'E politizuar', Teliti: Banka e Shqipërisë pa transparencë, paraja e pistë dhe euroja po deformojnë ekonominë

10:04, 17/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

I ftuar në studion e "Kafe Shqeto", nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorjan Teliti foli mbi ligjin e ri për Bankën e Shqipërisë, problematikat e funksionimit të këtij institucioni dhe ndikimin e politikave monetare në ekonominë shqiptare, ku u shpreh se përafrimi me legjislacionin europian nuk ka vlerë nëse ligjet nuk zbatohen në praktikë.

Teliti ngriti shqetësime për mungesën e transparencës dhe pavarësisë së Bankës së Shqipërisë, duke theksuar se Këshilli Mbikëqyrës është politizuar, pasi të nëntë anëtarët aktualë janë propozuar dhe miratuar nga mazhoranca, pa një dakordësi me opozitën. Sipas tij, një institucion që duhet të jetë i pavarur nuk mund të funksionojë me një përfaqësim të njëanshëm politik.

Duke u ndalur te ekonomia shqiptare, Teliti kritikoi dështimin e politikës së deeurizimit, duke thënë se objektivat e vendosura nga Banka e Shqipërisë nuk janë arritur. Ai lidhi këtë situatë me mungesën e masave për frenimin e parasë së pistë dhe informalitetit, ndërsa solli si shembull tregun e pasurive të paluajtshme, ku sipas tij, ndërsa ekonomia është rritur me 30-35% në 12-13 vitet e fundit, çmimet e apartamenteve janë rritur me 300-400%.

Teliti theksoi se debati kryesor nuk duhet të jetë vetëm përafrimi i ligjeve me Europën, por zbatimi real i tyre, transparenca e institucioneve dhe depolitizimi i Bankës së Shqipërisë, si elementë kyç për një ekonomi më të qëndrueshme.

Pjesë nga deklarata:

Klientë, qytetarë, të cilët kanë vuajtur gjatë gjithë këtyre viteve ato norma të larta prej 20-25%, tërësisht skandaloze, të cilat pikërisht duhet të mbikëqyreshin dhe duhet të monitoroheshin dhe duhej të merreshin masa pikërisht edhe nga vetë institucioni i Bankës së Shqipërisë.

Pra, këtu kemi një problematikë në Shqipëri. Ky nuk është i vetmi ligj i cili tenton të përafrohet me legjislacionin europian. Janë shumë ligje të tjera; është pjesë dërrmuese e kuadrit ligjor shqiptar, i cili ka ndryshuar apo po ndryshon në kuadër të detyrimeve që ne kemi për integrimin.

Por nuk është thjesht përafrimi objektivi. Objektivi final është se si ato ligje do të implementohen dhe si do të zbatohen. Nuk më intereson mua, si qytetar, apo juve si qytetar, se cili është ligji apo si është rregulluar ligji. Ne na intereson zbatimi i ligjit.

Pra, në rastin konkret të Bankës së Shqipërisë, me të vërtetë po bëhet përafrimi dhe ky është një realitet. Por, nga ana tjetër, ajo që na intereson neve është: a do të jetë funksional ky përafrim që po bëhet apo jo?

Sepse edhe me ligjin ekzistues që është ende sot në fuqi për Bankën e Shqipërisë, flitet për pavarësinë e Bankës së Shqipërisë, por ne e dimë shumë mirë që Banka e Shqipërisë nuk është e pavarur.

Flitet për atë që thashë pak më përpara, për zgjedhjen nga të gjitha palët, për përfaqësimin e të gjitha palëve në propozimet e tyre për Këshillin Mbikëqyrës, që është organi më i lartë vendimmarrës. Dhe ne sot nuk e kemi atë.

Flitet për transparencë nga ana e Bankës së Shqipërisë, ndërkohë që janë pyetje që edhe në Kuvendin e Shqipërisë ne ia kemi drejtuar guvernatorit dhe përfaqësuesve të tij, për të cilat përgjigje nuk kemi të qarta.

Kemi problematikën, për shembull, të sektorit imobiliar dhe sektorit të ndërtimit.

Shiko, këtu ka një farë kundërsensie, le të themi. Sot, në fuqi prej disa vitesh, ka një vendimmarrje të vetë Bankës së Shqipërisë, e cila flet për deeuroizimin e ekonomisë shqiptare. Pra, për uljen e fuqisë dhe uljen e prezencës së euros në ekonominë shqiptare.

Ndërkohë, nga ana tjetër, ky legjislacioni i ri që po bëhet, ky ligj i ri nga fillimi, hap rrugën, hap shtegun, apo hap atë përshtatjen, le të themi, të euroizimit të ekonomisë shqiptare.

