Një situatë e rëndë mjedisore është denoncuar në zonën e Halilit, në Fushë-Krujë, ku djegia e mbetjeve ka shkaktuar re tymi dhe shqetësim te banorët e zonës.
Sipas denoncimeve që prej orëve të para të flakëve nga kreu i PD Krujë, Aulon Kalaja, zjarret masive në grumbullimet e mbeturinave kanë krijuar një situatë alarmante për komunitetin përreth.
Në një mesazh drejtuar institucioneve nga terreni, ambientalisti Sazan Guri ka ngritur shqetësimin për pasojat e ndotjes nga djegia e mbetjeve, duke paralajmëruar për rrezikun që tymi dhe substancat e çliruara mund të kenë mbi mjedisin dhe shëndetin e banorëve.
Denoncimi:
Aulon Kalaja: Përshëndetje të gjithëve. Ndodhemi në Kodër-Dollakë, në Halil, në Fushë-Krujë, aty ku është një katastrofë mjedisore. Natën e mbrëmshme janë ndezur zjarre të mëdha masive. Jam me profesor Sazan Gurin, të cilin e falënderoj shumë që ka ardhur nga Tirana apostafat për këtë çështje, për t'u dalë banorëve të zonës në krah. Profesor, kemi folur edhe natën e mbrëmshme, kemi qenë në kontakt, dhe jo pa qëllim të kërkova që të vije këtu sot edhe u përgjigje i gatshëm. Mund të më tregosh se çfarë ndodh me këto plehrat dhe cili është dëmi që i krijohet banorëve nga këto flakë ku jemi këtu?
Sazan Guri: Ju sapo e thatë që kemi të bëjmë me një katastrofë mjedisore, që për mua është katastrofë sa mjedisore, aq edhe sociale, sa historike, aq edhe shëndetësore. Jemi në zonën që quhet qendra e Albanopolit.
Aulon Kalaja: Këtu është Albanopoli.
Sazan Guri: Pas kësaj kodre. Jemi në afërsi me vijë ajrore. Tani zona është një vend hedhje. Nuk është se është një landfill.
Aulon Kalaja: Jo nuk është. Të ishte landfill nuk digjen kurrë.
Sazan Guri: Sepse mbulohen me argjilë. Ndërkohë dje juve më treguat, edhe unë po vij nga Berati, po vij me një mikun tonë të përbashkët. Nga Tirana këtu në Fushë-Krujë dhe nga Fushë-Kruja në Berat prapë... Kam ardhur kastile për t'iu përgjigjur thirrjes së qytetarëve të Fushë-Krujës. Me kujdesin tuaj sigurisht që gjithmonë jeni pranë popullit. I kam marrë videot nga banorët. Prandaj qytetari shqiptar, sa është e gjallë dhe mbahet gjallë një protestë në Tiranë, aq duhet mbajtur gjallë edhe një protestë në emër të një populli, në emër të shëndetit të familjeve apo të fëmijëve, në emër të dinjitetit të qytetarëve shqiptarë që ne nuk e meritojmë. Ti zoti Edi Rama, apo ti zoti Peleshi, apo ti zoti Shalsi apo kushdo zotërinj nga ju, populli shqiptar nuk e meriton të trajtohet, të digjet bashkë me plehrat, dhe bashkë me to të digjet historia e këtij populli.
Aulon Kalaja: Profesor, dua të bëj disa pyetje. Banorët këtu që kanë shtëpitë kanë qenë shumë të shqetësuar mbrëmë që zjarri mund të shkonte drejt shtëpive të tyre dhe është një zonë ku faktikisht nuk i hapin dritaret. Pra, gjithë fshati nuk i hap kurrë dritaret. Jo vetëm për shkak të zjarrit, por edhe kur plehrat janë pa zjarre, nga avujt e plehrave që janë këtu.
Sazan Guri: Çfarë zgjidhje mund t'i jepet kësaj situate? E shikoni nga ana e majtë kemi liqene si në Zagrazhë, një nga liqenet në veri të Shqipërisë që në vend se të bëhej një park, ne përballemi sot me këtë katastrofë mjedisore. S'ka as ndarje të mbetjeve në burim. Kemi për shembull kofshë viçi, zorrë derri, tavolina, karrige, blloqe, qese plastike e të tjera. Fiksimi i tyre është t'i djegin plehrat vetë.
