Kristian Prenga po përgatitet për sfidën më të madhe të karrierës së tij, atë ndaj ish-kampionit të botës Anthony Joshua, por shqiptari ka një mënyrë të veçantë për të festuar nëse arrin një fitore të bujshme.
Boksieri shqiptar me rekord 20 fitore dhe 1 humbje është pengesa e fundit në rrugën e Joshua-s drejt një dueli të shumëpritur me Tyson Fury-n. Përballja do të zhvillohet të shtunën, në Arabinë Saudite, ndërsa britaniku kërkon një sukses që do t’i hapte derën për një tjetër përballje historike.
Por Prenga, i cili jeton dhe stërvitet në Shtetet e Bashkuara, ka paralajmëruar se nuk ka udhëtuar për të qenë thjesht një kundërshtar. Në rast të një triumfi, ai do të kthehet në shtëpi për të festuar me një shishe vere të prodhuar nga vetë ai.
35-vjeçari ka dy vite që merret me prodhimin e verës, edhe pse e bën vetëm për miqtë dhe jo për biznes.
"Vera vjen nga Italia dhe e bëj vetëm për qejf. Nuk e shes, e përgatis vetëm për miqtë e mi. Është shumë e mirë, por të them të drejtën nuk jam një konsumues i madh. Një mik më tha: 'Mund të të bëj një shishe'. I thashë ta bënte. Edhe logoja është e njëjtë me atë të boksit tim", tregoi Prenga.
Megjithatë, shqiptari pranon se nuk ka shumë kohë për ta provuar produktin e tij, pasi rutina e tij ka mbetur e njëjtë edhe pas njoftimit të duelit me Joshuan.
"Vetëm stërvitje, palestër, shtëpi. Palestër, shtëpi. Asgjë tjetër. Pas ndeshjes do të shohim", u shpreh ai.
Prenga është vendosur në SHBA që prej vitit 2022, ku u zhvendos për të pasur kushte më të mira për përgatitjet. Për sfidën ndaj Joshua-s, ai premton edhe mbështetje të madhe nga tifozët shqiptarë në Arabinë Saudite.
"Do të jetë diçka e çmendur. Do të shihni shumë zhurmë", tha boksieri shqiptar.
Ndërkohë, Prenga nuk i kushton rëndësi faktit që Joshua po mendon tashmë për përballjen me Tyson Fury-n. Ai beson se britaniku po bën plane para kohe.
"Nuk ndihem i fyer, por njerëzit thjesht flasin. Nuk mund të bësh plane para Zotit. Ai mendon për duelin me Fury-n, por fillimisht duhet të fitojë me mua", paralajmëroi Prenga.
Tashmë, shqiptari kërkon të shkruajë historinë duke mposhtur një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror dhe më pas të ngrejë dollinë me verën e tij të veçantë.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: