Deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri, deklaroi në emisionin "Kafe Shqeto" në Syri TV me Flavio Qarrin se opozita ndodhet prej 13 vitesh në përballje me një mazhorancë që, sipas tij, është e delegjitimuar edhe nga raportet e OSBE-ODIHR. Ai theksoi se instrumentet politike nuk mjaftojnë më për të përballuar situatën, duke u shprehur se opozita duhet të përshkallëzojë aksionin e saj. Strazimiri akuzoi mazhorancën se po imponon në mënyrë të njëanshme reformën zgjedhore dhe atë territoriale, ndërsa vlerësoi se protestat qytetare dhe presioni publik janë të domosdoshme për të detyruar qeverinë të tërhiqet nga vendimmarrjet e saj.
Biseda në Studio:
Flavio Qarri: Tani, kurioziteti im lidhet me vazhdimin e punës në Kuvend, ku duket se edhe qytetarët, edhe ju vetë, jeni në një kurs përplasjeje me mazhorancën. Si e shihni fundin e këtij sesioni dhe rifillimin e punimeve? A mendoni se ka ende hapësirë për dialog politik me mazhorancën?
Gent Strazimiri: Ne kemi 13 vjet në kurs përplasjeje me mazhorancën. E konsiderojmë ilegjitime, gjë që tashmë është konfirmuar edhe në raportet e OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet. Unë dhe kolegët e mi e kemi thënë prej vitesh se, me ardhjen në pushtet të Edi Ramës, situata nuk është më politike. Instrumentet politike janë të pafuqishme për ta bërë të reflektojë një qeveri që vjedh haptazi dhe nuk mban përgjegjësi.
Qeveritë normale reflektojnë kur populli del në shesh. Kryeministrat në vende demokratike kërkojnë rikonfirmim nga qytetarët. Ky, përkundrazi, thotë se një vit më parë ka marrë 83 vota në Parlament dhe kontrollon gati dy të tretat e tij, ndaj nuk ndjen asnjë detyrim të japë llogari.
Askush nuk pyet se si janë marrë ato 83 vota. Shumë prej atyre që sot protestojnë e kanë votuar, qoftë nga presioni, qoftë për interesa apo për ndonjë hall të zgjidhur. Mendoj se kush e ka votuar duhet ta nisë me një ndjesë publike.
Ligjin për zonat e mbrojtura e ndryshoi në vitin 2024 dhe një vit më pas mori sërish 83 vota. Sot u thotë protestuesve: "Pse po ngriheni tani?" Kjo tregon se problemi nuk është te opozita, brenda apo jashtë Parlamentit.
Opozita ka 13 vjet që bën betejë trup më trup. Shpesh gjykohet nga analistë që paguhen nga Edi Rama për metodat që përdor. Kur opozita bllokoi ligjin për zonat e mbrojtura në legjislaturën e kaluar, u kritikua. Sot është vetë populli që kërkon shfuqizimin e tij. Ne po përpiqemi ta rikthejmë këtë çështje në rendin e ditës, ashtu siç e kërkon tashmë edhe Bashkimi Evropian. Fakt është se prej 13 vitesh Partia Demokratike ka luftuar pikërisht për të mos lejuar miratimin e ligjeve të tilla, shpeshherë e vetme dhe pa mbështetjen e shoqërisë.
Flavio Qarri: Ndërkohë, tani keni edhe një bllokim politik dhe në tryezë janë dy çështje shumë të rëndësishme: reforma zgjedhore dhe reforma territoriale. Mazhoranca po shkon, pavarësisht se u paraqit si proces bipartizan, drejt një vendimmarrjeje që i përshtatet vetëm asaj. A jemi në kushtet kur rruga që i mbetet opozitës është një përshkallëzim edhe më i madh?
Gent Strazimiri: Unë besoj se po. Siç e thashë në fillim, jam ndër ata që prej vitesh e kam thënë publikisht se situata nuk është më politike dhe nuk zgjidhet me instrumente politike.
Flavio Qarri: E kam fjalën konkretisht për aktet...