Aulon Kalaja: Kjo s'është zgjidhje.
Sazan Guri: Kjo s'është zgjidhje. Dhe këto, a e dini sa metra janë? Këtu jemi 800 metra nga rruga nacionale që çon për Krujë. Ne që i bëjmë thirrje turistëve për të ardhur në Krujë, ata shikojnë këtë. Nuk e mendojnë dot ata të digjen plehrat sepse plehrat vetëm menaxhohen inxhinierikisht dhe ekologjikisht. Që do të thotë një gropë e pajisur me shtresa gjeomembrane të papërshkueshme, buzë anësore të siguruara, që të mos ndotin ujërat. Një argjilë aq e papërshkueshme saqë uji lëviz 1 metër për 30 vjet. Këta nuk duan ta bëjnë këtë.
Aulon Kalaja: Pyetja ime tjetër për Fushë-Krujën, profesor. Kemi fabrikën e çimentos, pas asaj është një fabrikë tjetër, kemi gurore, kemi furra tullash, kemi dhe këtë kodrën e plehrave këtu. Tani në Fushë-Krujë na ka ndodhur një problem: Mosha e kancerit ka zbritur në 15 vjeç. Çfarë ndodh... Të mbjellat i keni aty! Shiko i ke zotërinjtë duke punuar tokën. Ja ku janë të mbjellat! Pa dashur të paragjykojmë, a hahen domatet këtu? A hahet preshi, kastraveci, specat?
Sazan Guri: Është një tym që është helm. Një tym helm që ka metale të rënda: zink, bakër, hekur, nikel, kadmium, kobalt. Këto nuk shkojnë larg, bien aty. Bien pikërisht te këto bimë. Ndërsa, çfarë prodhon djegia? Prodhon substanca vdekjeprurëse, furani dhe dioksina. Këto nuk digjen plotësisht, por shpërndahen. Ky furan nuk pyet për distancë. Fluturojnë në ajër dhe prekin Tiranën, prekin Fushë-Krujën.
Aulon Kalaja: Është faji i banorëve të Fushë-Krujës?
Sazan Guri: Nuk është vetëm faji i banorëve. Këto bien në gjethe, bien në kullota, lopa e konsumon, qumështin e pi njeriu, dhe prandaj mosha e kancerit nga 70-80 vjeç, zbret në 15 vjeç.
Aulon Kalaja: Cili është dëmi nga ky tym dhe këto flakë?
Sazan Guri: Ajo që do të ndodhte për dy apo tre vjet si ndotje nga plehrat e hapura, zjarri e bën për tre orë. Ky zjarr e ka bërë aty një vullkan aktiv.
Aulon Kalaja: Ju mendoni që këto plehra duhet të largohen urgjentisht? Cili është mesazhi i fundit drejtuar qytetarëve?
Sazan Guri: Mesazhi im i fundit është që të hapet një gropë tjetër, e pajisur me ato shtresat izoluese. Këto mbetje të hidhen aty dhe të mbulohen me argjilë, të ndërpritet njëherë e mirë kontakti i këtij vullkani me ajrin dhe ujin e shiut, që uji toksik mos të shkojë në ujërat nëntokësore. Kjo mbyllje e landfillit duhet menaxhuar ekologjikisht. Kjo është fare e mundur. Populli shqiptar po tregon që ka zë dhe dinjitet. Të mbrojmë shëndetin tonë!
Aulon Kalaja: Pra, zgjidhja është kjo, kamionët që po marrin dhe po shtrojnë, siç e shikoni edhe në pamje, po hedhin dhera mbi plehra. Pra kjo të vazhdojë?
Sazan Guri: Të vazhdojë! I bëjmë thirrje nga Kodër-Dollaku, bashkë me profesor Sazan Gurin, të vihet dorë të zgjidhet kjo katastrofë.
© SYRI.net