Pedro Porro ishte një nga surprizat më të mëdha të Kupës së Botës 2026. Mbrojtësi spanjoll i Tottenhamit shkëlqeu me fanellën e "La Roja"-s, duke luajtur gjashtë ndeshje në turne dhe duke shënuar dy gola shumë të rëndësishëm: një në fazën e grupeve ndaj Arabisë Saudite dhe golin vendimtar në gjysmëfinale kundër Francës.
Pas të dyja golave, Porro bëri të njëjtin gjest emocional: vrapoi drejt tribunës dhe ia dedikoi rrjetat partneres së tij, Maria Hurtado, e cila e ndiqte nga afër dhe e mbështeste gjatë gjithë turneut.
Maria Hurtado preferon një jetë larg vëmendjes së medieve dhe nuk është shumë aktive në rrjetet sociale. Ajo publikon rrallë momente nga jeta private, ndërsa pjesa më e madhe e fotografive të saj lidhen me familjen.
Çifti është bashkë që prej fundit të vitit 2023, në një periudhë kur Porro po përshtatej me jetën në Londër dhe futbollin anglez pas transferimit nga Sporting Lisbona te Tottenhami.
Mbrojtësi spanjoll kishte një vajzë nga një lidhje e mëparshme, ndërsa në vitin 2025 Pedro dhe Maria u bënë prindër të një djali, të cilit i vendosën emrin Pedro. Sipas raportimeve, Maria ka krijuar një marrëdhënie shumë të mirë edhe me vajzën e Porros dhe të tre kalojnë shumë kohë së bashku.
Familja e Porros qëndroi pranë tij gjatë gjithë aventurës së Spanjës në Botërorin 2026 dhe festoi së bashku me të triumfin e madh. Momentet e tij romantike me Marian pas golave u bënë ndër pamjet më të bukura të turneut.
Maria doli për herë të parë publikisht në fushë pranë Porros më 21 maj 2025, në stadiumin "San Mamés" në Bilbao, pas finales së Ligës së Europës, ku Tottenhami mposhti Manchester Unitedin dhe spanjolli luajti të gjithë ndeshjen.
Tashmë, koleksioni i çiftit përfshin dy trofe të veçantë: Kupën e Ligës së Europës me Tottenhamin dhe Kupën e Botës me kombëtaren spanjolle. Për Porron, Maria është kthyer në një nga mbështetëset më të mëdha të karrierës së tij, duke e ndjekur dhe motivuar në momentet më të rëndësishme.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: