Teuta afron sulmuesin portugez Pedro Martelo, ish-shok skuadre me Rafael Leaon te kombëtarja U-20

Teuta afron sulmuesin portugez Pedro Martelo, ish-shok skuadre me Rafael Leaon te kombëtarja U-20

19:19, 24/07/2026

Teuta ka zyrtarizuar një përforcim të ri në repartin ofensiv. Klubi durrsak ka njoftuar afrimin e sulmuesit portugez Pedro Martelo.

26-vjeçari, i cili luan në rolin e qendërsulmuesit, vjen te Teuta pas eksperiencës me Oliveirense në kategorinë e dytë të futbollit portugez. Martelo, me një gjatësi prej 1.90 metrash, do të jetë një alternativë e rëndësishme për sulmin e skuadrës së drejtuar nga Edlir Tetova.

Në sezonin e fundit, sulmuesi realizoi 7 gola me fanellën e Oliveirenses, edhe pse skuadra e mbylli kampionatin në vendin e fundit dhe ra nga kategoria.

Martelo ka një të kaluar interesante me ekipet kombëtare të moshave të Portugalisë. Me përfaqësuesen U-20 ka shënuar 7 gola në 12 ndeshje dhe ka qenë pjesë e të njëjtit grup me ‘yllin’ e Milanit, Rafael Leaon, në Botërorin U-20 të vitit 2019.

Gjithashtu, ai ka lënë gjurmë me Portugalinë U-19, ku ishte protagonist në triumfin e vitit 2018 në Kampionatin Europian. Martelo shënoi në gjysmëfinale dhe dha një asist, ndërsa në finale ndaj Italisë realizoi sërish një gol dhe një asist, duke ndihmuar ekipin e tij të siguronte trofeun.

Përmes një njoftimi zyrtar, Teuta i ka uruar mirëseardhjen sulmuesit portugez.

“Klubi i Futbollit Teuta ka kënaqësinë të prezantojë afrimin më të ri, Pedro Martelo. Sulmuesi portugez vjen në Durrës për të sjellë cilësi, ambicie dhe eksperiencën e fituar në futbollin portugez. Ai ka përfaqësuar disa klube dhe kombëtaret zinxhir të Portugalisë, duke dëshmuar potencial që në moshë të re. Tashmë nis një kapitull të ri me fanellën blu, i gatshëm të japë maksimumin për ngjyrat e Teutës”, shkruan klubi durrsak.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco