Lajmi i fundit

TASK FORCE/ Mesazhi i eurodeputetit çek për Edi Ramën

Kedhi: Rama manipuloi me raportin e universitetit Yale. Raporti një aktakuzë ndaj dështimit të kësaj qeverie

14:22, 21/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

 Nënkryetari i Partisë Demokratike Nikola Kedhi deklaroi gjatë një prononcimi për median se Edi Rama manipuloi hapur me raportin e universitetit Yale.

“Të dhënat e raportit janë një aktakuzë ndaj dështimit të kësaj qeverie për të mbrojtur mjedisin”, tha drejtuesi i lartë demokrat.

Deklarata e nënkryetarit të PD, Nikola Kedhi:

Mirëdita.

Propaganda ka një rregull të thjeshtë: merr një fakt të vërtetë dhe fsheh nëntë të tjerë. Pikërisht këtë ka bërë Kryeministri me raportin e Universitetit Yale për performancën mjedisore.

Kryeministri publikoi me entuziazëm se Shqipëria renditet e 46-ta në botë dhe e para mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Shifra është e vërtetë. Historia që Edi Rama ndërton mbi këtë shifër është gënjeshtra.

Indeksi përbëhet nga 47 tregues të ndryshëm. Renditja e Shqipërisë përmirësohet kryesisht sepse pjesën më të madhe të energjisë elektrike e prodhojmë nga hidrocentralet, të cilat ndotin më pak se qymyri apo nafta. Ky është një avantazh që Shqipëria e ka prej dekadash, jo një arritje e kësaj qeverie.

Por sapo kalojmë nga renditja e përgjithshme te komponentët që matin politikat konkrete dhe funksionimin e shtetit, propaganda bie.

Në bujqësi, Shqipëria renditet e 158-ta në botë dhe e 17-ta ndër 19 vendet e rajonit ku na klasifikon Yale. Për menaxhimin e qëndrueshëm të azotit jemi të 150-tët, ndërsa për suficitin e fosforit të 139-tët. Edhe treguesi i rrezikut nga ndotja me pesticide ka shënuar përkeqësim. Këto shifra flasin për dëmtimin e tokës, ndotjen e ujërave, sigurinë ushqimore dhe mungesën e një modeli modern për bujqësinë shqiptare.

Për ujërat e ndotura, Shqipëria renditet e 138-ta në botë dhe e 18-ta ndër 19 vendet e rajonit. Rezultati ynë është vetëm 12.7 pikë, ndërsa mesatarja rajonale është mbi 63 pikë.

Për cilësinë e ajrit renditemi të 88-tët.

Ka edhe një fakt tjetër që e rrëzon përpjekjen për ta paraqitur këtë si një arritje historike.

Në indeksin pilot të vitit 2006, Shqipëria renditej e 55-ta. Në vitin 2008 ishte brenda 30 vendeve të para të botës. Metodologjia ka ndryshuar dhe renditjet nuk mund të krahasohen mekanikisht, por një gjë është e padiskutueshme: vendi i 46-të sot nuk është as një rekord historik dhe as prova e ndonjë mrekullie të qeverisë Rama.

Ne e shohim mjedisin jo si dekor propagandistik dhe as si pengesë ndaj zhvillimit, por si pasuri kombëtare dhe burim zhvillimi ekonomik. Shqipëria ka nevojë për impiante funksionale të trajtimit të ujërave, monitorim real të ajrit, një vizion për bujqësinë që mbron tokën dhe ushqimin, ndihmon realisht fermerët, si dhe për zona të mbrojtura që ruhen nga ligji, jo që copëtohen për interesat e klientëve të pushtetit.

Armiku si i mjedisit dhe i zhvillimit është korrupsioni dhe një shtet që përdor natyrën si pronë të qeverisë.

Propaganda mund të keqpërdorë shifrat në letër. Por nuk mundet kurrë të ndryshojë cilësinë e ajrit që thithim të gjithë përditë, të pastrojë lumenjtë, të mbrojë pyjet apo të shpëtojë biodiversitetin shqiptar kur e kundërta është e vërtet.

Raporti i Yale-it nuk është një aktakuzë ndaj Shqipërisë dhe burimeve të saj natyrore. Është një aktakuzë ndaj dështimit të kësaj qeverie për të mbrojtur mjedisin.

Faleminderit.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco