Deputetja: Në protestën te Teatri mund të ketë pasur kriminelë me uniforma policie

Deputetja: Në protestën te Teatri mund të ketë pasur kriminelë me uniforma policie

11:26, 04/06/2020
A+ Aa A-

“Nuk e dimë akoma nëse në protestë kanë marrë pjesë policë apo kanë qenë të infiltruar nga struktura kriminale. Edhe në vrasjen në Laç, vrasësit me uniformë policie ishin, kjo nuk na duket ndonjë çudi”.

Të tillë paralele ka hequr me ashpërsi sot në Kuvend, deputetja e opozitës Fatjona Dhimitri, gjatë një interpelance me Ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj, për dhunën policore ushtruar nga protestuesve ditën e shembjes së Teatrit.

Me fotografi në duar si provë, Dhimitri nuk i ka kursyer akuzat ndaj Ministrisë së Brendshme.

“Shiheni! E ke parë patjetër që e ke parë, - i tha deputetja, ministrit socialist. - Këto për ju nuk janë akte dhune, por janë thjesht episode kalimtare. Shikojini këto foto, policët janë pa numra, dhe qytetari vetëm mbrohet me duar se po e qëllojnë në kokë.

Sa për ato deklaratat patetike për heqjen e kapeleve, në SHBA policët kanë lënë detyrën dhe janë rreshtuar me qytetarët. Po ju bej me dije se dhuna është e ndaluar me ligji, por ju keni thënë se dhuna është monopol i shtetit dhe bëhet gjithmonë nga Policia në dobi të qytetarëve.

Kam kërkuar të gjithë numrat e identifikimit dhe emrat e policëve që kanë marrë pjesë në protestën e 17 majit, por nuk më kthyer përgjigje. Nuk e dimë akoma nëse në protestë kanë marrë pjesë policë apo kanë qenë të infiltruar nga struktura kriminale. Edhe në vrasjen në Laç, vrasësit me uniformë policie ishin, kjo nuk na duket ndonjë çudi. Forcat RENEA përdoren për raste pengmarrjesh. Po cilët ishin pengmarrësit në këtë rast? Artistët? Raportorët? Apo qytetarët. Pengmarrësit jeni ju zoti ministër, pasi po merrni peng historinë dhe po e shembni kulturën demokratike të një populli.

A jeni ju i informuar për procedurat e shembjes së Teatrit? Nëse po, na vini në dispozicion ne deputetëve, datën, vendimet, dhe procedurat e ndjekura”, kërkoi Dhimitri.

Pas saj, në foltore është ngjitur sërish Lleshaj, i cili nuk pranoi t’i jepte ato informacione.

 “Ju nuk kishit pyetje, se dhatë përgjigje, - tha ai. -  Ju mbani versionin tuaj dhe shijojeni. Fjala juaj ishte një procedurë që e bëjmë me policët, para se të nisin shërbimin. Ju falënderoj që e bëtë këtë gjë, dhatë informacione. Ju falënderoj.

Folët për dyshimet tuaj se brenda radhëve të Policisë ka pasur persona kriminelë, që janë veshur me uniformat!!!

Mbajini këto dyshime,dhe duhet t’i paraqitni diku tjetër, atje ku quhet Prokurori.

Nëse dyshoni, trokisni atje dhe do të gjeni përgjigjen e duhur. Këta mund të jenë dhe policë apo çdo kriminel që ka një ngjyrë të errët, mund të ngatërrohet dhe me ne. Kjo është jashtë fushës time që të merrem me arsyetime të tilla.

Doni t’ju vëmë targë dhe qytetarëve?! Numri i identitetit nuk është standard në botë. Ai vlen kur është individualisht në shërbim.

Nuk është standard i detyrueshëm në konceptin ndërkombëtar. RENEA ka qenë aty pasi ka pasur nevojë, pasi kishte aludime se do të përdorej forcë,” theksoi ministri.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco