Prokuroria e Beratit kërkon 15 vjet burg për dajën që dyshohet se përdhunoi nipin

Prokuroria e Beratit kërkon 15 vjet burg për dajën që dyshohet se përdhunoi nipin

16:44, 04/07/2023
A+ Aa A-

Prokuroria e Beratit, pasi ka mbyllur hetimet për 46-vjeçarin Belul Kokollari, që akuzohet për përdhunimin e nipit 8-vjeç, ka kërkuar sot përpara trupit gjykues 15-vite burgim për të. Gjatë seancës së sotme që u zhvillua rreth orës 15:45, Kokollari mbërriti nën masa të rrepta sigurie, ndërkohë që për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, mediat nuk u lejuan të merrnin pjesë në seancë.

Pasi prokurori Elidon Hysenaj kërkoi 15-vite burg për Belul Kokollarin, trupi gjykues e shtyu dhënien e vendimit penal për në 11 Korrik. 46-vjeçari Belul Kokollari ka lindur në Kosovë, në fshatin ‘Malësi e Madhe’ në Prizren. Ai akuzohet për veprën penale të ‘Marrëdhënieve seksuale apo homoseksuale me të mitur’, parashikuar nga Neni 100,paragrafi i parë i Kodit Penal.

Kokollari akuzohet se ka përdhunuar nipin e tij 8-vjeç, me iniciale A. S., në 4 Nëntor 2021 në banesën e tij në Malësinë e Madhe në Prizren, ku nipi kishte shkuar me pushime së bashku me nënën. Pas përfundimit të hetimeve të kryera, që kanë zgjatur rreth 10-muaj, Prokuroria e rrethit të Beratit, e përfaqësuar nga prokurori Elidon Hysenaj, e përcolli çështjen për gjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë Berat.

Sipas hetimeve të kryera dhe të dhënave të grumbulluara nga burimet e provave, Prokuroria e Beratit ka konfirmuar se, provohet se shtetasi Belul Kokollari ka përdhunuar nipin e tij 8-vjeç, asokohe kur ndodhi ngjarja e rëndë 7-vjeç.

Denoncimi në Komisariatin e Policisë së Beratit është bërë nga nëna e të miturit, Shpresa Selimaj në 10 Nëntor 2021. Ajo ka denoncuar në polici vëllanë e saj Belul Kokollari, duke pretenduar se ai kishte kryer marrëdhënie seksuale me djalin e saj të mitur.

Ajo ka deklaruar se është shtetase kosovare dhe e martuar në Berat, ku jeton me bashkëshortin e saj në lagjen ‘28 Nëntori’ dhe se çdo 3-muaj shkonte në Kosovë për të vizituar vëllezërit e saj. Në datën 4 Nëntor 2021 ajo ishte nisur me djalin e saj drejt Kosovës, ku ka qëndruar deri në datën 9 Nëntor dhe kur është kthyer në Shqipëri djali i ka treguar gjithçka.

E ëma e 7-vjeçarit e ka çuar djalin në polici,ku ai është pyetur në prani të prindërve dhe psikologëve. Pasi djali ka deklaruar se ka fjetur me dajën në Kosovë dhe se ai e kishte përdhunuar, i mituri është dërguar në Spitalin Rajonal të Beratit, ku edhe ju nënshtrua ekzaminimit mjeko-ligjor që konfirmoi thëniet e nënës dhe djalit.

Në raportin e ekspertit mjeko-ligjor thuhet qartë se ‘dëmtimet e konstatuara në pjesën e pasme të fëmijës janë shkaktuar nga një mjet tubolor siç mund të jetë organi seksual mashkullor në gjendje ereksioni’. Mbledhja e të gjitha të dhënave nga ana e prokurorisë për fëmijën, përdorimi i testeve, vizatimeve, instrumentave vlerësuese, dëshmitë e dhëna nga fëmija, vizitat tek specialistë të fushës siç janë neuro-pediatri, psikiatri, mjeko-ligjori dhe psikologët kanë demonstruar se fëmija ka kaluar një mundim emocional pas ngjarjes së ndodhur, se krimi është kryer dhe se fëmija ka pësuar ‘traumë’ të rëndë.

I akuzuari Belul Kokollari mësohet se nuk e ka pranuar asnjëherë krimin, madje ka shkuar edhe më tej, duke kërkuar një ekzaminim për gjendjen e tij mendore, por pas ekzaminimeve të kryera, ka rezultuar se ai nuk vuan dhe nuk ka vuajtur asnjëherë nga probleme të shëndetit mendor.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco