SYRIT TV/ Denoncim për trafik kokaine, punonjësi i portit: Policia dhe Balla po e fshehin ngjarjen

10:18, 22/12/2023
A+ Aa A-

Zbardhen pamjet e një operacioni të dyshimtë në Portin e Durrësit, pasi një kontejner u lejua të dilte pa kontroll ndonëse nuk kishte plumbçe, ndërsa u raportua zyrtarisht si kontrabandë mallrash. Kontejneri i kompanisë “Zico”, që sjell “Bana King” nga Amerika Latine, qëndroi për rreth 3 orë në Shkozet dhe u rikthye sërish në port, ndërsa në Syri TV mbërriti një denoncim i rëndë i një punonjësi të portit, që thotë se ka dyshime që brenda të ketë patur kokainë. Ai madje hedh dyshime se drejtuesit e policisë dhe ministri i Brendshëm të kenë dijeni, por ta kenë fshehur ngjarjen. Së fundmi gjykata caktoi arrest në burg për 3 inspektorë e kontrollorë, ndërsa pavarësisht dyshimeve prokuroria po e hetin vetëm për kontrabandë

SYRI TV

Këto janë pamjet e daljes së kontejnerit të dyshimte nga Porti i Durrësit, për të cilin zyrtarisht policia thotë se është kryer kontrabandë mallrash, pasi ka dalë pa kontrolle përkatëse, duke u lejuar nga inspektorët dhe kontrollorët.

Pavarësisht se ka dyshime të forta lidhur me çfarë ka patur në brendësi të kontejnerit, referuar edhe denoncimit të një punonjësit të Portit të Durrësit për Syri Televizion, prokuroria e qytetit bregdetar ka kryer hetime dhe ngritur akuzën vetëm për kontrabandë mallrash e falsifikim vulash.

Pas daljes nga porti, kontejneri i firmës “Zico” që sillte “Bana-King” nga Amerika Latine, ka mbërritur në Shkozet ku ka qëndruar për rreth 3 orë, ndërsa në rrethana të dyshimta u rikthye sërish në port për kontroll. Disa ditë më parë, në Syri TV denoncoi një punonjës i Portit të Durrësit, i cili ka dhënë me detaje të gjithë ngjarjen. Ai akuzonte drejtpërdrejt drejtorin e Policisë së Durrësit, Skënder Hitajn, dhe ministrin Taulant Balla se po fshehin trafikun e drogës.

“Taulant Balla me Policinë e Durrësit dhe AMP po fshehin trafikun e drogës. Më 13 dhjetor u shoqëruan mbi 20 persona të operatorit portual 'Mariner Adriatic' dhe disa policë kufitarë për t'u marrë në pyetje lidhur me kontejnerin me banane të firmës “Bana King”, i cili në datën 8 dhjetor ka dalë pa kryer asnjë procedurë doganore, skaner kontroll jashtë Portit të Durrësit duke u zbrazur në një parking në afërsi të portit në Shkozet. Pas 3 orë e 30 minutash është rikthyer në Portin e Durrësit, është futur përsëri në terminal pa asnjë kontroll. Kronologjia e kësaj ngjarje është fshehur me idenë e kontrabandës së bananeve (versioni me i turpshëm) i historisë me urdhër direkt të drejtorit të Policisë Durrës, Skënder Hita, i besuari i Taulant Ballës. Ajo që ndodh vërtetë ka të bëjë me ndryshimin e drejtuesve të policisë vendore në Durrës dhe në kufi. Që prej afro 1 viti e gjysmë nuk është kapur asnjë sasi droge në port dhe pse është krijuar një njësi e veçantë enkas për kontenierët. Po njësia drejtohet nga një oficer i rikthyer enkas për këtë pozicion dhe për të drejtuar trafikun me lidhjet me familjet mafioze në Durrës (G. T) nje shef droge i akuzuar për mbjelljen e kanabisit në Fier (G. D). Këtu duhet jo vetëpastrim i policisë, por hetim nga SPAK për trafik ndërkombëtar droge nga vetë policët. Janë të gjitha faktet e vërtetuara nga kamerat e sigurisë mbi hyrje daljet e kontenierit. Po tentohet të kalohet pa zhurmë kjo ngjarje tepër e rëndë”.

Vetëm pas daljes së disa të dhënave në media, policia e qytetit bregdetar, sqaroi se ka arrestuar 4 punonjës, madje nuk nguroi të dilte në një reagim edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla, që vlerësonte procesin e ashtuquajtur “Vetëpastrimi në radhët policore” dhe përgëzonte policinë dhe AMP-në për operacionin.

Vetë policia theksonte se pas kontrollit, kontejneri rezulton i pastër, por nuk u dha asnjëherë sqarim se çfarë ndodhi gjatë kohës që ai ndodhej në Shkozet të Durrësit. Por përkundër këtyre pretendimeve, organi i akuzës në Durrës duket se e ka mbyllur çështjen me fazën paraprake të hetimeve për kontrabandë e falsifikim.

Mbetet në dorë të kësaj prokurorie, por edhe të SPAK, nëse do i thellojnë hetimet për të zbardhur se cili nga versionet është i vërtetë. Më herët janë kapur në disa raste kontejnerë me kokainë, kryesisht me origjinë Amerikën Latine, ku në disa raste edhe të firmës “Zico”, që fut në Shqipëri “Bana-King”. Por është fakt se prej të paktën 1 viti e gjysmë, asnjë operacion i ngjashëm nuk është kryer në këtë port.

Arrest në burg ka caktuar Gjykata e Durrësit për inspektorët Denis Musaj e Egnis Gojani dhe ndihmës-specialistin kontrollor Adelino Vila, ndërsa u lirua nga qelia inspektorja Alketa Kollçaku.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco