Lajmi i fundit

LIVE/ Qytetarët në ditën e 52 të protestës, kërkojnë dorëheqjen e Ramës

'Mos blini te shqiptarët'/ Skandal në Serbi: Posteri racist mbetet pa ndëshkim, Prokuroria mbyll rastin

'Mos blini te shqiptarët'/ Skandal në Serbi: Posteri racist mbetet pa ndëshkim, Prokuroria mbyll rastin

17:56, 21/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Prokuroria e Lartë Publike në Krushevc, në Serbinë qendrore, ka konstatuar se nuk ka elemente për fillimin e procedurës penale sipas detyrës zyrtare lidhur me posterët me mbishkrimin: “Kujto Gazimestanin, mos blini te shqiptarët”.

Ky poster u shfaq në fillim të korrikut pranë një furre buke në këtë qytet në Serbi, pronari i së cilës është shqiptar.

Siç thuhet në përgjigjen e kësaj prokurorie për Radion Evropa e Lirë, policia në Krushevc inspektoi furrat e bukës dhe zonat përreth tyre në Krushevc, për të cilat dihej se ishin në pronësi të shqiptarëve.

“Gjatë këtij veprimi u konstatua se në një shtyllë, pranë një furre buke në pronësi të T.I. nga Krushevci, ishte ngjitur një ngjitëse me mbishkrimin: 'Kujto Gazimestanin, mos blini te shqiptarët'. Zyrtarët policorë të Drejtorisë së Policisë në Krushevc zhvilluan një bisedë me T.I. Pas analizës së informatave të mbledhura, Prokuroria e Lartë Publike në Krushevc arriti në përfundimin se nuk ka elemente për fillimin e procedurës penale për asnjë vepër që ndiqet sipas detyrës zyrtare”, thuhet në përgjigjen dërguar REL-it më 21 korrik.

Qyteti i Krushevcit, në Serbinë qendrore, më herët kishte dënuar çdo formë të thirrjes për diskriminim, përhapjes së urrejtjes dhe nxitjes së përçarjeve mes njerëzve, lidhur me posterin me përmbajtje të papërshtatshme dhe diskriminuese, të vendosur në një hapësirë publike nga një person i panjohur.

Në njoftimin e autoriteteve lokale u tha se Krushevci ka qenë gjithmonë një qytet i sigurt për të gjithë ata që kanë lindur aty, por edhe një qytet mikpritës për të gjithë ata që kanë ardhur për të jetuar, punuar ose vizituar atë.

Autoritetet lokale u kanë bërë thirrje organeve kompetente shtetërore që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të zbuluar sa më shpejt autorin, për të sqaruar të gjitha rrethanat e këtij rasti dhe për të ndriçuar motivet e një veprimi të tillë.

Policia e Kosovës, më 28 qershor, gjatë shënimit të Vidovdanit në Gazimestan afër Prishtinës, ndaloi 37 persona, ndërsa 36 prej tyre u proceduan para gjykatës. Shumica ishin shtetas të Serbisë dhe vendeve të rajonit.

Atyre iu shqiptua masa e dëbimit dhe ndalimi i hyrjes në Kosovë për tre vjet, si dhe gjoba, për shkak se brohoritën “Kosova është Serbi” duke ngritur tre gishta. Sipas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, këto konsiderohen mesazhe nacionaliste./ REL/ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco