Seanca e sotme plenare ka nisur me tensione të forta dhe përplasje verbale mes përfaqësuesve të opozitës dhe Kryetarit të Kuvendit. Shkak për këtë është bërë pika e katërt e rendit të ditës, e cila parashikonte raportimin vjetor të veprimtarisë së Avokatit të Popullit, Endrit Shabani, për vitin 2025.
Teksa drejtuesi i seancës ftoi Shabanin të futej në sallë për të mbajtur fjalën e tij, kreu i grupit parlamentar të opozitës, Gazment Bardhi, ka ndërhyrë ashpër për procedurë, duke e cilësuar praninë e tij si një provokim të hapur ndaj deputetëve opozitarë.
Në fjalën e tij, Bardhi ngriti akuza të rënda, duke deklaruar se zgjedhja e Avokatit të Popullit është bërë përmes një falsifikimi të pastër parlamentar dhe në kundërshtim flagrant me Kushtetutën. Ai theksoi se kjo çështje është aktualisht në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese dhe, derisa të ketë një vendim përfundimtar, ai nuk mund të sillet si një mbrojtës i të drejtave të njeriut.
Gazement Bardhi: Zoti Kryetar, ju nuk mund ta provokoni opozitën duke sjellë për të raportuar në këtë seancë një njeri që është zgjedhur në kundërshtim flagrant me Kushtetutën, në një pozicion kushtetues që do duhet apo presupozohet të mbrojë të drejtat e njeriut. Zotëria që juve sapo ftuat këtu ka, me ndihmën tuaj, në një falsifikim të pastër parlamentar të procedurave parlamentare, ka keqpërdorur vullnetin e deputetëve të opozitës për të uzurpuar një pozicion kushtetues.
Dhe sa kohë kjo çështje është në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese, zotëria mund të shkojë të mbajë ndonjë fjalim te partia e vet, po kurrsesi të vijë dhe të sillet këtu si Avokat i Popullit. Nuk kemi nevojë për të dëgjuar një njeri që s'ka ngritur kurrë zërin në gjithë këto muaj, është sjellë si një ushtar i partisë, për asnjë ditë të vetme si Avokat i Popullit. Prandaj ju lutem ta largoni nga ambientet e sallës së seancave plenare sepse nuk kemi nevojë të dëgjojmë një ushtar të Edi Ramës duke u hequr sikur është zgjedhur Avokat i Popullit. Keni shkelur Kushtetutën, grupi ynë parlamentar ka ndjekur rrugën institucionale dhe i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese.
Sa kohë Gjykata Kushtetuese ende, ende nuk ka dhënë një vendim, ne do duhet të respektojmë këtë sensibilitet të opozitës. Zotëria le të vijë, ftojeni, e keni bërë praktikë, cilido që shkel ligjin, cilido që shkel Kushtetutën ju e ftoni të raportojë në grupin tuaj parlamentar. Meqë ra fjala keni mbledhje të premten te Pallati i Brigadave, ftojeni atje të raportojë, sepse ai është avokati juaj, jo Avokati i Popullit, jo avokat i qytetarëve shqiptarë, jo avokat që gëzon besimin e gjysmës së shqiptarëve që përfaqësohen në këtë sallë nga opozita parlamentare. Prandaj ju lutem kalojmë te diskutimet e deputetëve, zotëria të marrë makinën e të shkojë andej nga ka ardhur.
© SYRI.net