Këtu tani duhet ndarë mendja: o këtej, o andej. O do të përqendrohemi te monedha kombëtare, te leku, o do të përqendrohemi në të ardhmen, në politikëbërje, te monedha ndërkombëtare e euros.

Nuk mund të kesh dy qëndrime, dy qasje të cilat, në të vërtetë, kundërshtojnë njëra-tjetrën.

Personalisht, do të isha për deeuroizimin e ekonomisë shqiptare. Pra, për mbajtjen e lekut shqiptar ende në fuqi, të paktën për nja 10, 15, 20 vitet e ardhshme, pasi duhet që ekonomia shqiptare të jetë ndryshe nga kjo që është sot, për t'u përshtatur më pas me kalimin në një monedhë të re, siç është ajo euro.

Kur, për hir të vërtetës, e kam edhe vetë eksperiencë personale, ndërkohë që kam qenë student në vitin e parë në Itali. Kur u fut euroja në fuqi, pati një ndikim tejet të lartë në ekonominë italiane dhe te ata që jetonin në Itali, te ne studentët e huaj apo emigrantët që jetonin në Itali.

Pra, qasja me një monedhë të re duhet bërë në mënyrë shumë të kujdesshme dhe duhet bërë kur ekonomia jote është vërtet shumë e fuqishme.

A është ekonomia shqiptare e fuqishme krahasuar me vendet e tjera të Bashkimit Europian apo dhe të Eurozonës? Jo. Jemi ekonomia e fundit, dihet, është e qartë.

Jemi ekonomia me më shumë problematika, me më shumë informalitet, me më shumë korrupsion, me më shumë klientelizëm e kështu me radhë.

Pra, të shtrosh rrugën në bazë ligjore është një gjë; të marrësh politikën pastaj për ta bërë atë gjë fakt është diçka tjetër.

Sot në fuqi kemi elementin e deeuroizimit të ekonomisë shqiptare, gjë që, me thënë të vërtetën, nuk i ka arritur ato objektiva që ka pasur të vendosura nga vetë Banka e Shqipërisë.

Por ajo që është mbi të gjitha, ky është një diskutim që do të bëhet për 15-20 vitet e ardhshme. Pra, nuk flitet për sot për euron.

Ajo që më shqetëson mua sot për sot...

Me shumë zero mbrapa. Flitet për 500-çe, por me disa zero të tjera mbrapa. Ky, po, është problemi.

Kemi prej disa vitesh një politikë të vendosur nga Banka e Shqipërisë, e cila ka qenë e rakorduar edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Me thënë të vërtetën, ishte një vendimmarrje e drejtë e Bankës së Shqipërisë, pra deeuroizimi i ekonomisë shqiptare.

A dha rezultat? Fatkeqësisht, jo.

Dhe pse nuk dha rezultat? Nuk dha rezultat për disa arsye, por më kryesorja ka qenë pikërisht moskryerja e detyrës nga organet shtetërore, qofshin ato qeveritare, por edhe nga vetë Banka e Shqipërisë, për të minimizuar — sepse për ta eliminuar nuk e eliminon dot — paranë e pistë apo paranë kriminale në treg, por për ta minimizuar atë.

Ndërkohë që sot ne i kemi ato në nivele maksimale.

Dhe reflektimi, kazusi më i qartë, është, e përsëris, çmimet në sektorin imobiliar. Ndërkohë që në 12-13 vitet e fundit ekonomia shqiptare është rritur me 30-35%, ne i kemi çmimet e imobiliareve të rritura edhe me nivele 300% apo 400%.

Fakti që ne sot, edhe në diskursin tonë të përgjithshëm, flasim shpeshherë jo në lekë, por në euro, është problematik për ne.

Por, mbi të gjitha, e përsëris edhe njëherë: diskursi në kuadër të këtij ligji duhet të jetë:

Së pari, transparenca, e cila mungon. Jemi shumë larg niveleve të duhura të transparencës dhe transparenca fillon që nga raportimi i të parit të punës, që është guvernatori, dhe të tjerët, mbi problematikat dhe mbi çështjet që janë të rëndësishme për ekonominë dhe për aktorët e tregut.

Së dyti, operimi i vetë Bankës së Shqipërisë në arritjen e objektivave të saj, gjë që, me thënë të vërtetën, nuk ka arritur performancën e duhur.

Dhe së treti, që është edhe kryesorja, e cila ndikon te dy të parat, është depolitizimi i Bankës së Shqipërisë.

Sot kemi një politizim të skajshëm të vendimmarrjes, të Këshillit Mbikëqyrës, ku të nëntë përfaqësuesit që janë sot në fuqi janë të propozuar dhe të miratuar vetëm me propozim të mazhorancës, pa gjetur dakordësinë e faktorit politik opozitar.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco