Lajmi i fundit

LIVE/ Adi Krasta në 'A Show'

Abilekaj: Rama nuk ndryshon asnjë ligj që prek interesat e pushtetit

17:13, 21/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

I ftuar në edicionin informativ të lajmeve, gazetari Enton Abilekaj foli mbi përplasjen politike për kërkesat e protestuesve dhe nismat ligjore të opozitës, duke akuzuar mazhorancën se po mbron interesa të ngushta ekonomike dhe jo interesin publik.

Abilekaj u shpreh se qeveria refuzon çdo alternativë tjetër zhvillimi që cenon aferat dhe përfitimet e ndërtuara ndër vite, duke përmendur ligjin për investitorët strategjikë, ndryshimet në zonat e mbrojtura, paketën e maleve dhe ndërhyrjet në trashëgiminë kulturore.

Ai theksoi se, për sa kohë Edi Rama të jetë kryeministër, nuk pret asnjë reflektim apo ndryshim mbi këto çështje, pasi interesat e ngritura mbi këto politika janë vendosur tashmë mbi çdo debat publik.

Pjesë nga intervista:

Pra, në kushtet që jemi, përballë kërkesës së protestës, e cila është shndërruar, është formuluar në ligj nga opozita dhe është në projektligjet e Parlamentit, mazhoranca nuk sheh aty një ide tjetër për zhvillimin e vendit. Një alternativë për zhvillimin e vendit, që mund të mos jetë kjo që po ndjekim ne tani, me betonizimin e gjithçkaje që shikojmë me sy. Por shohin një rrezik për prishjen e interesave të tyre.

Pra, këto ndryshime ligjore, akte ligjore dhe nënligjore që kanë bërë, nuk kanë qenë si rrjedhojë e një vizioni për zhvillimin e vendit, por kanë qenë si rrjedhojë e nevojës së tyre për t'u pasuruar. Dhe kur vjen një propozim tjetër, kur vjen një kërkesë, sidomos në formën e protestës, për këtë gjë që mendohet të injorohet, atëherë shihet rreziku i madh që këto interesa, të cilat janë paravendosur, parapaguar dhe parafirmosur, janë në rrezik dhe duhet bërë diçka që kërkesat të mos realizohen.

Dhe çfarë ndodh? Ndodh kjo status quo. Them që ligji për investitorët strategjikë, që skadon në dhjetor, do të rrijë ashtu deri në dhjetor. Deri në dhjetor duhet të mbarojnë punë ata që janë investitorë strategjikë, se s'ka më kohë. Kështu që interesi nuk prishet.

Vjen pastaj te zonat e mbrojtura. Abrogimi i ndryshimeve që i bënë ligjit për zonat e mbrojtura do të bëhet, por do ta shtyjmë pak, sa të mbarojnë punë ata që u kemi dhënë leje në zonat e mbrojtura.

Pastaj vjen te paketa e maleve. S'ka nisur akoma. Hajde se nuk do ta ndryshojmë ligjin për paketën e maleve. Bëhen refraktarë këtu, sepse tani fillojnë interesat. Kështu që të gjitha këto, apo te trashëgimia kulturore pastaj, që të mos flasim, sepse jemi të qartë të gjithë. E dimë që çdo objekt i trashëgimisë kulturore do të bëhet lokal ose hotel.

Dhe, duke qenë kështu, ne shikojmë që ka interesa dhe një grup interesi nga qeveria dhe njerëzit e saj që këto gjëra të mos ndryshojnë, kjo status quo të mos ndryshojë. Dhe atëherë do të gjejmë një zgjidhje: do të gënjejmë, do të bëjmë sikur, ose do të mohojmë dhe do të bëhemi refraktarë.

Zgjidhja është që i ndajmë protestuesit në shpendë. Themi ca janë flamingo, ca sorra dhe ca bufa e korba. Ata që nuk thonë "Rama në burg" janë flamingo, ata të tjerët janë sorra, korba, dhe ata që thonë "Rama në burg" janë sorra, korba dhe bufa. Dhe kemi parasysh se me sorrat dhe bufat, çfarë personifikon mazhoranca.

Bëhet fjalë për soroistët, tha, dhe për demokratët. Kështu që mendoj se këtu kemi të bëjmë me një luftë interesash nga mazhoranca, që nuk pranon asnjë rrezikim nga një këndvështrim tjetër. Sepse protesta sot po thotë, bashkë me opozitën më të madhe dhe partitë e tjera parlamentare që e mbështesin, se nuk flas për ato që nuk po e mbështesin, një vizion tjetër për zhvillimin e vendit.

Pra, një vizion që nuk prish pyjet, nuk betonizon bregdetin, nuk betonizon më shumë e më tej Tiranën, por krijon mundësi që të bëhen të gjitha këto të jetueshme dhe turizmi të bëhet më natyral, më i natyrshëm, më autentik.

Por, pasi interesat kanë vendosur se çfarë do të ndodhë, me takime nga Ruba deri në verandën e Surrelit, siç kanë thënë vetë ata, apo ku ta di unë qoftë, atëherë nuk ka më ndryshime, sepse këtu janë vendosur interesat dhe janë paguar paratë. Dhe çdo gjë tjetër rrezikon status quo-në e qeverisjes dhe rrezikon ekuilibra shumë të fortë.

Prandaj mendoj se, sa të jetë Edi Rama kryeministër, nuk do të ndryshojë asnjë presje në të gjitha këto kërkesa. Dhe jo më kot besoj se edhe ata protestuesit e kanë kuptuar që kërkesën e parë të tyre e kanë largimin e Edi Ramës si parakusht, sepse sa kohë të jetë ai aty, këto kërkesa nuk do të plotësohen.

Pra, kjo është logjika e investitorit strategjik, që formulohet në një mënyrë tjetër te paketa e maleve. Vjen investitori dhe i thuhet: "Ti do ta marrësh, ke preferencial, ti do ta marrësh këtë vend për të ndërtuar atë gjënë. Bjer dakord me pronarët." Nëse pronarët nuk bien dakord, do të ecësh deri në një farë pike dhe, në qoftë se ata nuk bien dakord, atëherë ne do të fusim mekanizmin e investitorit strategjik, i cili është që tokën ta ofrojë shteti dhe shteti e zgjidh me pronarin.

Pra, shteti, me çmime reference, ia blen tokën atëherë, ndërkohë që nuk ua kthen tokën pronarëve drejtpërdrejt, por ua kthen nëpërmjet investitorit strategjik. E njëjta gjë është edhe paketa e maleve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco