Gazetari Bledian Koka, i ftuar në studion e "Kafe Shqeto", u shpreh se lëvizja e Elisa Spiropalit brenda Partisë Socialiste kishte krijuar pritshmëri për një përplasje të fortë me mënyrën e funksionimit të kësaj force politike, por reagimi i saj i fundit nuk solli goditjen politike që pritej.
Koka theksoi se, Spiropali u shfaq për një moment si një zë i brendshëm kritik i PS-së, një figurë që mund të vinte në pikëpyetje mekanizmat e partisë, por në fund aksioni i saj mbeti i kufizuar te deklaratat dhe nuk u shoqërua me një përballje konkrete.
Ai tha se letra e Spiropalit evidenton probleme serioze brenda Partisë Socialiste, por shmang emrat, rastet dhe përgjegjësitë konkrete. Sipas tij, kur flitet për "partinë-shtet", standarde të dyfishta apo raportet e politikës me drejtësinë dhe krimin, duhen fakte dhe shembuj konkretë, pasi vetëm konstatimet nuk sjellin një ndryshim real.
Ndër të tjera gazetari u shpreh se Spiropalit i mungoi një komunikim i drejtpërdrejtë me qytetarët dhe një bashkim me atë pjesë të socialistëve që kërkojnë një drejtim tjetër për partinë. Gazetari u shpreh se, mënyra se si u paraqit ky aksion politik e la më shumë në rolin e një figure që ruan imazhin e një kundërshtareje të brendshme të Edi Ramës, sesa të një zëri që shkon deri në fund në përballjen me problemet që vetë ajo evidenton.
Pjesë nga deklarata:
Zonja Spiropali nuk është e fshehur nga kjo gjë. Por, në një moment të caktuar, në një pikë të caktuar, për të gjitha arsyet e botës, ajo ka vendosur që kjo gjë, si me thënë, nuk e përfaqëson më. Edhe mund të ketë bërë aksionet e veta të brendshme dhe, për këtë arsye, karriera e saj, si me thënë, mund të prehet në mënyrë të dhunshme, vetëm katër ose pesë muaj pasi e kishte nisur atë detyrë.
Kështu që, të gjitha këto gjëra, si me thënë, ky lloj mospajtimi me partinë e saj nuk mund të mos njihet. Ajo që ne kemi pritur është që, shpeshherë, domethënë, deri para këtij reagimi, për mua qëndrimi i zonjës Spiropali ishte një gozhdë, ose një spinë dorsale, në kurrizin e Partisë Socialiste, e cila, si me thënë, tërhiqte një lloj vëmendjeje.
Dhe realisht mendoj që gjithë ky reagim dhe gjithë ky qëndrim kishte një lloj, po e quaj kështu, admirimi të jashtëm, për faktin se të gjithë e njohim Partinë Socialiste, e dimë se si funksionon ajo. Pra, ne e dimë fare mirë që, për Elisa Spiropalin, do të ishte shumë më konveniente të rrinte aty, të shërbente, të mos fliste, të mos, si me thënë, antagonizonte brenda partisë, dhe asgjë nga këto që jemi duke diskutuar deri tani nuk do të kishte ndodhur.
Dhe, sigurisht, edhe presioni ndaj zonjës Spiropali, deri te rasti kur tatimet shkuan te bizneset e familjes së saj, nuk do të kishte ndodhur. Pra, shikoni sa e thjeshtë është.
Pra, e vetmja gjë është që ne po e diskutojmë dhe po e analizojmë zonjën Spiropali në kuadrin e pritshmërive politike që ajo ushqeu me reagimin e saj dhe me mospajtimin e saj. Me sfidën që i bëri zotit Rama, kur i tha: "Nuk dua të dëgjoj më asnjë fjalë", dhe, në fakt, pas asaj fjale, pas atij kërcënimi të zotit Rama, erdhi një tjetër status nga zonja Spiropali në rrjetin e saj social.
Unë mendoj që zonjës Spiropali, në aksionin e saj politik, jo domosdoshmërisht si projekt politik, i ka munguar një sqarim i drejtpërdrejtë me qytetarët. Unë do t'i kisha sugjeruar zonjës Spiropali që të kishte tentuar të ndërtonte, si me thënë, një raport më të drejtpërdrejtë me sheshin, me protestën. Ose të kishte tentuar të vendoste një raport më konkret dhe më të qartë, ndoshta me atë pjesë të Partisë Socialiste, që nuk janë pak, të cilët realisht mendojnë se ka ardhur koha që Partia Socialiste të veprojë, të mendojë dhe të drejtohet ndryshe, po të doni.
Gjë që, me sa duket, i ka munguar. Pra, nuk ka pasur një kohezion mes atyre njerëzve dhe ka shumë prej atyre intelektualëve të Partisë Socialiste që kërkojnë që Partia Socialiste të mendojë, të veprojë dhe të drejtohet ndryshe. Kjo nuk ndodhi dhe duket se, për shkak të mungesës së këtij kohezioni, ndoshta për shkak se shumë prej atyre që janë në Partinë Socialiste dhe që janë në antagonizëm me Edi Ramën, besuan më shpejt se ndoshta zotit Rama i ka ardhur fundi vetvetiu dhe ata s'do të bëjnë asgjë, thjesht do të presin radhën, si me thënë, edhe kjo e amortizoi pak lëvizjen.
Gjithsesi, mendoj që ajo që bëri ditën e djeshme zonja Spiropali, në thelb, siç thashë edhe njëherë, i evidentonte të gjitha problemet. Mendoj që mund të ishte... është çështje zgjedhjeje. Mund të ishte me një gjuhë më të ashpër, mund të ishte me shembuj më konkretë. Pra, kur flasim për "partinë-shtet", ku vërehet kjo? Kush është rasti i "partisë-shtet"?
Kur flasim për raportet e politikës, jo vetëm për raportet me drejtësinë, por edhe për raportet e moralit me atë me të cilin përballet Partia Socialiste, pra cili është rasti? E ka fjalën për faktin që mbajti të njëjtin standard... një standard tjetër për Erion Veliajn dhe një standard tjetër për Belinda Ballukun? Apo një standard tjetër për Ilir Beqajn dhe një tjetër për Belinda Ballukun? Apo çfarë?
Apo një gjë tjetër që më mungoi pak në atë tekst: për shembull, raportet që ka, ka apo s'ka Partia Socialiste problematika në lidhje me krimin.
Prandaj them që gjuha ishte... Gjuha kocka s'ka, po kocka thyen. Pra, mund të ishte më e fortë politikisht, mund të tërhiqte më shumë vëmendje. Ndërkohë, mënyra se si ky mocion u paraqit ditën e djeshme e bën më shumë, si me thënë, zonjën Spiropali një njeri që duket se ka reflektuar disi, por akoma mundohet të ruajë atë, si me thënë, aurën e një njeriu që po bën një lloj antagonizmi me Partinë Socialiste, sesa të një njeriu që realisht i vuri gishtin plagës dhe nuk bëri hapa pas në atë që nisi këtu e tre muaj më parë.
© SYRI.net