Gent Strazimiri: Pikërisht. Për 13 vjet ne jemi përballur trup më trup me ta. Kur mbushën Parlamentin me njerëz me rekorde kriminale, u detyruam të përballemi fizikisht për t'i nxjerrë prej andej. Nuk besoj se ka akt më të rëndë ndaj institucioneve të një shteti sesa të kesh 19 deputetë me të kaluar kriminale për drogë, prostitucion, vrasje e krime të tjera të rënda.
Prandaj, mendoj se ky debat është tejkaluar. T'i thuash sot opozitës shqiptare "çfarë keni bërë?", do të thotë të mos njohësh fare atë që ka ndodhur këto 13 vite.
Flavio Qarri: E kam fjalën veçanërisht për reformën territoriale dhe atë zgjedhore. Në fund mund të vihet në diskutim vetë ekzistenca e spektrit politik, përveç atij të Ramës.
Gent Strazimiri: Këtë e kemi thënë që në ditën e parë. Kur u ngrit komisioni për reformën territoriale dhe atë zgjedhore, edhe për shkak të presionit ndërkombëtar dhe rekomandimeve të përsëritura të OSBE-ODIHR-it, unë u thashë: "Nëse keni ndërmend ta zvarrisni procesin për 9 apo 10 muaj dhe në fund të sillni një variant tuajin për ta votuar vetëm me votat tuaja, na e thoni që tani, të mos humbasim kohë."
Na u tha se procesi do të zhvillohej me konsensus, konsultime dhe ekspertizë ndërkombëtare. Por unë mendoj se vetëm presioni i një shoqërie të ndërgjegjshme mund t'i detyrojë të ndryshojnë kurs. Ata kanë prishur rregullat e lojës, si me ndarjen territoriale, ashtu edhe me ligjin zgjedhor.
Padrejtësisht akuzohemi se kemi bërë konsensus me ta. Nuk është e vërtetë. Ne kemi votuar vetëm një herë, për të reflektuar në ligj një formulim të detyrueshëm të Gjykatës Kushtetuese, duke e përmirësuar ligjin.
Ndryshimet nuk duhen bërë për interes të opozitës, por për interes të vendit. Vetëm presioni qytetar mund t'i detyrojë të mos i përdorin 83 votat, për të cilat flet edhe OSBE-ODIHR, për t'i bërë karshillëk protestës që prej më shumë se 50 ditësh kërkon dorëheqjen e Edi Ramës.
Flavio Qarri: A mendoni se jeni në një moment të mirë të raporteve me sheshin? Sigurisht që aty ka shumë demokratë. A duhet edhe sheshi të gjejë një partner politik te Partia Demokratike për të avancuar kërkesat e veta? Si i shihni këto pozicione?
Gent Strazimiri: Varet se çfarë quajmë "shesh". Nëse me shesh nënkuptojmë bulevardin e mbushur me protestues, unë ju garantoj se 80% e tyre janë struktura dhe votues tradicionalë të Partisë Demokratike. Ata dalin në mënyrë të organizuar dhe, në këtë kuptim, sheshi e ka partnerin e vet politik.
Nëse me "shesh" nënkuptohen ata që kontrollojnë regjinë, mikrofonin apo përcaktojnë mesazhet, ata nuk janë sheshi. Unë besoj se një pjesë e tyre janë të paguar, të infiltruar, të painformuar ose nuk janë në gjendje të japin një gjykim objektiv. Ata përpiqen të vendosin shenjën e barazimit mes kësaj qeverie dhe opozitës, edhe pse shumë prej tyre kanë mbështetur vetë këtë qeveri.
Ka edhe persona që kanë qenë mbështetës të Yuri Kim. Sipas meje, ajo është e vetmja ambasadore amerikane në Shqipëri që është provuar se ka përfituar materialisht në dëm të interesit publik. Mjafton të kujtojmë çështjen e dy anijeve "Tiger" në Vlorë. Sapo u largua nga Departamenti i Shtetit, ajo nisi punë në të njëjtën kompani, ndërkohë që ne vazhdojmë të paguajmë qiranë për ato anije, të cilat nuk na kanë shërbyer asnjë ditë.
Prandaj, kur dëgjoj njerëz që mbajnë mikrofonin dhe thonë se "janë të gjitha palët njësoj" ose se "janë bashkë", unë besoj se ata janë të shitur. Për mua, mikrofoni dhe sheshi janë dy gjëra të ndryshme.
© SYRI.net