FIFA ka reaguar zyrtarisht ndaj pretendimeve për manipulim të ndeshjeve gjatë Kupës së Botës 2026, duke deklaruar se nuk është gjetur asnjë provë që vërteton akuzat për kurdisje.
Botërori i parë me 48 kombëtare përfshiu 104 ndeshje dhe u mbyll me triumfin e Spanjës, që fitoi titullin e dytë në histori pas suksesit 1-0 ndaj Argjentinës në finalen e zhvilluar në stadiumin “MetLife”.
Gjatë turneut nuk munguan polemikat për arbitrimin. Federata Egjiptiane e Futbollit kërkoi përjashtimin e ekipit të arbitrave që drejtoi humbjen 3-2 ndaj Argjentinës, duke pretenduar se ishin bërë gabime të rënda.
Edhe trajneri Hossam Hassan akuzoi FIFA-n për favorizim të Lionel Messit, duke deklaruar pas ndeshjes: “Ata duan që Messi të qëndrojë në turne”.
Megjithatë, shefi i arbitrave në FIFA, Pierluigi Collina, i hodhi poshtë këto akuza, duke i cilësuar si të pabazuara dhe duke mbrojtur integritetin e gjyqtarëve.
Në deklaratën e saj, FIFA bëri të ditur se Grupi i Punës për Integritetin, ku morën pjesë ekspertë nga FIFA, FBI, INTERPOL, Zyra e OKB-së për Drogën dhe Krimin, Këshilli i Evropës dhe Shoqata Ndërkombëtare për Integritetin në Bastore, monitoroi gjatë gjithë turneut tregjet e basteve dhe zhvillimet në fushë.
Sipas FIFA-s, analizat nuk zbuluan asnjë model të dyshimtë bastesh dhe asnjë tregues për manipulim të ndonjë ndeshjeje.
“Bazuar në informacionin e mbledhur dhe analizuar gjatë gjithë garës, Grupi i Punës nuk identifikoi asnjë aktivitet të dyshimtë në bastore dhe asnjë tregues për manipulim të ndonjë ndeshjeje”, thuhet në deklaratën zyrtare.
Menaxheri i Lartë për Integritet në FIFA, Liam Rich, theksoi se bashkëpunimi mes institucioneve ndërkombëtare krijoi një mekanizëm efikas për identifikimin e çdo rreziku të mundshëm dhe se i njëjti model do të përdoret edhe në turnetë e ardhshëm, përfshirë Kupën e Botës për Femra.
© SYRI.net