Nga Sonila Meço - 17:04, 24/07/2026
Historia e njeh mirë tipin që donte të ishte artist, por që bota e refuzoi si të tillë.
Ai nuk u bë kurrë artist i madh.
U bë diçka tjetër. Dhe ajo “diçka tjetër” shpesh ka kushtuar më shtrenjtë se të gjitha veprat e artit të parealizuara ndonjëherë.
Kur ky tip kërkon të pushtojë botën për të mbushur një zbrazëti, bota e vërtetë paguan çmimin e një ambicjeje, që nuk qe kurrë e saj.
Ja sepse…
Narcisizmi nuk lind nga teprica e dashurisë për veten, por nga mungesa e saj, e një pasqyrimi të pamjaftueshëm në fëmijëri. Psh dikush që nuk u pa, nuk u çmua ashtu si kish nevojë, mund të shfaqë diku, dikur vetadhurimin, robërinë e skajshme ndaj egos vrastare.
Psiko-analiza e ka shpjeguar me kohë dhe shterueshëm krijimin kësisoj të “vetes së brishtë” e cila mbulohet ngutshëm me një pamje tjetër, më të fortë, më të madhe, një vete madhështore, ndërtuar prej frike.
Arti, për një njeri të tillë është shpëtimi, premtimi i fundit, plani i fshehtë sipas të cilit, njëherë e përgjithmonë, do të provohet se ekzistenca e tij kishte kuptim.
Kur edhe ai plan rrëzohet, plaga e vjetër nuk mbyllet. Hapet më thellë se kurrë, sepse ishte pikërisht arti që do duhej ta shëronte. Bota (akademia, kritikët, publiku) nuk ia çmojnë veprën si njeri me talent, por për shkaqe të tjera të palidhura me të, si privilegje mbiemri apo lidhje nepotike. Atëherë plaga origjinale hapet sërish, por tani me një dhimbje edhe më të madhe, pasi arti do duhej ta shëronte atë plagë.
Arti është përpunim i impulseve në energji krijuese, shndërrimi i tyre në krijim artistik ose intelektual.
Nëse nuk e gjejnë këtë shteg kanalizimi, impulset bëhen rrënuese, vetshkatërruese, ose shpalosin energji psiqike në formë të papërpunuar.
Kur ky shteg bllokohet, kur talenti nuk mjafton për ta kthyer dëshirën në formë, energjia nuk zhduket, thjesht kërkon rrugë tjetër për t’u shprehur e zbrazur. Në shumë raste, pushteti bëhet zëvendësuesi i krijimtarisë. Bota nuk krijohet më në kanavacë, por riformësohet forcë në botën reale. Ky është rasti ku krijimtaria e dështuar shndërrohet në vullnet sundimi. Pushteti bëhet kanavaca e re, ndërsa penelatat vendime dhe ligje.
Kjo është edhe një formë proteste e njeriut, ku sa më i fortë inferioriteti i përjetuar qysh herët, aq më tunduese bëhen iluzionet e madhështisë.
Nuk mjafton më të konsiderohesh i mirë, i duhur, por duhet të jesh unik, i papërsëritshëm, i pashlyeshëm nga koha. Emri duhet t’u mbijetojë dekadave, sepse vetëm një “pavdekësi” e tillë mund të lartësojë atë që dikur ishte një njeri i pavlerësuar. (Betoni psh e përmbush dhunshëm këtë nevojë). Emri i tij duhet të pushtojë botën, sepse asgjë më pak se universalja s’mund ta mbushë atë zbrazëti.
Mirëpo këtij deliri madhështie i kundërvihet realiteti (kritikët nuk e çmojnë artin e tij, nuk shquhet dot si talent), duke hyrë në veprim mekanizmi mbrojtës tipik. Bota jashtë është “e verbër”, “e korruptuar”, “e paaftë t’ia njohë gjenialitetin”.
Kjo shpjegon edhe delirin, sepse nuk pranohet mundësia që dështimi të jetë real, ai duhet racionalizuar si padrejtësi kozmike, komplot, keqkuptim historik, lindur para kohe.
Nën gjithë këtë arkitekturë fshihet një vete e rreme e ndërtuar mbi një bosh të thellë. Fama, pushteti, nënshtrimi i të tjerëve, adhurimi masiv shndërrohen në përpjekje të pafundme për ta mbushur këtë bosh nga jashtë, sepse nuk u ndërtua kurrë burim i brendshëm i vlerës.
Problemi s’ishte kurrë mungesa e talentit apo pushtetit, por mungesa e një identiteti që të mos varej nga asnjëri prej tyre.
Kjo pafundësi e nevojës, kombinuar me paaftësinë për të pranuar kufirin njerëzor e bën këtë strukturë të rrezikshme jo vetëm për veten, por për çdo popull që ka fatkeqësinë ta ketë mbi krye.
Jo çdo artist i refuzuar bëhet tiran. Por pothuajse çdo tiran fillon duke refuzuar të pranojë kufirin e vet. Aty lind nevoja që, në mungesë të një kryevepre, kryevepra të bëhet vetë pushteti.
Pushtet që u bë thjesht proteza e një identiteti të papërfunduar.
© SYRI.net