SYRI TV/ 'Arben Lleshi mori 2 letra se do e vrisnin', zbardhet dëshmia tronditëse e Indrit Shaqjas

16:51, 19/12/2023
A+ Aa A-

Për Arben Lleshin kishin vajtur dy herë letra anonime në burg për ta ekzekutuar përkundrejt 200 mijë eurove shpërblim.

Kjo është dëshmia tronditëse e Indrit Shaqjas që mbeti i plagosur nga Sokol Mjacaj nga të shtënat me armë zjarri brenda burgut të Peqinit e ku humbi jetën Arben Lleshi.

Shaqja tregon se e gjithë burgu e dinte këtë fakt dhe se letrat ia kishte dhënë viktimës sapo i kishte marrë. Por edhe një tjetër i dënuar ishte në shënjestër të një plani të tillë. 

SYRI TV

Një tjetër arrest në burg i komunikohet të martën Sokol Mjacajt që ekzekutoi brenda burgut të sigurisë së lartë të Peqinit, bashkëvuajtësin Arben Lleshin dhe plagosi Indrit Shaqjan.

Dëshmia e këtij të fundit e zbardhur nga Syri Televizion përmbën detaje tronditëse.

Sipas Indrit Shaqjas, dy herë nga koha që ka qenë në burg, ka gjetur letra anonime që kërkonin vrasjen e Arben Lleshit, e para i përket periudhës 4 vite më parë dhe e dyta rreth një vit e gjysmë më parë.

“Prej kohës që jam në burg dy herë në sportelin e derës së dhomës kam gjetur dy letra të shkruajtura me shkrim dore. Njëra rreth katër vjet më parë dhe tjetrën rreth një viti e gjysmë më parë në burgun e Peqinit me të njëjtën përmbajtje, se do të paguajmë 200 mijë euro, do të sigurojmë edhe helmin që ti ta kryesh vdekjen e atij Arben Lleshit, në të dyja rastet më kanë thënë se nëse je dakort na kthe përgjigje me letër. Në të dyja rastet letrat ia kam dhënë shtetasit Arben Lleshi për të cilin deklaroj se ka dijeni gjithë burgu. Kam pasur marrëdhënie të mira në Fushë Krujë ndërsa më pas i kam prishur për shkak se e përbuzte fenë. Në Peqin kam qenë për 3 muaj në regjim të posaçëm pasi iu kap telefoni në dhomë” është shprehur Shaqja.

Sipas dosjes së Prokurorisë së Elbasanit, se Arben Lleshit i ka mbërritur anonim një letër ku e paralajmëronin se për kokën e tij ishin paguar 200 mijë euro. Por jo vetëm kaq, në burg në radhët e të dënuarve kishte informacione se edhe për shtetasin Xheladin Kruja ishin paguar po aq para për ta eliminuar. Ky i fundit i dënuar me mbi 18 vite në 2013 për tentativën e vrasjes brenda burgut së ish- kreut të komunës Rrethina, Shkodër Kleves Muja.

Në dëshminë e Indrit Shaqjas zbardhet edhe dinamika se si ka ndodhur vrasja e Arben Lleshit në burgun e Peqinit. Sipas tij një efektiv i policisë e ka thërritur për ti thënë se e kërkonte Sokol Mjacaj. Ky i fundit i ka thënë të thërriste shënjestrën Arben Lleshin se kishte për ti thënë diçka. Sapo janë kryer këto veprime, Lleshi është ngritur për t’iu përgjigjur Mjacajt por ky i fundit ka shkrepur armën. Pas kësaj, Shaqja rrëfen:

“Dëgjova  fillimisht një krisëm si kapsollë dhe aty kam kthyer kokën nga dritarja dhe kam parë se Arben Lleshi po tërhiqej në thellësi të dhomës duke humbur ekuilibrin. Kam parë nga dritarja Sokol Mjacën me pistoletë në dorë. Jam afruar tek dritarja dhe kam nisur të flasë me Sokolin, e kam sharë. Sokoli është larguar në drejtim të daljes për jashtë ajrimit, doli në korridor vetë dhe e ndoqa me vrap. Kur kam dalë për në ajrim jashtë kam parë se Sokoli i kishte drejtuar pistoletën një polici ndërkohë që polici i ajrimit hapi derën që të dilte në ajrim. E ndoqa nga mbrapa. Policët tentonin të më pengonin për të mos e ndjekur se nuk e dija ç’po ndodhte . Sokoli thoshte mos u afro se do të të vrasë dhe ty. Sokoli me pas hyri tek dhoma e takimeve me familjarët e dhomës B.”

Dyshimet e prokurorisë janë që vrasja të jetë porositur nga jashtë, dhe të ketë lidhje me një krim të 2012 ndodhur në Britaninë e Madhe.

Në këtyë ngjarje vëllezërit Arben dhe Afrim Lleshi ekzekutuan dhe më pas masakruan trupin e bashkëatdhetarit të tyre. Bie në sy fakti se organi i akuzës, përveç dosjeve të protagonistëve dhe viktimave të ngjarjes, ka marrë në administrim edhe dosjen e Fran Marashit, i dënuar përjetë për masakrën e Urës Vajgurore në 1997 me 4 punonjës policie të vrarë, teksa deri 20 ditë para ngjarjes, qëndronte në të njëjtën qeli me Sokol Mjacajn.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco