Supervizimi i rremë i dha kompanisë së Zotos 4 milionë euro. Si u vu në pranga me urdhër të SPAK zyrtari i lartë i FSHF-së

Supervizimi i rremë i dha kompanisë së Zotos 4 milionë euro. Si u vu në pranga me urdhër të SPAK zyrtari i lartë i FSHF-së

10:53, 17/11/2022
A+ Aa A-

Arben Dervishaj, sipas Prokurorisë së Posaçme, është vënë në pranga për skandalin e inceneratorëve, pasi kompania në të cilën ai rezulton administrator, ka përfituar një shumë të majme parash nga Klodian Zoto.

Në harkun kohor të disa viteve, konsulenca e kompanisë së administruar prej tij ka përfituar një shumë prej qindra mijëra eurosh, ndërkohë që hetimet e SPAKut kanë nxjerrë në pah edhe faktin që për shërbime që nuk janë kryer, shoqëria së cilës i ka shërbyer, ka fituar plot 4 milionë euro. Në një nga pikat e reagimit zyrtar që bëri dje Struktura e Posaçme Hetimore, rasti i kompanisë së Dervishajt, u paraqit si supervizore, pra mbikëqyrës punimesh dhe shërbimesh, që asnjëra nuk janë realizuar, sipas Prokurorisë, por që në fakt faturat janë paguar të gjitha.

SPAK për Dervishajn

Kështu, mes personave të arrestuar në kuadër të operacionit të ndërmarrë nga SPAK-u, që firmosi 11 urdhër-arreste, u mësua se ishte edhe Arben Dervishaj. Arrestimi i tij u bë me dije ditën e djeshme nga vetë SPAK-u dhe sipas të dhënave, ai rezulton pronar i kompanisë “AVE CONSULTING”, kompani e cila ka bërë supervizimin e projekteve të inceneratorëve. Sipas SPAK-ut, Dervishaj, në cilësinë e mbikëqyrësit të punimeve të shoqërisë koncesionare ka pasqyruar situacione për punime fiktive të shoqërisë koncesionare, për shërbime që nuk janë kryer dhe në sajë të mashtrimit janë siguruar përfitime për shoqërinë koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., në vlerën 4 milionë euro.

Në njoftimin e bërë publik nga Prokuroria e Posaçme, saktësohet se shtetasi Arben Dervishaj, në cilësinë e mbikëqyrësit të punimeve të shoqërisë koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., ka miratuar dhe më pas pasqyruar/dorëzuar pranë Autoritetit Kontraktor, Ministrisë së Mjedisit/Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, situacione për punime fiktive të shoqërisë koncesionare, për shërbime që nuk janë kryer dhe pajisje që nuk janë realizuar në zbatim të kontratës koncesionare, ku në sajë të mashtrimit janë siguruar përfitime për shoqërinë koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., në vlerën 4 milionë euro, veprime në kundërshtim me ligjin nr. 8402, datë 10.9.1998 “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, i ndryshuar, si dhe Udhëzimin e Këshillit të Ministrave, nr.3, datë 15.02.2001, “Për mbikëqyrjen dhe kolaudimin e punimeve të ndërtimit”.

Gjithashtu, shtetasi Arben Dervishaj, në cilësinë e mbikëqyrësit të punimeve të shoqërisë koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., ka marrë përfitime të parregullta nga shtetasi Klodian Zoto, aksioner kryesor i shoqërisë koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., që kanë konsistuar në përfitime të vlerës së udhëtimeve të tij private për jashtë shtetit, biletave të avionit, qëndrimit në hotele dhe të biletave të ndeshjeve të futbollit në stadium në Itali. Gjithashtu, ai ka qenë dhe anëtar i Shoqatës së Ndërtuesve dhe zëvendëspresident i Federatës Shqiptare të Futbollit.

Klodian Zoto i dha zyrtarit të FSHF 74.4 milionë lekë për konsulta

Me 21 shkurt të këtij viti, “Panorama.al” bëri publike panoramën e konsultave të shumta që kishte kryer kompania “Ave Consulting” me administrator Arben Dervishajn. Në databazat e bëra publike shfaqeshin të gjitha shifrat për të cilat SPAK-u foli pas më shumë se 9 muajsh, duke bërë të mundur kështu përfshirjen e emrit të tij në një listë urdhërarrestesh. Sipas hulumtimit të punës së kryer nga kompania, në databazën e Qendrës Kombëtare të Biznesit, rezultoi se “Ave Consulting”, ka si administrator, Arben Devishajn e FSHF-së.

Mësohet se Dervishaj dhe kompania e tij që prej vitit 2018 kanë ofruar shërbime konsulence për kompaninë që është vendosur në qendër të skandalit. Po në këtë vit, rezultoi të jetë kryer dhe pagesa e parë në bazë edhe të disa faturave. Sipas kërkimeve në listëpagesat e Drejtorisë së Tatimeve, rezulton se kompania e Arben Dervishajt që në vitin e parë ka marrë nga kompania e Klodian Zotos 5 fatura të majme. Sipas një kalkulimi të këtyre faturave të vitit 2018, rezulton se kompania e krahut të djathtë të Armand Dukës ka marrë vetëm në një vit 13.1 milionë lekë për konsultim. Po ashtu, pagesat nga “Integrated Energy” vijuan edhe në vitin 2019 më dy fatura, ku rezultoi se janë paguar nga Klodian Zoto për Arben Dervishajn rreth 8 milionë lekë. Ndërkohë që, viti 2020 duket se ka qenë vit “intensiv” konsultimesh, pasi në adresë të “Ave Consulting” me pronar, anëtarin e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, u paguan 8 fatura të majme nga Klodian Zoto.

Sipas regjistrit të Drejtorisë së Tatimeve, rezultoi se konsultimet e Zotos në adresë të Drevishajt janë derdhur në vlerën e 31.3 milionë lekëve. Po ashtu, duket se vit i suksesshëm konsultash ka qenë dhe 2021-i ku “Ave Consulting”, rezulton të ketë marrë dhe 6 faturat e majme nga inceneratori i Klodian Zotos. Rezulton se si “dorë të fundit” konsultimesh, kompania e Arben Dervishajt ka marrë 21.8 milionë lekë nga inceneratori i Zotos. Sipas kalkulimeve, në total kompania ka fituar nga inceneratori i Zotos plot 74.4 milionë lekë, ose rreth 744 mijë USD.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco