Lajmi i fundit

LIVE/ 'Opozita në Aksion', takim me demokratët e Lezhës

Wadephul: Shqipërisë i kemi vënë kushte, mos nxitoni me negociatat

Wadephul: Shqipërisë i kemi vënë kushte, mos nxitoni me negociatat

08:52, 23/06/2022
A+ Aa A-

Në debatin e Bundestagut gjerman për Ballkanin Perëndimor, nënkryetari i partisë më të madhe opozitare gjermane, CDU/CSU, Johann David Wadephul foli në emër të grupit të tij parlamentar dhe prezantoi mocionin e këtij grupi për angazhim të Gjermanisë për afrimin e Ballkanit Perëndimor në BE.

Mocioni kërkon ndër të tjera që qeveria gjermane të angazhohet me të gjitha forcat dhe me hapa konkrete për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, për njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizatat e ndryshme, për liberalizimin e regjimit të vizave me qytetarët e Kosovës.

Wadephul nuk harroi të kujtonte kushtet që ka vendosur Bundestagu për Shqipërinë për fillimin e negociatave me BE.

“Unë pres nga qeveria gjermane që ajo të mbajë parasysh sidomos vendimet që ka marrë Bundestagu për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, dhe të mos bëjë procedura të përshpejtuara”, tha Wadephul.

Në rezolutën e miratuar nga Bundestagu në tetor 2019, parlamentarët gjermanë i dhanë dritën jeshile qeverisë gjermane që të çelte negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por grupi parlamentar CDU/CSU, ku bënte pjesë edhe kancelarja e atëhershme, Angela Merkel, i caktoi qeverisë gjermane nëntë kushte shtesë për Shqipërinë, para se kjo të vendoste për fillimin e negociatave.

Vendimi i Bundestagut nuk është obligues për qeverinë gjermane.

DISA NGA KUSHTET

- Zbatimi i ligjit për reformën zgjedhore

- Fillim i procedurave penale kundër gjykatësve dhe prokurorëve, të cilët në procesin e vetingut janë akuzuar për sjellje të dënueshme penalisht.

- Fillimi i procedurave nga prokuroria dhe eventualisht gjyqësori kundër atyre që kanë pasur lidhje me blerjen e votave si dhe ecuri serioze dhe të shpejtë të proceseve.

- Ngritja e strukturës speciale për luftimin e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe vënia në punë e saj.

- Suksese në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet, përfshirë edhe nisjen përfundimin e  proceseve të para gjyqësore kundër zyrtarëve dhe politikanëve të rangut të lartë. Këtu hyjnë hetime pro-aktive, eventualisht ndjekje dhe dënime penale në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar.

- Përparime të prekshme në reformën administrative, duke përfshirë verifikimin e punësimit të zyrtarëve të lartë dhe drejtorëve, duke mbajtur parasysh edhe kritikat për parregullsi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Daj Jaku23/06/2022 13:51

E ndëgjon o pallosh kar i tëri, që nuk pranohet në BE një shtet ultra diktatorial që qeveriset nga krimi i organizuar (mafje qeveritare).

Shto koment

Denonco