Gianluigi Buffon nuk do të rikthehet në strukturat e kombëtares italiane. Ish-portieri legjendar i Juventusit dhe "Axurrëve" ka refuzuar ofertën e bërë nga drejtuesit e rinj të Federatës Italiane, Paolo Maldini dhe Leonardo, për një rol më aktiv në projektin e ri të Italisë.
Sipas raportimeve të ‘La Gazzetta dello Sport’, rreth dhjetë ditë më parë Maldini dhe Leonardo kontaktuan Buffonin për t'i propozuar një detyrë të rëndësishme në organizimin e ri të kombëtares. 48-vjeçari kishte mbajtur më parë postin e shefit të delegacionit të Italisë në vitin 2023, pas emërimit të Luciano Spalletti-t, por dha dorëheqjen në prill 2026 pas humbjes së rëndë në Zenicë.
Buffon e dëgjoi me vëmendje propozimin që iu përcoll nga presidenti i CONI-t, Giovanni Malagò, përmes dy ish-yjeve të Milanit, por pas disa ditësh reflektimi vendosi të mos e pranonte, edhe pse me keqardhje.
Ideja e Malagòs dhe Maldinit është të kompletojnë strukturën drejtuese në Coverciano me dy figura të reja: një menaxher të ekipit kombëtar dhe një përgjegjës për kombëtaret e moshave.
Buffon ishte kandidati kryesor për rolin e menaxherit të ekipit, ndërsa për postin e përgjegjësit të sektorit të të rinjve po shqyrtohen disa emra. Mes kandidatëve është përmendur edhe Gianfranco Zola, aktualisht zëvendëspresident i Lega Pro.
Gjithashtu, në listën e dëshirave të drejtuesve italianë kanë dalë emra të mëdhenj si Roberto Baggio dhe Francesco Totti, ndërsa alternativa të tjera janë Gianluca Zambrotta, Simone Perrotta dhe Angelo Carbone, një ish-futbollist i Milanit dhe mik i afërt i Maldinit.
Refuzimi i Buffonit është një tjetër pengesë për projektin e ri drejtues të Italisë, që po kërkon të ndërtojë një strukturë të re me figura të rëndësishme të futbollit italian.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: