Ismael "El Mayo" Zambada, bashkëthemeluesi i kartelit meksikan Sinaloa së bashku me Joaquín "El Chapo" Guzmán, është dënuar nga një gjykatë federale amerikane me burgim të përjetshëm, pa të drejtë apelimi.
LEXO EDHE: Dënohet me ‘burgim të përjetshëm’ lideri i kartelit Sinaloa, ‘El Mayo’ Zambada
Me këtë vendim mbyllet kapitulli i një prej figurave më të fuqishme të trafikut ndërkombëtar të drogës, ndërsa rikthehen në vëmendje edhe lidhjet që kanë prodhuar debat në Shqipëri.
Në shkurt të vitit 2025, Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli kartelin Sinaloa organizatë terroriste, ndërsa disa muaj më vonë autoritetet amerikane goditën rrjetin e Luftar Hysës, i cili në tetor të vitit 2020 ishte pritur në zyrën e kryeministrit Edi Rama.
Në nëntor 2025, Zyra Amerikane për Kontrollin e Aseteve të Huaja (OFAC), në bashkëpunim me autoritetet meksikane, vendosi sanksione ndaj Luftar Hysës, tre vëllezërve të tij dhe rrjetit të tyre, të njohur si Hysa Organized Crime Group (HOCG).
Sipas Departamentit Amerikan të Thesarit, grupi Hysa ka përdorur investime në Meksikë për të pastruar të ardhura nga trafiku i narkotikëve dhe ka operuar me miratimin e kartelit Sinaloa.
Sanksionet përfshijnë bllokimin e aseteve dhe ndalimin e çdo transaksioni me persona apo institucione amerikane.
Autoritetet amerikane deklaruan se Luftar Hysa, i cili lëviz mes Meksikës dhe Kanadasë, është një nga figurat kryesore të këtij rrjeti dhe ka bashkëpunuar në transportimin e shumave të mëdha të parave nga Meksika drejt SHBA-së për qëllime pastrimi.
Luftar Hysa u bë i njohur edhe në Shqipëri pasi më 4 tetor 2020 zhvilloi një takim në Kryeministri me Edi Ramën. Në takim ishte i pranishëm edhe Dorian Duçka, asokohe këshilltar i kryeministrit për investimet e huaja. Më pas, vetë Rama deklaroi se Hysa kishte shkuar për një projekt investimi dhe se kishte marrë licencë për kazino.
LEXO EDHE: FOTO/ Luftar Hysa i Sinaloas u prit në Kryeministri
Mediat meksikane kanë raportuar se Luftar Hysa dhe biznesmeni Besnik Lulaj janë përmendur në lidhje me interesat e kartelit Sinaloa, pretendime që nuk janë provuar me vendim gjykate ndaj tyre.
Ndërkohë, një nga themeluesit e kartelit Sinaloa, Ismael "El Mayo" Zambada, do ta kalojë pjesën tjetër të jetës në burg, ndërsa në Shqipëri drejtësia e re fle gjumë dhe ende nuk e ka marrë as formalisht në pyetje kryeministrin, i ciki ka pritur në zyrë një person të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara për lidhje me një rrjet që vepronte në interes të këtij karteli.
© SYRI.net