Eksperti Hasan Cani, i ftuar në emisionin ‘Ora 19’ me moderatorin Edvin Parruca në SYRI TV, ka ngritur shqetësime për ‘Paketën e Maleve’, duke deklaruar se kjo nismë mund të sjellë konflikte të rënda sociale dhe juridike për shkak të çështjeve të pazgjidhura të pronësisë.
Sipas Canit, procesi i boshatisjes së zonave malore ka krijuar terrenin për ndërhyrje të reja mbi pronat, ndërsa theksoi se duhet të rikthehet vëmendja te dokumentet historike të pronësisë. Eksperti sqaroi se ligji 7501 lidhet vetëm me tokën bujqësore dhe nuk mund të përdoret për pasuritë e tjera si malet, pyjet apo kullotat.
Sipas tij, në zonat malore ka ekzistuar historikisht një ndarje e qartë mes pronës private, pronës shtetërore dhe merave të fshatit, të cilat kanë qenë prona të komunitetit. Cani kundërshtoi mënyrën se si është paraqitur ‘Paketa e Maleve’, duke deklaruar se ajo nuk zgjidh problemin e pronësisë, por sipas tij krijon rrezik për përplasje.
Eksperti theksoi se zgjidhja e zhvillimit të zonave malore kalon përmes garantimit të pronësisë për banorët dhe krijimit të kushteve që ata vetë të zhvillojnë ekonominë lokale. Sipas tij, investimi më i rëndësishëm për zonat malore është infrastruktura dhe mbështetja e banorëve vendas.
‘E di, kjo është për me e marrë pronën. Hapi i parë është bërë atje. Hapi i parë ka qenë shpopullimi i zonave malore. Largimi i popullatës që andej me qëllim që ato vende të mbesin bosh.
Historikisht dihet se zonat malore i kanë të përcaktuara qartë kufijtë njëri me tjetrin, i kanë pasur në përdorim. Por këtu është mirë që të hapet kadastra e vitit 1952 edhe të shikohet se si janë të ndara ato prona.
Ligji 7501 është ligji për tokën bujqësore, nuk është ligji për pasuritë e tjera, për malet, për ujërat, për të gjitha. Dhe ligji 7501 në shumë zona malore nuk është zbatuar dhe secili ka shkuar te prona e vet. Historikisht dihet se në zonat malore ka ekzistuar prona private, prona shtetërore dhe meraja e fshatit.
Meraja e fshatit është mera që ka qenë pronë e të gjithëve dhe askush nuk kishte të drejtë mbi atë pronë të ndërtonte ose ta tjetërsonte. Prona private ka ekzistuar edhe në kohën e monarkisë.
Atëherë kanë qenë të përcaktuar qartë, të gjithë zonat malore i dinë se ku i kanë kufijtë e tyre. Ku i kanë kufijtë e kullotave, ku i kanë kufijtë e pyjeve dhe ku i kanë kufijtë mes fshatrave. Këto kufij nuk vendosen sot. Kryeministri i Shqipërisë sot me ‘Paketën e maleve’ thotë unë po pronësoj.
Jo, me paketën e maleve po shpronëson! Dhe kjo do të lidhë konflikte, dhe konflikte këtu do jenë me pasoja shumë të rënda për popullsinë. Dhe nuk duhet të shkojmë në konflikte sociale me një ligj që nuk ka as më pak dhe as më shumë, ky është thjesht një ligj klientelist që ka të përcaktuar dhe numrin e njerëzve që do të marrin. 500 vetë thotë aty. A thotë 500 vetë ligji?
Po. Është përcaktuar, janë ndarë zonat edhe ato janë formale. Do shkohet atje, do thotë ai unë do ndërtoj këtu, sepse unë e kam marrë me paketën e maleve, e kam marrë me 1 euro. Tokë shtet, plus procedurë, plus investim, baras 1 euro.
Ky është problem kryesor juridik. Ligji i ‘Paketës së maleve’ bie ndesh me shumë ligje. Bie ndesh me ligjin e pyjeve, bie ndesh me ligjin e kullotave, bie ndesh me ligjin e biodiversitetit, bie ndesh me ligjin e mbrojtjes së mjedisit.
Dhe shumë e shumë ligje bien ndesh, në qoftë se do të analizohen nen për nen dhe gërmë për gërmë, shikohet se çfarë katrahure e madhe dhe çfarë pasoja të rënda do të sjellë ky ligj. Si mund të thuash ‘do investoj’ pa u verifikuar më parë statusi juridik që ka toka? A është tokë bujqësore, a tokë pyjore, a tokë kullosore?
A është pjesë e fondit pyjor, kullosor? A ka pyll, shkurre, bimësi natyrore? A është habitat i mbrojtur? A ndodhet në zonë të mbrojtur? A ka burime ujore, a ka bimë mjekësore, eterovajore apo spontane? A ka vlera të veçanta të biodiversitetit?
A ekzistojnë të drejtat e pronarëve privatë ose të komunitetit? A ka pretendime të pazgjidhura në pronësi? Problemi kryesor tek ne është zgjidhja e pronësisë. Përse shqiptarëve nuk u jepen titujt e pronësisë dhe nuk u njihet e drejta e pronës të regjistruar?
Sepse ky është qëllimi, ky është qëllimi më madhor: zgjidh titullin e pronësisë, dërgoje pronën tek i zoti dhe atëherë vazhdo investime strategjike. Investim strategjik është më i mirë se banorët e zonës asgjë, që mund ta zhvillojnë atë zonë.
Jepu një fond, ose thjesht fare: dërgoju rrugën, asfaltoju rrugën, ujin, dritat dhe e zhvillojnë vetë zonën ato. Nuk presin asnjë dru, nuk shkatërrojnë asnjë sipërfaqe kullosore dhe asnjë sipërfaqe tjetër pyjore dhe e zhvillojnë turizmin, zhvillojnë bujqësinë, zhvillojnë blegtorinë dhe i zhvillojnë të gjitha.’, u shpreh eksperti Hasan Cani në SYRI TV.
© SYRI.net