Parlamenti shqiptar është përfshirë në debate të forta lidhur me ligjin për zonat e mbrojtura, duke ngritur alarmin për një përplasje të mundshme me Bashkimin Evropian dhe Gjykatën Kushtetuese. Gjatë diskutimeve të fundit në komisione, qeveria u akuzua se po përdor Kuvendin si "noter të gjendjes së humorit të kryeministrit", duke shpërfillur thirrjet e vazhdueshme ndërkombëtare.
Sipas të dhënave të bëra publike në sallën e Kuvendit nga deputetei demokrat Blendi Himçi, një delegacion eurodeputetësh që vizitoi vendin më 29 qershor ka lënë një paralajmërim të ashpër dhe të panegociueshëm në lidhje me ligjin 21/2024 për zonat e mbrojtura. Përfaqësuesit e Brukselit i janë drejtuar komisioneve parlamentare me një mesazh të prerë: "Nëse nuk e zhbëni këtë ligj, ta harroni integrimin".
Pavarësisht këtij ultimatumi të dhënë nga Parlamenti Evropian, mazhoranca po kritikohet ashpër për mungesë të vullnetit politik për të shfuqizuar ndryshimet ligjore, duke u fshehur pas procedurave burokratike. Shqetësimi thellohet pas vizitës së ndërkombëtarëve në Zvërnec, ku u zbulua se janë ndërtuar 7.5 kilometra rrugë brenda zonës së mbrojtur. Akuzat theksojnë se kryeministri po tenton t'i vendosë institucionet para faktit të kryer përmes vazhdimit të punimeve në terren, në kundërshtim flagrant me kërkesat e Evropës për ndalimin e tyre.
Blendi Himçi: Faleminderit kryetar. Së pari, më lejoni të them që parlamenti nuk është noter i gjendjes së humorit të kryeministrit. E them këtë për faktin sepse ka një seri ligjesh, siç e shprehën dhe kolegët, të cilët duhet të abrogohen dhe kjo ka ardhur edhe si rrjedhojë e raportit të AFET, edhe si kërkesë e kolegës Zhupa, e cila ka depozituar një projektligj për abrogimin e shtesave të ligjit 21/2024 e cila ka të bëjë me zonat e mbrojtura. Në datën 29 qershor ka pasur një vizitë të një grupi eurodeputetësh, të cilët patën takim edhe me komisionin tonë për çështjet të burimeve natyrore, të infrastrukturës dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Qëndrimi i tyre ishte i prerë, na e thanë ligjëratë të drejtë: "Nëse nuk e zhbëni këtë ligj, ta harroni integrimin". Dhe unë shikoj këtu nga ana juaj, që filloni dhe lëvizni me çështje procedurale të rregullores, e keni fut s'e keni fut.
Ndërkohë këtu nuk ka vullnet politik dhe nëse ka vullnet politik, hajde ta zhbëjmë. Po ju nuk shpreheni fare si mazhorancë nëse keni qëndrimin për ta zhbërë këtë. Ka një reagim të të gjithë eurodeputetëve. Në një masë të madhe erdhën dhe vizituan edhe Zvërnecin dhe kishin konstatuar që ishin ndërtuar 7.5 kilometra rrugë brenda Zvërnecit. Pra punimet vazhdojnë dhe Edi Rama kërkon të na vëjë para faktit të kryer në lidhje me këtë zonë. Ndërkohë që duhet të zhbëhet kjo zonë dhe duhet të ndalohen punimet, ky është qëndrim jo i yni, ky është qëndrim i Parlamentit Evropian. Ndaj, unë do të kërkoja, zoti kryetar, ta fusim me procedurë të përshpejtuar, të shqyrtohet. Kemi ende 10 ditë nga përfundimi i këtij sesioni për ta zhbërë këtë ligj. Dhe e dyta, edhe në zbatim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Kalon një afat, Gjykata Kushtetuese datën 30 korrik për pjesën e shtesave të pagave të magjistratëve. Ende nga qeveria nuk është marrë asnjë masë, ende nuk ka hyrë në rendin e ditës. Neve përveç qëndrimeve që sfidës që i bëjmë Parlamentit Evropian, i bëjmë sfidë edhe Gjykatës Kushtetuese. Ju faleminderit.
© SYRI.net