Kolapsi i pritshëm ekonomik/ Buxhuku: Leku më i fortë se euro...do të kemi rrënim të shtetit

22:27, 21/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

I ftuar në studion e ‘A Show’ me Adi Krastën, eksperti i ekonomisë dhe administratori i përgjithshëm i Konfindustrisë Shqiptare, Gjergj Buxhuku, ngriti alarmin për atë një kolaps të pritshëm ekonomik në Shqipëri.

Ai u shpreh se, leku më i fortë se euroja nuk është tregues i një ekonomie të fortë, por pasojë e hyrjes së parave nga ekonomia joformale, droga dhe aktivitetet kriminale.

Buxhuku deklaroi se prodhimi industrial dhe ai bujqësor vijojnë prej vitesh në rënie, ndërsa deficiti tregtar ka arritur në 5.6 miliardë euro, duke argumentuar se ekonomia shqiptare po mbahet artificialisht nga një "transfuzion oksigjeni" i parave të pista.

Sipas Buxhukut, të ardhurat nga aktivitetet kriminale janë rritur me progresion gjeometrik gjatë viteve të fundit, ndërsa partnerët ndërkombëtarë nuk janë më të gatshëm të tolerojnë këtë model ekonomik.

Ai paralajmëroi se, në momentin që ky fluks parash të ndërpritet, Shqipërinë e pret një "tsunami ekonomik".

"Fillimisht tërhiqet uji, pra forcohet leku, pastaj vjen vala e madhe", deklaroi ai, duke shtuar se pasojat do të jenë rrënimi i shtetit, pasi nuk do të ketë më fonde për policinë, pensionet dhe shëndetësinë, ndërsa goditjen, sipas tij, do ta pësojnë të gjithë shqiptarët.

Pjesë nga deklarata:

Tani, në qoftë se ti mendon që sektori joformal në Shqipëri, ose më saktë sektori i sigurimit të të ardhurave nga droga, ose të ardhurave kriminale që vijnë në Shqipëri, do të jetë një sektor i përjetshëm, pra do të jetë pjesë e ekonomisë, atëherë po flasim në një terren tjetër.

Çështja është ajo që thamë pak më përpara: sa do të të lënë që ta konsiderosh si sektor të përjetshëm sektorin tënd joformal dhe kriminal? Sepse, po të lanë, vazhdo. Apo jo? Thuaj që, ashtu siç janë sektorët e industrisë, të bujqësisë dhe të shërbimeve, është edhe ky sektor, që ata e quajnë "i zi", ndërsa ne e quajmë "i bardhë", nëse na e lejojnë.

Problemi është se shenjat dhe veprimet konkrete që janë dhënë që nga viti 2017 janë të tilla që të thonë: "Ne nuk të lëmë më të na vjedhësh."

Kjo do të ishte vetëm 1% e së keqes. Gjatë këtyre shtatë viteve, të ardhurat joformale, të atij tipi për të cilin folëm pak më parë, janë rritur me progresion gjeometrik. Pra, nuk është se i ke mbajtur, të themi, në nivelin 7% apo 8% të parave të zeza që futeshin në ekonomi dhe, në momentin që ata të thanë "stop", situata mbeti aty. Përkundrazi, këto të ardhura janë rritur me progresion gjeometrik. Kjo është shumë më e keqe.

Pra, ti, si të thuash, po u bën një sfidë të hapur atyre. Duke rritur nivelin tënd, flas si shtet, përballë të huajve, vendeve që janë nën rrezikun e këtyre aktiviteteve.

Ta mbarojmë edhe këtë pjesë. Nuk po flasim vetëm për drogën, por për aktivitete kriminale. Këtu futen call center-at, trafikimet e ndryshme e të tjera. Në thelb, këto janë para që ua grabit shteteve të pasura të Bashkimit Europian, prandaj ato janë më të shqetësuara sesa vetë SHBA-ja. SHBA-ja është larg, ndërsa viktimat e para janë vendet europiane.

Tani logjika është e tillë: ti je kthyer nga një hajdut mesatar, ose i vogël xhepash, në një bos. Dhe, në momentin kur je bërë kaq i rëndësishëm, natyrisht që edhe durimit të tyre i vjen fundi. Ata të kanë tërhequr vëmendjen kur ke qenë, ta quajmë, një xhepist i vetëkënaqur.

Në momentin kur je bërë bosi i xhepistëve, natyrisht kjo e afron vendimin politik për t'i dhënë fund kësaj historie.

Ai e di të vërtetën, në fakt. E vërteta është shumë e qartë. Jam plotësisht i bindur që ai e di. Edhe nga mënyra si e artikulon, kuptohet se e di të vërtetën. Dhe e vërteta është shumë e dhimbshme dhe e tmerrshme.

Kjo është të bjerë deri në fund. Është edhe kështu: do të vazhdoj deri në fund, nuk njoh tërheqje. E di që, po të shkoj përtej, do të jetë një fund pak a shumë i gjatë, por do të jetë fund, i dhimbshëm. Ose do të qëndroj deri në fund dhe le të bëhet çfarë të bëhet. Edhe kështu ndodh.

Tani problemi është ky: ka disa gjëra objektive. Ti nuk mund të thuash që Shqipëria po prodhon dhe ky prodhim po e ekuilibron euron, në momentin kur, sipas shifrave të tua, ke katër ose pesë vite që prodhimi industrial bie me 3-4% në vit. Prodhimi bujqësor ka edhe më shumë vite që është në rënie. Deficiti tregtar prej 5.6 miliardë eurosh, që përmendët ju, është i frikshëm.

Ai është shprehja e drejtpërdrejtë e faktit që, në momentin kur të hiqet transfuzioni i oksigjenit që vjen nga paratë e tjera, ekonomia jote vdes. Mushkëritë e saj nuk prodhojnë oksigjen të mjaftueshëm për të mbajtur në këmbë një trup të tillë. Vdes, në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës.

Për ta bërë më të lehtë për shikuesit: jo, nuk është e lehtë për ata, është e vështirë për të gjithë ne. Nuk ka rëndësi "ata", sepse ata janë shqiptarë. Edhe zonja Ibrahimi do të duhej ta kuptonte mirë këtë.

Goditet Shqipëria. Goditen shqiptarët. Dhe ne nuk është se nuk kemi kaluar situata të tilla. Kemi kaluar vitin 1991. Kemi kaluar vitin 1997. Kemi parë çfarë ndodhi me Greqinë para disa vitesh.

Në këto kushte, kur të kesh rënie ekonomike, pra një tsunami ekonomik, për ta bërë më të thjeshtë, e di si vjen tsunami. Fillimisht tërhiqet uji, pra forcohet leku. Pastaj vjen vala e madhe që të merr përpara, kur leku zhvlerësohet në mënyrë dramatike dhe euroja forcohet po aq në mënyrë dramatike. Kjo është me dhjetëra, madje me qindra herë më e keqe sesa momenti i sotëm, kur leku është i fortë kundrejt euros.

Ky është një tsunami i vërtetë që të merr përpara. Nuk do të kesh para për policinë, nuk do të kesh para për pensionet, nuk do të kesh para për shëndetësinë. Pra, do të kesh rënien e shtetit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco