'4.3 mln euro për Kanye West, fëmijët e Onkologjikut pa ilaçe'/ Strazimiri përplaset me Gonxhen: Ku shkuan paratë?

'4.3 mln euro për Kanye West, fëmijët e Onkologjikut pa ilaçe'/ Strazimiri përplaset me Gonxhen: Ku shkuan paratë?

17:21, 21/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Ligjvënësi demokrat Gent Strazimiri ka publikuar një pjesë nga përplasja e tij me ministrin e Turizmit, Blendi Gonxhja, gjatë Komisionit të Ligjeve, duke e akuzuar se nuk ka dhënë asnjë transparencë mbi përdorimin e 4.3 milionë eurove të fondeve publike, të cilat u përdorën për të mbuluar kostot e koncertit të Kanye West, me argumentin se duhej "shpëtuar nderi i Shqipërisë".

Në debatin e publikuar, Strazimiri kërkon llogari të detajuara për çdo pagesë të kryer, duke theksuar se ministri shmangu përgjigjet konkrete dhe u mjaftua me shpjegime të përgjithshme për planin e biznesit të promotorëve privatë.

Ai ngre dyshime se fondet publike janë përdorur për të garantuar fitimin e organizatorëve privatë të koncertit, pasi qeveria ndërhyri për të kompensuar vështirësitë financiare të promotorëve, në vend që ata të mbanin vetë riskun e biznesit. Strazimiri e cilëson këtë një precedent të rëndë, duke kujtuar edhe rastin e koncertit të Scorpions në vitin 2001, ku Gonxhja është përfshirë në një skemë të ngjashme financimi me para publike.

Në reagimin që shoqëron videon e publikuar në rrjetet sociale, Strazimiri e etiketon çështjen si "SKANDAL", ndërsa vë përballë shumën prej 4.3 milionë eurosh të akorduara për koncertin me situatën në spitalin Onkologjik, ku, fëmijët me kancer përballen me mungesë ilaçesh për shkak të mungesës së fondeve.

"A ka nder në një vend që paguan 4.3 milionë euro për një koncert dhe i lë fëmijët e tij me kancer të dergjen për mungesë fondesh?", shkruan deputeti demokrat, duke akuzuar qeverinë se ka zgjedhur të financojë interesat e një eventi privat në vend të nevojave jetike të qytetarëve.

Pjesë nga debati:

Strazimiri: Çfarë u bë me këta 4 milionë e 300 mijë euro? Çfarë u bë? Ku u shpenzuan? Ka ndonjë faturë? Kaq kushtoi kjo, kaq kushtoi kjo, kaq kushtoi kjo, kaq kushtoi kjo, kaq kushtoi kjo? Çfarë ishte konkretisht gjëja? Bletë bileta ju dhe ua shpërndatë njerëzve? Nuk u mbushën... si e shpëtuat aktivitetin? Dhe nderin e Shqipërisë me këtë rast.

Blendi Gonxhja: Atëherë, aktiviteti ka pasur një plan biznesi siç e përmendët. Plan biznesi ka pasur një program pagesash, i cili përkonte me të ardhurat, sipas fazave të mbledhjes së tyre, nga shitjet, nga sponsorët, nga donatorët e të tjerë, siç bëhet për çdo event. Kuptohet që kjo pjesë, pra ky proces u kushtëzua rëndë nga situata që u përballëm pa e ditur, pra në muajt e fillimit të protestës. Koncerti në vetvete, pra për pjesën e pagesave që kishin të bënin me artistin, me fee-të të ndryshme, me raata të pagesave të ndryshme të cilat ishin bërë herën e parë nga promotori, herën e dytë nga promotori, herën e tretë nuk po bëheshin dot nga promotori sepse promotori ishte në vështirësi. Pra promotori, promotorët, promotori gjerman dhe promotori shqiptar. Privat dhe privat, patjetër. Dhe neve nuk kemi një realitet abstrakt, të pandjeshëm ndaj zhvillimeve në treg.

Strazimiri: Unë pikërisht këtë ju kërkova. Nuk ju kërkova fjalë, ju kërkova shifra. Cilat janë pagesat? Më ka kushtuar kaq kjo, kaq kjo, kaq kjo, kaq kjo, kaq kjo, kaq kjo, kaq kjo. Deri tani ajo që unë kuptova është që ju keni shpëtuar me këto 4 milionë e 300 mijë euro nderin e Shqipërisë, sepse i keni nxjerrë plan biznesin e Kanye West-it dhe të atyre që do të fitonin nga kjo punë, i keni nxjerrë me fitimin siç e kishin planifikuar. Dhe atë fitim e kemi paguar ne, këtë thatë ju deri tani. Promotorët kishin një plan biznesi. Plani i biznesit është: kaq shpenzime, kaq do të kemi të ardhura, diferenca është fitimi. Të cilin nuk e realizonin dot për arsyet që ju thatë. Këtu keni ndërhyrë ju, për t'i shpëtuar faqen Shqipërisë, që Kanye West-i dhe promotorët të mos dilnin me humbje në këtë biznes. Tashti, në mënyrë të vazhdueshme me çështjen e biletave, është hera e dytë që ti përfshihesh në këtë punë mor zotëri. E gjen vetë apo të gjen fati ty? Se dhe në 2001-shin me Scorpions-at po këtë muhabet kishe, 900 mijë dollarë ishin atëherë. Sot e ke 4 milionë e 300 mijë euro. Herës tjetër sa do e kesh faturën për t'i shpëtuar nderin Shqipërisë me koncerte privatësh që na dalin në vështirësi sepse nuk arrijnë dot të nxjerrin fitimin? Dhe ti, në shtetin që nuk ka ilaçe te Onkologjiku për fëmijët me kancer, i gjen lekët për të shpëtuar nderin e Shqipërisë, 4 milionë e 300 mijë euro ti, që të dalin me fitimin që kishin planifikuar përpara me Kanye West-in. E gjen vetë ti këtë, apo të gjen fati i keq ty gjithmonë sa herë vjen puna për bileta, për Scorpions-at, Kanye West-in. Po për Jennifer Lopez, lexova para ca kohësh e keni bërë plan tjetër për të sjellë... me bileta, t'i jepni prapë lekë? Kjo është pyetja.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco