Lajmi i fundit

LIVE/ 'Opozita në Aksion', takim me demokratët e Lezhës

Presidenti Meta uron Forcat e Armatosura në 109-vjetorin e themelimit

Presidenti Meta uron Forcat e Armatosura në 109-vjetorin e themelimit

12:42, 04/12/2021
A+ Aa A-

Presidenti Ilir Meta ka uruar sot Forcat e Armatosura të Shqipërisë në 109 vjetorin e themelimit të tyre. Në mesazhin e shkruar në Fb, Meta shprehet: "Me shprehjen e respektit më të lartë, falenderimit dhe mirënjohjes së thellë, për çdo burrë dhe grua në uniformë, që në këto 109 vite ka shërbyer me devotshmëri dhe sakrificë sublime në mbrojtje të Atdheut, Pavarësisë, Sovranitetit dhe Sigurisë Kombëtare, garantimit të lirisë, paqes e stabilitetit, në rajon dhe botë, nën Flamurin Kombëtar, u përcjell Forcave tona të Armatosura urimet më të përzemërta në Ditën e Themelimit.

I inkurajoj për të vazhduar me përgjegjshmëri në drejtim të modernizimit, rritjes së aftësive trajnuese dhe kapaciteteve operacionale, për të qenë gjithmonë të gatshëm në përgjigje të misionit, situatave dhe sfidave që parashtron koha, si dhe detyrave, që burojnë nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe angazhimet në kuadër të NATO-s.

Përshëndetje vëllazërore për familjet e ushtarakëve, burim i përhershëm frymëzimi dhe edukimi me ndjenjat më të larta patriotike!
Lavdi Dëshmorëve të rënë për Atdhe dhe Flamur!" ka përfunduar Meta. 

Sot është festa kombëtare e Forcave të Armatosura Shqiptare. Me propozimin e Isa Boletinit, më 4 dhjetor 1912, Mehmet pashë Dërralla u zgjodh ministër i Luftës në Qeverinë e Përkohshme, duke fituar 42 vota dhe duke u radhitur i treti pas Luigj Gurakuqit me 54 vota dhe Myfit Bej Gjirokastrës (Libohovës) me 52 vota.

Ministri i Luftës Mehmet pashë Dërralla duke bashkëpunuar me Kryetarin e Qeverisë së Përkohshme Ismail Qemalin krijoi lidhje të ngushta me patriotët e shquar si Barjam Curri, Idriz Seferi dhe Haxhi Zeka, duke u organizuar ushtrinë kombëtare shqiptare.

Ndonëse ishte në moshën 69-vjeçare, Mehmet pashë Dërralla nisi detyrën e vështirë të organizimit të ushtrisë shqiptare. Me përvojën 40-vjeçare në drejtimin dhe komandimin e ushtrisë, ai organizoi Komandën e Përgjithshme dhe Shtabin Madhor me strukturat përkatëse.

Në sajë të aftësive të tij akademike kontribuoi në hartimin e “Rregullores për organizimin e përkohshëm të Ministrisë së Luftës”, në hartimin e “Rregullores së përkohshme mbi formimin e strukturës së Milicisë Shqiptare” dhe mori masat e duhura për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike. Pothuajse të gjithë ushtarakët e asaj kohe vinin nga shkolla ushtarake dhe nga radhët e ushtrisë turke.

Mehmet pashë Dërralla ka hyrë në histori si Ministri i parë i Luftës së shtetit shqiptar. Për nder të tij 4 dhjetori është caktuar Festa e Kombëtare e Forcave të Armatosura Shqiptare.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco