajo bëri thirrje që qeveria të marrë përgjegjësi politike dhe të largohet nga detyra.
“Kur një qeveri nuk arrin më të dëgjojë zërin e qytetarëve, kur humbet besimin e tyre dhe nuk ofron më shpresë për të ardhmen, atëherë duhet të ketë kurajon të largohet. Shqipëria është më e madhe se çdo pushtet, më e madhe se çdo individ dhe më e rëndësishme se çdo karrige”, u shpreh protestuesja.
© SYRI.net