Leandro Paredes ka folur për herë të parë rreth së ardhmes së Lionel Messit me kombëtaren argjentinase, duke lënë të kuptohet se kapiteni i "Albiceleste" kishte menduar ta mbyllte karrierën ndërkombëtare pas finales së Kupës së Botës 2026.
Mesfushori, një nga miqtë më të ngushtë të Messit prej vitesh te kombëtarja dhe më parë edhe te PSG, pranoi se skuadra ishte përgatitur për mundësinë e largimit të legjendës argjentinase.
"Ishte e dhimbshme, sepse gjatë gjithë Botërorit kemi thënë se nuk donim të vinte ndeshja e fundit. Mendoj se Leo e kishte marrë vendimin që ajo të ishte ndeshja e tij e fundit me kombëtaren", deklaroi Paredes.
Megjithatë, ai la të hapur mundësinë që Messi të ndryshojë mendje.
"Shpresoj që jo. Shpresoj të vazhdojë të luajë. Gjithçka do të varet nga vendimi i tij. Ajo që e bën të lumtur Leon, do të na bëjë të lumtur edhe neve", shtoi mesfushori.
Paredes pranoi gjithashtu se humbja në finalen e Botërorit ka hapur një periudhë reflektimi për shumë futbollistë të skuadrës së drejtuar nga Lionel Scaloni.
"Nuk e di ende. Duhet kohë për ta përtypur këtë moment, për ta menduar mirë dhe për të mos marrë vendime të nxituara. Është diçka që duhet diskutuar", u shpreh ai, kur u pyet për të ardhmen e tij me kombëtaren.
Në përfundim, Paredes vlerësoi ciklin e suksesshëm të Argjentinës, duke pranuar se do të jetë e vështirë të ruhet niveli i arritur në vitet e fundit.
"Ishte një rrugëtim i jashtëzakonshëm dhe fituam gjëra shumë të rëndësishme. Për shumë prej nesh do të vijë momenti për të vendosur nëse do të vazhdojmë apo jo. Duhet të flasim me trajnerin dhe të marrim vendime me qetësi", përfundoi ai.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: